Rakiq: Nga 32 milionë euro 70 për qind i janë dhënë shoqërisë civile

Ekonomia March 24, 2018 - 08:00

Sipas OJQ-ve, nga 32 milionë euro mjete të Qeverisë së Kosovës, të Bashkimit Evropian dhe nga Fondi për zhvillimin e veriut, që u janë ndarë komunave veriore në periudhën 2013-2016, 82 për qind i kanë shpenzuar katër komunat veriore, 12 për qind janë investuar në sektorin privat dhe 6 për qind për financimin e organizatave joqeveritare. Në korrikun e vitit 2017 BE-ja ka tërhequr prapa 7.8 milionë euro të dedikuar për financimin e 4 projekteve në veri të Mitrovicës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për 3 vjet (2013-2016) kanë përfituar 32 milionë euro mjete nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe nga Fondi për Zhvillimin e Veriut, në të cilin derdhen mjetet nga doganat në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë. Por, duke u bazuar në një debat që është zhvilluar në veri të Mitrovicës, i organizuar nga shoqëria civile me temën “A jetojmë më mirë”, mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës, BE-ja dhe nga mjetet e Fondit për Zhvillimin e Veriut janë keqpërdorur dhe nuk kanë shkuar gjithmonë në destinimin e paraparë. Sipas shoqërisë civile, nga 32 milionë euro mjete të Qeverisë së Kosovës, të Bashkimit Evropian dhe nga Fondi për zhvillimin e veriut, 82 për qind janë shpenzuar nga komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, 12 për qind janë investuar në sektorin privat dhe 6 për qind për financimin e organizatave joqeveritare. Por kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq ka thënë se nga këto mjete njerëzve, të cilëve nuk ua ka përmendur emrat, por i ka quajtur njerëz me “xhuboks makina në xhep”, u kanë mbetur shumë para në xhepa. Sipas tij, 70 për qind të këtyre mjeteve i kanë marrë organizatat joqeveritare, që udhëhiqen “nga njerëz me xhuboks makina në xhep”. “Këto para u shërbejnë atyre të pështyjnë mbi presidentin Vuçiq, mbi Marko Gjuriqin, Listën Serbe dhe për punë të tjera. Të them vetëm këtë se nga 32 milionë euro 70 për qind kanë shkuar për financimin e organizatave joqeveritare pikërisht për të pështyrë në gjithçka që është serbe”, ka thënë Rakiq, përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

E sipas një hulumtimi të organizatave qeveritare në veri me temën “A jetojmë më mirë” lidhur me efektet e investimeve në këtë periudhë (2013-2016) në komunat veriore të Kosovës është konstatuar se 82 për qind janë shpenzuar për projekte të ndryshme nga komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, 12 për qind janë investuar në sektorin privat dhe 6 për qind për financimin e organizatave joqeveritare.

Përfaqësues të shoqërisë civile, G. Radosavleviq, D. Velkoviq dhe S. Radakoviq, kanë demantuar kryetarin e Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, i cili ka përsëritur disa herë se 70 për qind e mjeteve, nga 32 milionë euro sa u janë ndarë komunave veriore, kanë shkuar në sektorin e OJQ-ve. Ata kanë thënë se pohimet e Rakiqit janë një marrëzi. “Kjo çka ka thënë Rakiq është marrëzi. Ne nuk kemi dëgjuar për këta 32 milionë, shumica e të cilave paskan shkuar në sektorin e organizatave joqeveritare. E dimë se janë ndarë mjete, se kush është në bordin që vendos, por për ato projekte të sektorit civil nuk kemi dëgjuar që janë financuar nga Fondi për Zhvillimin e Veriut nëpërmes komunave”, kanë thënë ata.

Në anën tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, në korrikun e vitit 2017 ka vendosur t’i pezullojë dhe t’i kthejë prapa 7.8 milionë euro, që BE-ja i kishte ndarë për katër projekte në veri të Mitrovicës. Ajo ishte arsyetuar se kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, nuk ka përmbushur obligimet që ka marrë nga BE-ja për financimin e këtyre projekteve, respektivisht që të krijojë hapësirë për realizimin e projekteve. “E kuptuam që ekzistojnë probleme të caktuara që ndërlidhen me këto projekte. Për tetë muaj kemi komunikuar me administratën lokale në Mitrovicën Veriore. Kushti i parë për fillimin e projektit është që të krijohet mundësia për qasje në vendin, gjë që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë. Kryetari i Komunës ka qenë i vetëdijshëm që kjo duhet të mundësohet në muajin prill. Fatkeqësisht, në rrugën dhe në afërsi të hapësirës ekzistojnë objekte ilegale, gjë që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë këtë.

Pastaj pasoi komunikimi me kryetarin e Komunës Goran Rakiq dhe me kolegët e tij dhe të gjithë kanë qenë të informuar se çfarë duhet të bëjnë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është ndërmarrë. Veprimi ynë i fundit pas skadimit të afatit ka qenë që ta sjellim zyrtaren e lartë nga Brukseli që ta vizitojë Mitrovicën e Veriut, e cila ia ka shpjeguar seriozitetin e situatës kryetarit të Komunës. Pas vazhdimit të afatit përsëri nuk ka ndodhur asgjë. Ne ishim vënë në situatën që nuk kemi mundur asgjë të bëjmë, përveç t’i anulojmë projektet”, pati thënë Apostollova, duke shtuar se vendimin e saj për tërheqjen e 7.8 milionë eurove për katër projekte në veri të Mitrovicës e kanë mbështetur edhe ambasadat e Gjermanisë dhe të Francës në Prishtinë. 

Ndryshe, në Fondin për Zhvillimin e Veriut, në të cilin derdhen mjetet nga taksat doganore në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, deri më tani janë mbledhur 13 milionë euro. Këto mjete u shpërndahen komunave veriore nga një bord që udhëhiqet nga përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, si dhe nga përfaqësuesi i serbëve të veriut të Kosovës.