Hasani: Mund të vendosim barriera për importet nga Shqipëria

Ekonomia April 21, 2018 - 08:05
Detajet

Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Bajram Hasani, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se autoritetet e Shqipërisë u bëjnë barriera të panevojshme disa bizneseve kosovare, shqetësim të cilin e kanë shprehur disa herë edhe zyrtarisht. Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa në këtë drejtim, atëherë pala kosovare mund të vendosë barriera tregtare tek importet e Shqipërisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Disa produkte kosovare hasin në pengesa të panevojshme gjatë eksportit në Shqipëri. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Bajram Hasani, duke shtuar se këto shqetësime i kanë ngritur tek autoritet në Tiranë, por ende nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje.

“Ndoshta nuk po i marrin seriozisht shqetësimet tona. Autoritetet në Tiranë duhet të reflektojnë, në të kundërtën do të detyrohemi ta zbatojmë ligjin ndaj produkteve të tyre. Kemi disa produkte nga Shqipëria që hyjnë me çmim më të lirë sesa mund të prodhohen në tregun tonë dhe kjo po i dëmton prodhuesit kosovarë”, ka pohuar Hasani.

Ai ka paralajmëruar se nëse tregu i Shqipërisë nuk hapet për prodhimet kosovare, atëherë jemi të detyruar të vendosim barriera, pasi që, siç thotë ai, duhet t’i mbrojmë prodhuesit vendorë.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Hasani ka folur edhe për numrin e madh të pikave të shitjes së karburanteve të palicencuara, për importin e madh të vajit të palmës për të cilin ka pretendime se është kancerogjen dhe për mishin me afat të skaduar që shitet në treg.

Zëri: Shoqata e Naftëtarëve pati alarmuar se pjesa dërrmuese e naftës, rreth 97 për qind, që hyn në Kosovë nuk kontrollohet. Cila është e vërteta e naftës që importohet?

Hasani: Çështjen e naftës e kam ngritur edhe para se të jem ministër. Kemi marrë disa masa, kemi pasur disa aksione për naftën që importohet. Kemi aksione në vazhdimësi, kontroll të shtimit të inspektimeve. Inspektorati, i cili është në kuadër të Ministrisë, po kryen detyrat e veta dhe e ka shtuar dinamizmin ose kontrollin, sidomos për planin e vitit 2018 kemi dhënë rekomandim që të shtohen së paku 40 për qind e kontrolleve. Mungesa e inspektorëve po bën  të kemi disa zbrazëtira. Në bazë të këtyre kontrolleve në terren po e shohim që s’ka probleme me importin e naftës sa ka probleme me shitjen në pikat e karburanteve. Më tepër ka dyshime se po bëhen manipulime me naftë brenda territorit të Kosovës.

I pakënaqur me cilësinë e naftës

Zëri: A keni njohuri kush po importon naftë jocilësore në vend?

Hasani: Ne jemi duke bërë një modalitet pas tërë këtyre zhvillimeve, kemi formuar një grup punues. Nuk jemi të kënaqur me kontrollin ose me cilësinë e naftës, për shkak se janë disa kompetenca që i janë bartur Doganës së Kosovës. Ne e kemi pasur një Udhëzim Administrativ, që i ka dhënë të drejtë për këtë çështje Doganës së Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë momentalisht nuk është përgjegjëse për importin e naftës, për shkak se kjo i ka kaluar Doganës së Kosovës.

Ne kemi vullnetin, ose jemi të gatshëm ta marrim përgjegjësinë si Ministri e Tregtisë dhe e Industrisë, ta marrim kontrollin edhe të importit të naftës, mirëpo jemi duke i menduar disa modalitete. Kemi formuar një grup punues të cilët na e kanë dhënë një plan-propozim. Po besojmë që gjatë muajve në vazhdim do të dalim me një udhëzim administrativ ose me një plan konkret se si do të funksionojë.

Zëri: Sa është zvogëluar numri i pikave të palicencuara dhe a mendoni se do të mundë të arrini ta ndaloni këtë veprimtari, ta quajmë ilegale të këtyre pikave të shitjes, meqenëse numri si është raportuar nuk ka qenë i vogël?

Hasani: Nuk mund të flas tash me përqindje, por besoj që së paku mbi gjysmën e këtyre pikave të palicencuara kemi arritur t’i licencojmë përveç pjesës veriore të Mitrovicës që është një temë në vete. Përveç disa problemeve kontestimore që janë rreth pronave të AKP-së, kanë qenë edhe pikat të cilat kanë qenë të pasura me dokumentacion, por nuk i kanë licencuar. Ne jemi të bindur dhe jemi duke bërë punën që nuk mund të operojë asnjë pikë e karburantit pa licencë, por natyrisht kemi dhënë njoftime me shkrim, për shkak se kemi pasur një gjendje, ku rreth 30 për qind të pikave të karburanteve janë pa licencë. Ne kemi gjetur edhe në mes të Prishtinës pika të karburanteve pa licencë dhe kjo është shqetësim.

Zëri: Pse nuk po bëhen publike emrat e kompanive që po bëjnë shitje të derivateve pa licencë?

Hasani: Në këtë drejtim më tepër kemi punuar që ta normalizojmë gjendjen sesa të bëjmë publicitet, jemi munduar t’i ruajmë edhe bizneset.

