Lluka: Bordi i “Trepçës” formohet në fillim të muajit prill

Ekonomia March 20, 2018 - 08:01

Situatës së rëndë në gjigantin metalurgjik “Trepça” pritet t’i jepet epilog në fillim të muajit prill kur pritet të emërohet edhe Bordit i Drejtorëve. Të paktën kështu deklaroi të hënën ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka, gjatë raportimit të tij para anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me gjendjen në ndërmarrjen “Trepça”, Posta dhe Telekomi.

“Bordin presim ta kemi funksional, pasi ka pasur lëvizje në fillim të prillit një bord aktiv. Më 25 mars është faza e intervistave. Janë 9 anëtarë të Bordit, 2 vijnë nga përfaqësuesit e punëtorëve pasi janë 20 për qind aksionarë dhe 7 të Qeverisë”, ka treguar Lluka.

Më tej ministri ka dhënë një pasqyrë financiare për gjenerimin e të hyrave vjetore në “Trepçë”. “‘Trepça’ ka pasur të hyra të qëndrueshme në qarkullim vjetor, rreth 14.6 milionë euro në vit, ka pasur rënie të prodhimit të përpunimit të xeheve, edhe pse xehet si plumbi dhe zinku kanë pasur brenda tre vjetëve një trefishim. Janë zvogëluar humbjet, Qeveria e ka subvencionuar me 3.2 milionë euro në vit. Vitin e fundit e ka përmbyllur me plus 6 mijë euro. Numri i punëtorëve ka qenë në zvogëlim e sipër”, ka theksuar ndër të tjera i pari i MZHE-së.

Gjatë diskutimeve para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ministri që është në krye të MZHE-së Valdrin Lluka, është pyetur nga anëtarët e Komisionit për Zvarritjen e Implementimit të Ligjit për “Trepçën”. Për kryetaren e këtij Komisioni Sala Berisha-Shalën mbetet i paqartë definimi i “Trepçës” si ndërmarrje publike apo nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)-së. “‘Trepça vazhdon të mbetet nën administrimin e AKP-së de juro përderisa nuk është zgjedhur bordi. Si do t’i qaseni menaxhimit të ‘Trepçës’? A është ndërmarrje publike apo nën menaxhimin e AKP-së? Ku është vendimmarrja dhe llogaridhënia e ‘Trepçës’?”, kanë qenë pyetjet e kryetares së Komisionit për ministrin Lluka.

Mirëpo dilemat e kryetares së Komisionit Sala Berisha-Salës nuk ka mundur t’ia zgjidhë ministri Valdrin Lluka, i cili tha se “Trepça” ende nuk ka një status të definuar. “‘Trepçën’ në momentin kur kemi ardhur e kemi gjetur në një status të pazgjidhur dhe në dhjetor kemi filluar procesin e shpalljes së rekrutimit për Bordin e ‘Trepçës’. Nuk është asnjëra e as tjetra, nuk ka status të definuar. AKP-ja i ka hequr obligimet ndaj ‘Trepçës’. MZHE-ja merret me autorizimin për eksport të koncentratit apo të xeheve për të mos e penguar në operimin e ‘Trepçës’, se i duhet qarkullimi i saj”, ka sqaruar ministri. Sipas tij, meqenëse ndërmarrja nuk ka status të definuar edhe llogaridhënia është më problematike. “Kemi themeluar një grup të ekspertëve ligjorë që kanë draftuar një statut të ‘Trepçës’ për t’i ndihmuar bordit që vjen ta kenë një material të gatshëm dhe pastaj bordi e rishikon, jep vlerësime dhe mund ta kalojë për ta regjistruar atë si shoqëri aksionare”.

Në anën tjetër anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, e ka pyetur ministrin se a është e ngjashme situata e ish-drejtorit të “Trepçës” Ahmet Tmavës dhe kryeshefit aktual të Telekomit Agron Mustafës, të cilit i është vazhduar kontrata për tre muaj të tjerë. “A është situata e ngjashme me Telekomin, apo kemi situata të ndryshme? Te njëri i është vazhduar kontrata për tre muaj dhe te tjetrit nuk i është vazhduar për tre muaj? Nëse është e ngjashme pse ka ndodhur ky veprim? Nëse nuk është pse?”, ka pyetur Sherifi.

