Kosova krijoi stabilitet makroekonomik dhe besueshmëri tek FMN

Ekonomia February 12, 2018 - 17:42

Kosova ka siguruar stabilitet makroekonomik dhe FMN ka mirëpritur dhe vlerësuar lartë performancën e mirë ekonomike, kredibilitetin dhe reformat që janë ndërmarrë. Sektori bankar i Kosovës ka kaluar një tjetër vit të suksesshëm, duke rritur kontributin e tij në mbështetje të zhvillimit ekonomik. E tregu i sigurimeve, për herë të parë në historinë e pas luftës, doli me fitime.

U.D i Guvernatorit të BQK’së, Fehmi Mehmeti, flet për Express.

Express: FMN ka dhënë mendime dhe raporte pozitive për Bankën Qendrore të Kosovës që ju aktualisht e drejtoni.

F. Mehmeti: Bordi i FMN’së ka mirëpritur performancën e mirë ekonomike të Kosovës dhe reformat që janë ndërmarrë. Gjithashtu ka bërë thirrje autoriteteve që t’i përshpejtojnë edhe më shumë reformat strukturore. Këto komente kanë dalë nga përmbyllja e suksesshme e Mbledhjes së Bordit të FMN’së për Kosovë ku është diskutuar rreth raportit të stafit të FMN’së “Konsultimet e Artikullit IV me Kosovën”. Po ashtu, pas vlerësimit të performancës, anëtarët e Bordit e kanë aprovuar edhe kalimin e Kosovës nga Artikulli XIV në Artikullin VIII, i cili do të thotë se pozicioni i Kosovës në FMN ka avancuar më tutje duke konvergjuar kështu drejtë vendeve më të zhvilluara.

E tërë kjo është rrjedhojë e stabilitetit makroekonomik që ka siguruar Kosova dhe besueshmërisë së lartë që kanë krijuar institucionet e Kosovës në FMN. Kalimi në Artikullin VIII nënkupton se Kosova tani më është e gatshme të marrë obligime të reja ndaj FMN’së siç janë shmangia e kufizimeve ndaj pagesave rrjedhëse, fuqizimi i FMN’së me më shumë informata rreth ekonomisë së Kosovës, konsultimi me anëtarët e FMN’së rreth marrëveshjeve ndërkombëtare e kështu me radhë.

Express: Cilat janë zhvillimet në sektorin bankar të Kosovës?

F. Mehmeti: Sektori bankar i Kosovës ka kaluar edhe një tjetër vit të suksesshëm, duke rritur kontributin e tij në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës, si dhe duke përforcuar vetë përformancen dhe qëndrueshmërinë e tij.

Vlera e përgjithshme e kredive të sektorit bankar të Kosovës në fund të vitit 2017 arriti në 2.48 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.5 për qind. Kjo normë e rritjes e radhitë Kosovën në mesin e vendeve me rritjen më të lartë të kreditimit në rajon. Kontribut të rëndësishëm në rritjen e kreditimit bankar ka dhënë edhe rënia e konsiderueshme e normave të interesit në kredi, gjë e cila ka lehtësuar qasjen në financimin bankar dhe rrjedhimisht ka rritur kërkesën për kredi. Norma mesatare e interesit në kredi në fund të vitit 2017 ishte 6.8 për qind, krahasuar me normën mesatare prej 7.2 për qind në dhjetor 2016. Me këtë nivel të normës së interesit, Kosova tani gjendet në gjendje të ngjashme me vendet e tjera të rajonit për sa i përket kostos së financimit bankar.

Afarizmi i suksesshëm i sektorit bankar gjatë vitit 2017 bëri që pozicioni i kapitalizimit të forcohet edhe më tutje, duke e bërë kështu sektorin bankar edhe më të qëndrueshëm kundrejt tronditjeve të mundshme. Treguesi i Mjaftueshmerisë së Kapitalit gjatë kësaj periudhe u rrit në 18 për qind, duke vazhduar kështu të jetë në nivel dukshëm më të lartë se sa minimumi i kërkuar rregullativ. Gjendje shumë e mirë vërehet në aspektin e cilësisë së portofolit kreditor, ku Kosova vazhdon të jetë vendi me normën dukshëm më të ulëtën të kredive jopërformuese në rajon, por edhe më gjerë. Gjatë vitit 2017, cilësia e portofolit kreditor shënoi përmirësim të mëtutjeshëm, me çrast norma e kredive joperformuese zbriti në 3.1 përqind, nga 4.9 për qind sa ishte në fund të vitit 2016. Kjo normë e kredive joperformuese është më e ulëta që ka regjistruar sektori bankar i Kosovës në më shumë se dhjetë vite.

Express : Tregu i sigurimeve, për herë të parë sivjet, që nga paslufta ka dalë me fitim. Cilat janë arsyet/indikacionet që e ka krijuar këtë rezultat?

F. Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në periudhën e fundit i ka kushtuar vëmendje të veçantë forcimit të mëtejmë të sektorit të sigurimeve, gjë e cila ka sjell rezultate.

Gjatë kësaj periudhe, ne kemi avancuar kornizën rregullative të këtij sektori si dhe kemi forcuar kapacitetet mbikëqyrëse, gjë e cila ka rezultuar në një performancë pozitive financiare për këtë sektor, pas një periudhe të gjatë të karakterizuar me brishtësi financiare.

Në vitin 2017, sektori i sigurimeve shënoi fitim neto në vlerë prej rreth 7 milionë euro, që paraqet nivelin më të lartë të profitit të shënuar ndonjëherë nga ky sektor. Përformanca pozitive ka mundësuar përmirësimin e treguesve kyç të shëndetit të këtij sektori, gjë që e bënë këtë sektor më të qëndrueshëm dhe më të aftë për të rritur rolin e tij në ekonominë e Kosovës. Asetet e këtij sektori në vitin 2017 arritën vlerën 177.3 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 9.5 për qind. Gjatë kësaj periudhe, vlera e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve arriti në 46 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 17.9 për qind, e cila flet për rritje të përgjegjshmërisë dhe të efikasitetit të kompanive të sigurimit për sa i përket përmbushjes së detyrimeve ndaj policë-mbajtësve.

Kontribut të rëndësishëm në arritjen e këtij rezultati ka dhënë edhe funksioni i trajtimit të ankesave të klientëve të institucioneve financiare në BQK, i cili po tregohet shumë efektiv në sigurimin e zbatimit të të drejtave të klientëve të institucioneve financiare.