Zëri: Pavarësisht keqpërdorimit të tyre?

Hasani: Këtu ndoshta ka pasur lëshime që janë bërë edhe nga vete institucionet e Kosovës. Këtu nuk duhet t’i fajësojmë shumë ndërmarrjet tona sesa vete institucionet.

Zëri: Gazeta “Zëri” gjatë një hulumtimi pati zbuluar se lloji më i rrezikshëm i naftës “Petrol Kokos” po importohet në Kosovë, nuk po i bëhet kontroll. A po kontrollohet ky lloj i naftës meqë po vlerësohet si kancerogjen?

Hasani: Duhet që gjithnjë ta sqarojmë se sa i përket importit MTI-ja nuk është përgjegjëse. Ne jemi përgjegjës sa i përket shitjes brenda territorit. Kjo ndoshta është  edhe vakuumi ligjor, edhe nga deklarime që po bëhen po e themi tash në kufi jepet konformiteti, janë trupat  e Doganës që lejojnë, ne nuk jemi përgjegjës ose nuk kemi mandat që t’i kontrollojmë në hyrje të Kosovës. Kjo është ajo që po synojmë, ta gjejmë një modalitet që ta marrim përgjegjësinë e plotë si MTI, por edhe të mos ballafaqohemi me dukuri të tilla në të ardhmen.

Rreziku nga vaji i palmës

Zëri: Kohët e fundit kemi pasur edhe disa alarmime me rrezikun e disa produkteve ushqimore. Tash së fundmi ka qenë vaji i palmës, i cili po thuhet se po përdoret në sasi enorme në Kosovë. Çka keni ndërmarrë si Ministri për këtë rast?

Hasani: Kemi filluar disa hetime rreth produkteve të qumështit, të cilat pas një analize të detajuar nga Departamenti i Tregtisë dhe i Industrisë është bërë e ditur se disa produkte që prodhohen në Kosovë si: djathi, gjiza dhe shumë produkte tjera përdorin vaj të palmës.

Kjo na ka futur që të hyjmë në analiza edhe më të thella, që të kërkojmë nga Dogana se sa është importi i vajit të palmës. Nga shifrat shihet se importi i vajit të palmës është në rritje dhe kjo përbën shqetësim. Sipas praktikave ndërkombëtare, nëse vaji i palmës përdoret në sasi më të madhe se 20 për qind mund të jetë kancerogjen. Vajit të palmës i është hequr akciza dhe kjo i jep hapësirë të përdoret edhe më tepër, pasi që del me çmim më të lirë sesa qumështi.

Zëri: Përveç vajit të palmës ka pasur deklarime se edhe mishi me afat të skaduar ka hyrë në Kosovë?

Hasani: Gjitha produktet ushqimore janë kompetencë e Agjencisë së Ushqimit e të Veterinës. Ne kemi kërkuar sqarim edhe sa i përket kësaj çështjeje.

Zëri: Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës po pretendon që ky lloj mishi është asgjësuar dhe nuk ka hyrë në Kosovë, ndërsa vazhdimisht kemi konfiskime të mishit të dyshimtë nga institucionet përkatëse?

Hasani: MTI-ja në fund të vitit 2017 ka ndërmarrë një aksion, ku vetëm në supermarkete janë asgjësuar mbi 100 mijë euro vlerë e produkteve me afat të skaduar.

Zëri: Pse bizneset kosovare nuk po arrijnë t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregun shqiptar?

Hasani: Kohët e fundit është bërë temë shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk është se nuk eksportohen ose importohen, është një bashkëpunim tregtar. Është tregu më i lirë dhe i kanë gjetur lidhjet e tyre. Është një shkëmbim tregtar prej diku 3 me 1 në favor të Shqipërisë, ku importi nga Shqipëria është rreth 150 milionë euro. Ka pasur marrëveshje të ndryshme të nënshkruara edhe para Qeverisë sonë nga institucionet tona dhe institucionet e Shqipërisë. Mirëpo, fatkeqësisht nuk janë zbatuar ose jetësuar ato marrëveshje të nënshkruara në mbledhjen e qeverive të përbashkëta.

Zëri: A po qëndron problemi te konkurrenca apo te cilësia?

Hasani: Kemi disa ankesa prej bizneseve, ka produkte të disa ndërmarrjeve që institucionet e shtetit shqiptar i bëjnë pengesa të panevojshme. Ne kemi kërkuar sqarime me shkrim, disa shkresa që ia kemi bërë ministrit të Ekonomisë së Shqipërisë, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Ndoshta nuk po i marrin seriozisht shqetësimet ose adresimet e këtyre problemeve nga institucionet e Kosovës .Ata duhet të reflektojnë, ne kemi thënë se do ta zbatojmë ligjin nëse është e nevojshme në drejtim të Shqipërisë. Kemi disa produkte që hyjnë më lirë sesa prodhohen në vend, që i dëmtojnë prodhuesit tanë.

Zëri: Po paralajmëroni barriera edhe për prodhuesit shqiptarë?

Hasani: Nëse nuk gjejmë mirëkuptim, nëse nuk bëjnë edhe ata punën që ne po e bëjmë, institucionet e Kosovës në drejtim të hapjes së tregut shqiptar, atëherë jemi të detyruar të vendosim barriera për shkak se duhet t’i mbrojmë prodhuesit tanë.