Ministri Lluka i është përgjigjur Sherifit duke ia sqaruar se “Trepça” nuk ka status të definuar. “Telekomi është ndërmarrje publike dhe ne e kemi Komitetit Ndërministror për Ndërmarrje që e mbikëqyr Telekomi. ‘Trepça’ nuk është në të njëjtën situatë. Për ‘Trepçën’ jemi rezervuar nga e drejta për të marrë vendim, pasi ajo nuk ka status të definuar. Ia kemi lënë bordit t’i marrë vendimet e duhura”, është përgjigjur ministri.

Për të njëjtën çështje “Zëri” ka raportuar javën e kaluar.

Telekomi, 15 milionë euro humbje

Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë të hënën se humbjet e paaudituara në Telekomin e Kosovës gjatë vitit të fundit kanë qenë hiç më pak se 15 milionë euro. Të paktën kështu deklaroi ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Valdrin Lluka gjatë raportimit të tij para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. Ai më tutje ka thënë se shpenzimet milionëshe për paga duket se po shkaktojnë probleme të mëdha në këtë ndërmarrje. Ministri Lluka ka treguar se Telekomi numëron deri në 2 mijë e 291 punëtorë me pagë rreth 980 euro.  “Telekomi ka 2 mijë e 291 punëtorë me pagë rreth 980 euro, shpenzimet e pagave në total janë 27 milionë euro dhe kjo shkakton probleme. Qiratë janë të mëdha, rreth 10 milionë euro të humbjeve vijnë për shkak të këtyre qirave. Humbja në vitin e fundit nuk është audituar, është 15 milionë euro. Ka pasur rritje të konsumatorëve për shkak të rënies së fuqisë konsumuese, qarkullimi ka vijuar në 71 milionë euro”, ka shtuar ai.

850 euro është paga mesatare në Postë

Rimëkëmbja e ndërmarrjes Posta sipas ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik,  Valdrin Lluka, do të mundë të bëhej përmes shpërndarjes së të gjitha skemave sociale përmes postës. Me këto skema sipas ministrit do të mbulohej një pjesë e madhe e shpenzimeve dhe Posta do të rriste inkasimin. Posta në qarkullimet e saj vjetore sipas të dhënave të elaboruara nga ministri gjeneron 10-11 milionë euro. “Posta e Kosovës është një ndër kompanitë që ka përafërsisht në qarkullim vjetor 10-11 milionë euro. Në vitin 2016 ka qenë 12 milionë euro. Në vitin 2017 raporti nuk është i audituar. Është me rëndësi të kuptohet se Posta rreth 40 për qind të të hyrave që pranon janë nga qiraja e Telekomit, të cilën e paguan për shfrytëzimin e objektit. Është një shumë e madhe, e cila në momentin që kurdo e privatizojmë Telekomin që do t’i sjellë vështirësi më të mëdha Postës”, ka shpjeguar tutje ministri Lluka gjatë raportimit. Ministri duke bërë një pasqyrim të të hyrave ka treguar se Posta numëron 1 mijë e 20 punëtorë, derisa paga mesatare është 850 euro. “Posta ka rreth 1 mijë e 20 punëtorë, rroga mesatare është diku 850 euro, vazhdon të ketë sfida përderisa ka pasur rekrutime. Është një trend që e ka dëmtuar në vazhdimësi. Pjesa të cilën jemi duke e shikuar do ta rrisim bashkëpunimin, skemat sociale do të shpërndahen përmes postës, dy aktualisht janë duke u shpërndarë, janë edhe 28 skema të ndryshme që do të mbulonin një pjesë të madhe të shpenzimeve dhe i ndihmon Postës të rrisë enkasimin”, ka sqaruar ministri Lluka.

Ndërsa për të mbetet shqetësuese se rreth 90 për qind e shpenzimeve operative shkon për paga. “Është shqetësuese për Postën se rreth 90 për qind e shpenzimeve operative shkon për paga, është tej mase. Posta e ka rrogën 850, e njëjta ndërmarrje në Shqipëri e ka pagën 450 euro. Ka dyfishim të pagave”.