Policia tender 6-milionësh për xhipa e vetura patrulluese

Ekonomia February 23, 2018 - 07:56

Policia e Kosovës ka parashikuar t’i shpenzojë gati 6 milionë euro për furnizim me automjete patrulluese dhe xhipa, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bëhet fjalë për dy tenderë të ndarë, të cilët ende janë në fazën fillestare sa i përket procedurave të prokurimit.

Gazeta “Zëri” ka siguruar përmbajtjen e të dy tenderëve, që pritet të shpallen së shpejti nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).

Tenderi i parë është ai për “Furnizim me automjete patrulluese për Policinë” dhe vlera e parashikuar e kontratës arrin në 4.5 milionë euro. Ky tender ende është në fazën e njoftimit paraprak.

Tenderi i dytë ka të bëjë me furnizim me xhipa për nevoja të Policisë së Kosovës. Vlera e parashikuar e kontratës për të arrin në 1.3 milion euro, shkruan tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Qeveria ia zgjatë ditët Agron Mustafës në krye të Telekomit

Edhe ky tender është ende në fazën e njoftimit paraprak. Në total, vlera për këta dy tenderë arrin në 5.8 milionë euro.

Kërkesa për furnizim me vetura dhe me xhipa nga Policia nuk është e para e këtij lloji. Një përpjekje e njëjtë ishte bërë edhe në vitin 2015, por që në mungesë të buxhetit nuk kishte vazhduar tutje.

Nga Policia e Kosovës thonë se veturat për patrullim dhe xhipat që përdoren aktualisht janë vjetruar dhe pritet që të zëvendësohen. Sipas tyre, Policia ka një kohë të gjatë që nuk ka arritur të furnizohet me vetura të reja.

“Siç dihet, për të qenë në gjendje që t’i kryejë obligimet ligjore në ofrimin e sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës Policia e Kosovës duhet të ketë një mobilitet në mënyrë që të jetë sa më afër qytetarit. Duke pasur parasysh këtë, automjeti është një nga pajisjet më të rëndësishme. Për shkak të procedurave të komplikuara të prokurimit dhe mungesave buxhetore Policia e Kosovës nuk ka mundur që të pajiset me automjete të reja patrulluese për një kohë të gjatë”, thuhet në një përgjigje për gazetën nga Departamenti për Medie i Policisë.

Për shkak të kësaj Policia e Kosovës e ka pasur të pamundur përtëritjen e flotës së automjeteve dhe momentalisht shumica e automjeteve me të cilat Policia operon janë të vjetërsuara dhe kalojnë kriteret e shfrytëzimit.

“Në vitin 2015 AQP-ja ka realizuar një procedurë të prokurimit për blerjen e automjeteve patrulluese për Policinë e Kosovës, mirëpo për shkak të mundësive buxhetore sasia e automjeteve të blera ishte mjaft e vogël në krahasim me nevojat”.

Sipas tyre, Policia vazhdimisht bën përpjekje për përtëritjen e flotës së automjeteve dhe në planifikimin e prokurimit për këtë vit ka planifikuar që të realizojë procedura të prokurimit për blerjen e automjeteve patrulluese, të cilat shfrytëzohen për patrullime të rregullta policore dhe të automjeteve të llojit xhip të cilat nevojiten për Njësitë e Specializuara Policore dhe për Patrullime të Kufirit Shtetëror.

“Për shkak të korrektësisë sasia e automjeteve që parashihet të blihen në këto procedura bëhet publike në momentin që publikohet procedura e prokurimit dhe sa i përket modelit kjo varet nga oferta që fiton tenderin sipas Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në përgjigjet e Policisë.