Hetime për falimentimin e Telekomit

Ekonomia April 25, 2018 - 07:41
Lexo detajet

Zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se janë duke i hetuar keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës e të cilat, siç thonë ata, janë të lidhura me moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe me vendimin e Arbitrazhit. Telekomi ka qenë ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë, e cila në vitin 2010 i kishte paguar 80 milionë euro dividendë në buxhetin e Kosovës, ndërsa ditë më parë u bë e ditur se kompania ka 60 milionë euro borxhe, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Hiç më pak se 80 milionë euro i kishte paguar dividendë në buxhetin e shtetit Telekomi i Kosovës(TK) në vitin 2010, derisa shtatë vjet më vonë kjo ndërmarrje është buzë falimentimit pasi që borxhet ndaj furnitorëve i kanë arritur në 60 milionë euro dhe ka vështirësi që t’i paguajë edhe pagat e punëtorëve.

Në vitin 2011 nga fitimet e krijuara Telekomi ia kishte ndarë Qeverisë së Kosovës 55 milionë euro, 45 milionë euro në vitin 2012, 40 milionë euro në vitin 2013, nga 15 milionë euro gjatë viteve 2014 dhe 2015 dhe asnjë cent nuk ishte paguar në vitin 2016 në buxhetin e shtetit në emër të dividendit.

Në kohën kur s’kishte para për dividend Telekomi udhëhiqej nga Agron Mustafa, të cilit i ka skaduar kontrata në fund të shkurtit të këtij viti, ndërsa dy muaj më vonë kryesuesja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës njoftoi se ndërmarrja publike është në prag të falimentimit, pasi borxhet e kompanisë kanë arritur në 60 milionë euro, shkruan tutje "Zëri". 

Për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në Telekomin e Kosovës Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në këtë ndërmarrje. 

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke hetuar keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës, të cilat janë të lidhura me rastin e moszbatimit të vendimeve gjyqësore dhe vendimit të Arbitrazhit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë për gazetën “Zëri.

Shatri: Të jepet përgjegjësi për keqmenaxhim

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se falimentimi i Telekomit është një dëm i madh për Kosovën.

“Ndërmarrja nuk guxon të falimentojë. Është një dëm i madh për vendin nëse Telekomi falimenton. Shteti duhet të fillojë të mendojë seriozisht se çka e dërgoi ndërmarrjen në falimentim. Njerëzit që e kanë menaxhuar duhet të japin përgjegjësi dhe të njëjtit nuk duhet të gradohen, por të degradohen. Nëse duam të kemi shtet nuk guxojmë të lëshojmë pe për keqpërdorime të tilla”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, pas gjendjes së krijuar duhet të ekzistojë një plan për përmirësimin e gjendjes në Telekom, pas keqmenaxhimit që ka ndodhur aty.
Edhe anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financave, Ali Lajqi, thotë se Telekomi është keqmenaxhuar me vite.

Ai ka shtuar se është mëkat të falimentojë kjo ndërmarrje, e cila dikur i ka siguruar të hyra milionëshe buxhetit të shtetit.

“Ky është një shembull i keq i menaxhimit i autoriteteve tona zyrtare, madje edhe i sektorëve qeveritarë. Kjo është bërë me qëllim që ndërmarrja të mos ekzistojë si duhet dhe të humbë konkurrenca e saj. Në këtë kuptim të konkurrencës ‘Z-Mobile’ i ka marrë shumë klientët e saj, madje edhe rrjeti i PTK-së është shfrytëzuar prej të tjerëve”, është shprehur anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Kalaja: Thaçi, Shala dhe Beqaj e falimentuan Telekomin

Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare për Transparencë dhe Llogaridhënie (KUND), ka përmendur me emra zyrtarët që e kanë çuar drejt falimentimit Telekomin.

“Përgjegjësinë kryesore do duhej kërkuar tek ish-kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi dhe ministrat e tij, z. Ahmet Shala dhe z. Besim Beqaj. Këta tre persona, disa prej tyre kanë edhe pozita të larta shtetërore, janë fajtorët kryesorë për këtë gjendje dhe dyshimi ekziston jo vetëm nga opinioni i brendshëm publik, por edhe zyrtarisht nga kompanitë e interesuara për privatizim se kanë organizuar procese të kurdisura korruptive për përfitime personale e klanore që këta i kanë nën kontroll”.

Kalaja ka përmendur edhe dështimet e tentativave për privatizimin e Telekomit, për të cilat fajin ia ka hedhur korrupsionit gjatë procedurave të privatizimit.

Rekomandimet e Qeverisë

Pavarësisht alarmimeve nga anëtarët e Bordit të Telekomit se shuma e borxheve në këtë ndërmarrje ka arritur në mbi 60 milionë euro, në Qeveri po shprehen të bindur se nuk do t’i paguajnë këto borxhe.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë, ku u raportua edhe gjendja financiare në Telekomin e Kosovës, ofroi sugjerime për Bordin e Telekomit që t’i mendojnë politikat e tregut për mbijetesë.

“Nuk është e logjikshme që t’i përgjigjemi ne si Qeveri “Valës” për një gropë të madhe të borxheve”, kishte thënë Haradinaj.

Ndërsa në një përgjigje me shkrim për “Zërin”, në Qeverinë e Kosovës kanë treguar se pas raportimit kryeministri ka kërkuar masa që gjendja në Telekom të ndryshojë.

Në anën tjetër, kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri Berisha, kishte paralajmëruar Qeverinë se nëse nuk intervenohet menjëherë rasti optimal është që Telekomi të funksionojë edhe për 12 muaj, ndërsa në rast mosintervenimi ndërmarrja do të kalojë në duar të borxhlinjve.