Nënshkruhet projekti 13-milionësh për zgjerimin e rrugës

Ekonomia February 21, 2018 - 08:12

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, ai i Drenasit Ramiz Lladrovci dhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për vazhdimin e projektit të rrugës me katër korsi që lidh Skenderajn me autostradën Prishtinë – Pejë, në Komaran të Drenasit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Projekti i rrugës me katër korsi ka filluar të realizohet para më shumë se tre vjet në pjesën që i takon komunës së Skenderajt, respektivisht nga Klina e Epërme e deri në Polluzhë, por në shumë pjesë të saj punët nuk kanë përfunduar për shkak të mosmarrëveshjeve për shpronësim.

Problemet më të mëdha janë në Klinë të Mesme tek ura në Skenderaj (ka përfunduar vetëm një anë e urës), pastaj në Marinë dhe në Polluzhë.

LEXO EDHE: Haradinaj: Po punojmë që “Trepça” të mundë të operojë vetë

Punëkryesit, kompanitë “Al Trade” dhe “Conex” e Istogut, disa punë i kanë kryer vetëm në fund të vitit 2017.

Projekti i rrugës me katër korsi që do të vazhdojë nga Poluzha e Drenasit e deri në Komaran të kësaj komune ku do të kyçet në autostradë, sipas ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj ka koston prej saktësisht 12.700.000 eurosh, por në këtë projekt përfshihen edhe punët që nuk kanë përfunduar në pjesën që i takon komunës së Skenderajt.

Ministri Lekaj tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të investojë në projektet e infrastrukturës rrugore të komunave Skenderaj e Drenas sepse rajoni i Drenicës ka sakrifikuar më së shumti për çlirimin e vendit.

“Si Qeveri jemi shumë të interesuar dhe të përkushtuar që të investojmë në Skenderaj dhe në Drenas sepse këto dy komuna kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës e pos kësaj për një kohë të gjatë ato kanë qenë të lëna pas dore. Kjo rrugë me katër korsi do t’u shërbejë qytetarëve të Drenicës për qarkullim më të lehtë të automjeteve dhe qarkullim të mallrave e që do të ndihmojë edhe në zhvillimin e ekonomisë së kësaj ane”, tha Lekaj, duke precizuar se projekti ka koston prej 12.7 milionë eurosh.

Lekaj shtoi se komunat janë të obliguara vetëm ta përgatisin dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa për shpronësimet dhe për procedurat tjera do të përkujdeset Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, duke falënderuar ministrin Lekaj për financimin e projektit theksoi se komuna e Skenderajt ka nevojë për investime, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në fusha të tjera.

“E falënderoj ministrin Lekaj dhe Qeverinë e Kosovës për këtë projekt, i cili përfundimisht rrumbullakos gjithë projektin e zgjerimit të rrugës nga Klina e Epërme e Skenderajt e deri në Komaran të Drenasit. Projekti ka mbetur pa u realizuar në pjesën e Drenasit, por edhe në pjesën tonë nuk kanë përfunduar të gjitha punët”, tha Jashari.

Falënderues për ministrin Lekaj dhe Qeverinë e Kosovës është shprehur edhe kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci.

“Komunat, respektivisht kryetarët Jashari e Lladrovci do t’i kryejnë të gjitha obligimet që kanë sa i përket përgatitjes së dokumentacionit. Do të bashkëpunojmë sa herë që na kërkohet”, tha mes tjerash kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci.