Ministri Hasani e mirëpret vendimin e presidentit Thaçi

Ekonomia April 04, 2018 - 20:04
Bajram Hasani e ka mirëpritur vendimin e presidentit Hashim Thaçi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani e ka mirëpritur vendimin e presidentit Hashim Thaçi për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Shoqëri Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës me të cilin parashikohej që të obligoheshin bizneset private që në bordet e tyre të kishin 50 për qind gra. Ministri Hasani në ditën e miratimit në Kuvend e kishte kundërshtuar këtë.

LEXO EDHE: Thaçi nuk e dekreton këtë vendim të Kuvendit

Hasani me këtë rast ka kërkuar nga Kuvendi që ky ligj të kthehet sa më parë në rishqyrtim meqë sipas tij, me kalimin e këtij ligji rregullohet veprimtaria e shoqërive tregtare dhe krijohet ambient më i mirë për të bërë biznes në Kosovë.

Postimi i plotë i ministrit Hasani:

Ditën kur debatuam në Kuvend Projektligjin për Shoqëritë Tregtare e kundërshtova miratimin e amendamentit me të cilin obligohen bizneset private (shoqëritë aksionare) që në bordet e tyre të kenë 40 për qind femra, ndërsa pas dy vitesh të bëhet 50 për qind. 

Duke ua imponuar bizneseve private që në bordet e tyre të kenë përfaqësim 50 për qind të femrave, ne po ndërhynim në çështjet e sektorit privat. 
Me gjithë kundërshtimet tona ai amendament kaloi. 

Pas saj patëm edhe ankesa të mëdha të bizneseve për të cilët kjo ishte një padrejtësi. 

Sot, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit Nr. 06/L – 016 për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

E përshëndesim këtë vendim të presidentit Thaçi dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga Kuvendi që ta kthejnë sa më shpejt në rishqyrtim këtë ligj sepse me kalimin e këtij ligji e rregullojmë veprimtarinë e shoqërive tregtare, nxisim dhe lehtësojnë themelimin dhe funksionimin e tyre. Me anë të këtij ligji krijojmë në ambient më të mirë për të bërë biznes në Kosovë.