Haradinaj përkrah uljen e pagave në PTK

Ekonomia May 08, 2018 - 19:23

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë në një konferencë për media, ka folur dhe për gjendjen në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Ai tha se përkrah mundësinë e uljes së pagave të punëtorëve të PTK-së, me qëllim që të shpëtohet kjo kompani nga bankrotimi.

“Për qejf ua kisha rrit ende, jo vetëm atyre, por të gjithëve në Kosovë. Unë kam me qenë në situatë kur kanë me marrë zgjedh, a po doni bankrotimin e kësaj kompanie, bankrotim me mbyll, me ia vë drynat dhe ka plot komplote me bankrotuar këtë kompaninë. Mund të ketë dhe brenda kompanisë të tillë, që janë shit te të tjerët me kohë që po donë me bankrotuar, me i dërguar 3 mijë vetë në shtëpi, ose mbi 2 mijë. Një privat nuk i mban ata 3 mijë vetë në punë”, tha ai.

“Unë po dua me provuar me mbijetuar këtë kompani, si Qeveri. Koncepti është i tillë. Ulja e pagave është njëra nga veprimet. Duhet dhe veprime tjera, ulje të kostove të shpenzimeve, kushedi çka tjetër. Nëse doni me mbijetuar kompaninë, ju jap përkrahje. Por duhet t’i ndërmarrim këto masa, që të mbijetoj kompania. Pra, ulja do t’i përfshijë të gjithë. Jo veç ata shefat, por të gjithë. Ndoshta janë 40 për qind që u fol. Mund të jetë një ulje rreth 20 për qind”, tha Haradinaj.

Ndryshe, ditë më herët, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka komentuar edhe uljen e mundshme të pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës, duke theksuar se janë duke punuar në atë aspekt dhe se janë diskutuar masat emergjente për shpëtimin e  Telekomit.

“Është koordinim i punëve që po bëhen për të mirën e Telekomit – ulja e shpenzimeve administrative, pagat, qeratë, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe aty ku ka hapësirë për përmirësim”, ishte shprehur ai.