Fati i Agron Mustafës në dorën e kryeministrit

Ekonomia February 27, 2018 - 08:22

Qëndrimi ose jo i Agron Mustafës në krye të Telekomit të Kosovës (TK) edhe për tre muaj varet nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Gazeta “Zëri” mëson se në mbledhjen e radhës së Qeverisë, të mërkurën, pritet të shqyrtohet rekomandimi i Komitetit Ndërministror për këtë rast

Të mërkurën do të dihet nëse përfundimisht Agron Mustafa do të jetë në krye të Telekomit të Kosovës (TK) edhe për tre muaj tjerë.

Komiteti Ndërministror të enjten e kaluar i rekomandoi kryeministrit Ramush Haradinaj që ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës Agron Mustafës t’ia vazhdojë kontratën edhe për tre muaj të tjerë. Por së paku deri më tash një vendim i tillë ende nuk është marrë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Gazeta Zëripërmes burimeve të sigurta mëson se Komiteti Ndërministror i rekomandoi Zyrës së Kryeministrit që Mustafës t’ia zgjasë mandatin edhe për tre muaj.

LEXO EDHE: Qeveria ia zgjatë ditët Agron Mustafës në krye të Telekomit

Por ky vendim nuk e ka formën e prerë pa vendosur për të kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“MZHE-ja këtë rekomandim të Komitetit Ndërministror e ka përcjellë te Zyra e Kryeministrit dhe pritet se çfarë vendimi final do të marrë ai”, kanë thënë këto burime për Zërin.

Sipas të njëjtave burime, mbledhja e radhës e Qeverisë do të jetë të mërkurën dhe deri atëherë Mustafa mund ta vazhdojë punën si kryeshef i Telekomit.

Mustafës kontrata i ka skaduar më 23 shkurt 2018.

Gazeta ka pyetur Zyrën e Kryeministrit nëse rekomandimi i Komitetit Ndërministror për zgjatjen e afatit është i ligjshëm, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërmarrja është në proces të zgjedhjes së Bordit dhe sipas Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike, Bordi është instanca e vetme për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë nëpër ndërmarrje publike. Aktualisht ndërmarrja nuk ka bord funksional.

“Ligji për Ndërmarrjet Publike nuk e përshkruan situatën e krijuar në Telekom. Do të thotë Qeveria dhe MZHE-ja nuk kanë asnjë ingerencë ligjore për të emëruar menaxhmentin sepse këtë e bën Bordi i Drejtorëve. Për më tepër Ligji për Ndërmarrjet Publike e ka të pranuar parimin e Qeverisjes Korporative, që do të thotë pronari nuk ka kompetenca në çështjet menaxheriale dhe operative”, kanë thënë për gazetën këto burime.

Duke qenë kjo paqartësi ligjore vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ditë më parë i kishte drejtuar Zyrës së Kryeministrit një kërkesë për interpretim të ligjit sesi të veprohet në këtë rast.

Nuk mori përgjigje dhe meqë kryeshefit i ishte afruar koha e skadimit të kontratës Komiteti Ndërministror u mblodh të enjten, një ditë para skadimit të kontratës, dhe vendosi në formë rekomandimi për vazhdim të mandatit edhe për tre muaj. Ndërkaq çështja e zgjedhjes së Bordit do të merret vesh vetëm në muajin mars.

Në një përgjigje për gazetën nga Ambasada Britanike në Kosovë, e cila po e mbikëqyr këtë proces, ka thënë se procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Telekomit të Kosovës është duke vazhduar.

“Faza e parë e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët i kanë përmbushur kriteret ka përfunduar. Intervistat, krijimi i listës së shkurtër dhe prezantimi i rekomandimeve do të përfundojë në muajin mars, kurse përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të Telekomit të Kosovës do të bëhet nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për gazetën.

Ndryshe në kohën kur ekzistojnë këto paqartësi ligjore rreth shpalljes së konkursit të ri për kryeshef të Telekomit, ndërmarrja gjendet në situatë shumë të vështirë financiare.

Nga raporti i fundit i Qeverisë mbi ndërmarrjet publike del se Telekomi e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 31 milionë eurosh.