Sërish ndërpritet prodhimi në “Ferronikel”

Ekonomia March 24, 2018 - 07:56

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, ka siguruar se punëtorët janë duke shkuar rregullisht në punë, i marrin pagat me rregull dhe se nuk ka asnjë paralajmërim për mundësinë e mbylljes së fabrikës. Dobra: “Ferronikeli” s’e ka njoftuar Komunën për problemet që ka, por është duke funksionuar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Është ndërprerë për të satën herë prodhimi në gjigantin e dytë më të madh ekonomik në Kosovë, pas “Trepçës”. Ka dy javë që prodhimi në “Ferronikel” është ndërprerë, por punëtorët vazhdojnë të punojnë normalisht. Ndërprerjes së prodhimit i ka paraprirë një prishje në furrën elektrike, respektivisht dëmtimi i kulmit të furrës elektrike që është pjesa kryesore e prodhimit. Aktualisht të gjithë janë të angazhuar në riparimin e furrës elektrike. Prodhimi në “Ferronikel” është ndërprerë vetëm përkohësisht derisa të kryhen riparimet e nevojshme për të vazhduar pastaj me prodhimin, kanë thënë në “Ferronikel”.

Punëtorët në anën tjetër as nuk dëshirojnë të mendojnë për ndonjë ndërprerje më të gjatë të prodhimit, në veçanti nuk dëshirojnë as të mendojnë për mundësinë që kjo fabrikë të mbyllet, siç është duke u përfolur në kohë të fundit.

Nika: Është duke u bërë remonti i furrave

Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, i tha “Zërit” për shkak se disa nga teknologjitë dhe furra elektrike kanë shkuar në remont dhe se janë duke u riparuar prodhimit aktualisht nuk është shkuar. “Jemi duke punuar, punëtorët shkojnë rregullisht në punë, kryejnë detyrat që kanë, edhe pagat i marrin me kohë. Nuk ka asgjë të vërtetë në atë që po thuhet se nuk do të ketë më prodhim dhe se janë të rrezikuar punëtorët”, ka thënë Nika, i cili ka demantuar pohimet se edhe punëtorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me gjendjen në “Ferronikel”. “Pse të kemi pakënaqësi kur të gjithë punëtorët janë duke punuar, tani po presim deri me 15 të këtij muaji që t’i marrim pagat e shkurtit. Gjithçka është në rregull. Menaxhmenti është duke u marrë me riparimet dhe si të përfundojnë ato do të fillojë prodhimi ashtu siç ka shkuar deri më tani”, ka thënë me bindje Nika.

“Zëri” është përpjekur të kontaktojë drejtorin e “Ferronikelit”, izraelitin Shlomo, por ai nuk ka qenë i disponuar që të flasë për gazetën. Nga burime të tjera mësohet se “Ferronikeli” është duke u përballur edhe me problemin e çmimit të energjisë elektrike, pasi që nga 1 prilli i këtij viti gjiganti i dytë më i madh kosovar pas “Trepçës” do t’i nënshtrohet çmimit të tregut ndërkombëtar të energjisë elektrike.

 825 punëtorë punojnë ne “Ferronikel”

“Ferronikeli” në Drenas ka të punësuar 825 punëtorë, ndërsa ka edhe rreth 180 kontraktorë, të cilët sigurojnë të ardhura nga puna e tyre në “Ferronikel”. Para dy vjetëve, në vitin 2016, “Ferronikeli” kishte ndërprerë krejtësisht prodhimin dhe 70 për qind të punëtorëve i kishte dërguar në shtëpi me 70 për qind të pagesës. Rreth 7 muaj pati zgjatur ndërprerja e prodhimit, ndërsa punëtorët kishin protestuar, duke kërkuar që prodhimi të rifillojë dhe duke mos u pajtuar me menaxhmentin e “Ferronikelit” që punëtorët të shkojnë në pushim të dhunshëm dhe i cili i kishte vënë disa kushte Qeverisë së Kosovës për të rifilluar me prodhimin. Edhe para dy vjetëve kur “Ferronikeli” ndodhej në krizë financiare dhe të rezervave i ishte kërkuar Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë për t’i siguruar “Ferronikelit” energji elektrike me çmimin e energjisë që kanë shtetet e rajonit, ndërsa kushti tjetër ishte që një rrugë në Magurë që kalon midis pronave të “Ferronikelit” nga të cilat eksploatohet xehja e nikelit të dislokohet, pasi që në atë pjesë ishte konstatuar se ka rezerva të xehes së nikelit.

Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Isa Mustafa, i kishte përmbushur kërkesat e menaxhmentit të “Ferronikelit” dhe prodhimi në “Ferronikel” ishte kthyer.

Për një kohe punëtorët kishin marrë vetëm 70 për qind të pagës, por më vonë gjendja ishte stabilizuar deri në atë masë saqë për mundësinë e ndonjë ndërprerjeje tjetër të prodhimit as që mendohej. Por në muajt e fundit të vitit 2017 sërish pati ndërprerje të shkurtra të prodhimit, por menaxhmenti ishte arsyetuar me faktin se në disa periudha prodhimi ndërpritet për të bërë remontin e teknologjisë së prodhimit. Por frika se “Ferronikeli” do të mbyllet vjen për shkak se “Feni” në Kavadar të Maqedonisë, që është pronë e konsorciumit që ka privatizuar “Ferronikelin”, ka falimentuar në tetorin e vitit 2017. E gjithë xehja e nikelit që nxirret në Çikatovë të Vjetër të Drenasit dhe nga miniera në Magure të Lipjanit dërgohet në “Feni” në Kavadar të Maqedonisë.

 Dobra: Menaxhmenti nuk e ka njoftuar Komunën për problemet

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, i tha “Zërit” se menaxhmenti i “Ferronikelit” nuk e ka njoftuar Komunën e Drenasit për problemet me të cilat është duke u përballur. “Nuk e ka për obligim që t’i raportojë Komunës, por të paktën kanë mundur të na njoftojmë për gjendjen dhe për problemet që i kanë. Ne jemi në ngjarje dhe jemi duke e përcjellë situatën dhe me sa ne kemi informacione është ndalur vetëm prodhimi, ndërsa si ndërmarrje ‘Ferronikeli’ është duke funksionuar normalisht. Punëtorët po shkojnë në punë, punojnë çfarë kanë për të punuar dhe kthehen. Nuk kemi informata për diçka më shumë”, ka thënë Dobra të mërkurën.