Emërimet politike rrezikojnë 25 milionë eurot e BE-së

Ekonomia February 14, 2018 - 07:48

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian (BE) e nënshkruan një marrëveshje për reforma sektoriale në administratën publike.

BE-ja u zotua se në këtë proces do ta ndihmojë Kosovën me 25 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Prej tyre 22 milionë euro mbështetje direkte buxhetore dhe 3 milionë euro tjera asistencë teknike.

Megjithatë, emërimet e fundit politike dhe pa kurrfarë kriteresh nëpër bordet e ndërmarrjeve publike nga Qeveria e Kosovës e kanë vënë seriozisht në pikëpyetje derdhjen e këtyre mjeteve në buxhetin e Kosovës.

Vetëm muajin e fundit Qeveria bëri dy emërime politike në kundërshtim me ligjin.

Siç është rasti me sekretarin e përgjithshëm në MTI Burim Rrecajn dhe emërimin e ish-kreut të OVL-ve të UÇK-së Muharrem Xhemajlit në “Ibër-Lepenc”.

Në një përgjigje për gazetën “Zëri” ndaj këtyre emërimeve, krahas Ambasadës së Britanisë tashmë ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje se emërimet politike duhet të ndalen, pasi një administratë e pavarur dhe profesionale është jetike për çdo qeveri që të implementojë politika adekuate. Është e vërtetë që emërimet politike po vazhdojnë përgjatë viteve në institucione të ndryshme dhe posaçërisht në bordet e ndërmarrjeve publike pavarësisht faktit se ligji qartazi thotë së të emëruarit nuk duhet të jenë të lidhur me partitë politike”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë ndaj këtyre emërimeve.

Pas raportimeve nga gazeta “Zëri”, tek rasti i Xhemajlit, lënda nga shoqëria civile ka përfunduar në Agjencinë Antikorrupsion. Ata pretendojnë se me ketë rast kryeministri Haradinaj shkeli Ligjin për Ndërmarrjet Publike pasi emëroi personin, i cili kishte qenë kandidat i një partie në zgjedhje. Ndërkaq, tek rasti i sekretarit të përgjithshëm në MTI, Burim Rrecaj, ashpër ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë, e cila po i monitoron emërimet në pozita të larta.

BE: Marrja e fondeve është e lidhur me progresin e Qeverisë

Në muajin maj Zyra e BE-së në Kosovë do ta bëjë vlerësimin e parë të progresit për reforma në administratën publike. Por në përgjigjet për gazetën zyrtarët e BE-së kanë thënë se kalimi i fondeve të premtuara prej 25 milionë eurosh varet kryekëput nga progresi i Qeverisë në këtë proces. Duke parë vendimet e muajve të fundit kalimi i këtyre mjeteve si mbështetje për buxhetin e Kosovës është vënë seriozisht në pikëpyetje.

“Disbursimet e fondeve janë të kushtëzuara mbi progresin e Qeverisë drejt përmbushjes së qëllimeve të veta në reformat dhe mbi objektivat për të cilat ka pasur pajtueshmëri të përbashkët. Vlerësimi i parë i progresit do të bëhet rreth muajit maj 2018”, thuhet në përgjigjet nga Zyra e BE-së.

Sipas tyre, një administratë publike që funksionon mirë është parakusht për një qeverisje transparente dhe demokratike. “Prandaj, BE-ja e sheh reformën që po vazhdon si qenësore për Qeverinë e Kosovës. BE-ja e këshillon Kosovën që t’i adresojë reformat fundamentale në administratë publike  dhe emërimet mbi bazën meritore janë një element kyç në këtë aspekt”, thuhet tutje në përgjigjen e BE-së.

BE-ja dhe Qeveria e kanë nënshkruar në dhjetor të 2017-s Marrëveshjen për Programin për Mbështetje Sektoriale në fushën e reformës në administratën publike në vlerë të 22 milionë eurosh të ndara si mbështetje e buxhetit dhe tre milionë euro të ndara si asistencë plotësuese teknike. Programi ka për qëllim lehtësimin e reformave të rëndësishme të nevojshme për vendosjen e një administrate profesionale publike, ku rekrutimi bazohet në meritë dhe korrupsioni trajtohet efektivisht dhe sanksionohet aty ku gjendet.

Deputetët me nismë për krijimin e një komisioni hetimor

Ndaj emërimeve të fundit politike nga Qeveria e Kosovës disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për krijimin e një komisioni hetimor.

Deputetja nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, dhe deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Sejdiu, kanë iniciuar të martën një nismë përmes së cilës kërkohet caktimi i një seance plenare për krijimin e një komisioni hetimor për emërimet e shërbyesve të lartë civilë në administratën shtetërore.

Nisma e marrë nga deputetja Kusari-Lila dhe nga Sejdiu është mbështetur edhe nga deputetët e tjerë dhe kështu ajo do t’i dërgohet Sekretariatit të Kuvendit për t’u proceduar më tutje.

Sipas Kusari-Lilës, emërimet që janë bërë në administratën shtetërore janë politike dhe se me këto emërime është duke u rrezikuar humbja e 75 milionë eurove nga Bashkimi Evropian për përmbushjen e obligimeve për reformat në administratën publike.

“Është një nismë imja dhe e deputetit Dardan Sejdiu për të filluar një seancë plenare për komision hetimor për emërimet e shërbyesve të lartë civilë në administratën shtetërore. Kemi vërejtur me ardhjen e kësaj Qeverie një politizim të skajshëm të gjitha pozitave, ndërhyrje dhe natyrisht një mungesë të seriozitetit në raport me institucionet shtetërore”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 75 milionë eurove, asistencë të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian si rrjedhojë e mospërmbushjes së obligimeve për reformë të administratës publike.

Përveç komisionit hetimor në seancë do të kërkohet edhe votimi i një rezolute, e cila obligon Qeverinë në ndërmarrjen e masave në raport me këto emërime. “ ….si Kuvend i Kosovës të votojmë një rezolutë, e cila do të jetë obligative për Qeverinë në ndërmarrjen e masave në raport me këtë proces”.