Biruca kombëtare

Ekonomia April 19, 2018 - 18:06

“Kjo është Shqipëria e Madhe”, thërret me zë të lartë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, derisa promovon një shishe konjaku ”Skënderbeg”, në qendër të Beogradit.

Në hapësirën e panaireve në kryeqytetin serb, prodhuesit shqiptarë e kosovarë kanë pushtuar hapësirat më të mëdha mu në mes të objektit, të stërmbushur me pasardhës iliro-pellazgo-dardane.

Një flamur kombëtarë e një tjetër kosovarë janë ngritur në shtiza krah atyre perëndimorë, ndërsa ai serb e rus mezi duken diku në fund të objektit, shkruan Infokusi.

Në mesin e 300 kompanive rajonale, në Beograd po i ekspozojnë produktet e tyre rreth 180 kompani nga Shqipëria e Kosova.

Mediat serbe shkruajnë se Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri i Shqipërisë së Madhe Edi Rama në shoqëri edhe me Kadri Veselin e Albin Kurtin e Sali Berishën, nga Beogradi ftuan shqiptarët që të pushtojnë Serbinë, jo vetëm deri tek Molla e Kuqe, por nga jugu në veri.

Në fakt, krejt këtë nuk është qudi ta dëgjoni në kopallat e politikanëve kosovarë e shqiptar.

Por pak a shumë realiteti ndryshe i kësaj historie është duke ndodhur pak kilometra nga qendra e kryeqytetit të Kosovës, në Panairin, “Prishtina 2018” në Bërnicë.

Nga rreth 180 kompani sa po marrin pjesë në këtë panair, rreth 70 janë kompani që po ekspozojnë produktet Made In Serbia.

“Zhivki” e “Milloradi”, janë vendosur në qendër të hapësirës së panairit.

Përmes tyre duhet të kalohet për ti vizituar bizneset tjera.

Ndërsa diku nën shkallët që qojnë në hapësirën e bufesë, në një hapësirë të izoluar nga vizitorët janë vendosur edhe punimet artizanale me motive kombëtare shqiptare.

Skënderbeu e Adem Jashari të qëndisur me mjeshtri nga dora e grave të Krushës janë ekspozuar vetëm sa për të thënë se po marrin pjesë në panair, shkruan Infokusi.

Ato vështirë gjenden.

Madje shumë nga vizitorët nuk e dinë fare se krahas kompanive serbe të fshehura në objektin gjigant të “shtëpisë së panaireve”, janë edhe bizneset e grave të Kosovës që kanë pësuar nga lufta e fundit në Kosovë.

Veshjet me motive kombëtare duket se qëllimisht janë futur në një birucë, që të mos bien në sy nga prodhuesit e tregtarët serb, flamuri i të cilëve qëndron në ballë të objektit përkrah flamujve të shteteve të ndryshme të botës.

Në fotografi të realizuara nga Infokusi shihet se sa hapësirë u është krijuar artizanateve me motive kombëtare/Infokusi/