Konjufca: Qytetarët po paguajnë shumë shtrenjtë për rrymë

Ekonomia April 26, 2018 - 15:53
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar interpelanca sipas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike raporton “Zeri.info”.

Glauk Konjufca nga VV-ja ndonëse tha se kjo seancë është thirrur ditë më parë, i kërkoi qeverisë që të jetë më e disiplinuar dhe të mos mungoj në Kuvend.

“Kjo interpelancë është thirrur në 5 mars dhe tash jemi në 25 prill, me të vërtet këto vonesa po na ndodhin për shkak të agjendave të Qeverisë. Do kishte qenë mirë që Qeveria të ishte më e disiplinuar me qëllim që të bisedohet për këto tema të rëndësishme”, tha Konjufca në fillim të fjalës së tij.

Sipas tij nuk po merren masa për sigurimin e prodhimit të energjisë dhe me të tilla probleme po i shkaktohen humbje shtetit të Kosovës.

“Ne kemi kuptuar që paligjshëm, pas privatizimit u kuptua që disa prej hidrocentraleve të vogla që i ka pasur në pronësi KEK-u, i janë dhënë investitorit privat dhe nuk ka pasur investime serioze sa i përket rrjetit. Nuk po merret asnjë masë për sigurimin e prodhimit të energjisë dhe sërish importi po bëhet pa planifikim paraprak duke na shkaktuar shpenzime të mëdha në buxhetin e shtetit”, tha Konjufca, raporton "Zeri.info".

Sipas Konjufcës pavarësisht se Kosova ka avantazhin që të prodhojnë rrymë me çmim të ulët, përsëri qytetarët po paguajnë shumë shtrenjtë për të.

Ai propozoi që të rindërtohet Kosova A, planifikimi për Kosovën B, ndërprerja e kontratës me Kontër Global, mbikëqyrje e plotë për vlerat teknike të KEK-ut dhe KEDS-it etj.