Tenderi sekret milionësh i Byrosë së Sigurimeve

Ekonomia January 29, 2018 - 07:48

Në një proces të dyshimtë tenderues dhe me gjithë vërejtjet e BQK-së, kompania “Alt3c” ka fituar për herë të dytë kontratën milionëshe për sistemin “Bonus-Malus” në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Gazeta “Zëri” ka siguruar dokumentacion për milionat që fitoi kjo kompani nga kjo kontratë dhe dyshimet për afërsi me Gani Thaçin, zyrtar i lartë në këtë institucion

Pavarësisht vërejtjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe përmes një procesi të dyshimtë tenderues, në janar të këtij viti kompania “Alt3c” ka fituar për herë të dytë radhazi tenderin milionësh për sistemin “Bonus-Malus” në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Sikurse edhe herën e parë në vitin 2013, procesi i tenderimit për këtë tender u zhvillua në mënyrë jotransparente.

Detajet e kontratës së re nuk janë bërë publike prej asnjërës prej institucioneve të përfshira në këtë proces, shkruan tutje "Zëri".

Pavarësisht insistimit të gazetës as Banka Qendrore e Kosovës si rregullator i industrisë së sigurimeve, as Byroja si autoritet kontraktues e as kompania fituese nuk kanë pranuar t’i shpalosin detajet e këtij tenderi.

Nga Byroja kanë refuzuar krejtësisht të flasin. Ndërsa zyrtarë të kompanisë “Alt3c” kanë konfirmuar për gazetën se më 1 janar 2018 ka përfunduar kontrata për sistemin “Bonus-Malus” dhe se po këtë muaj është shpallur tenderi i ri.

Ky tender nuk mund të gjendet as në uebfaqen e Byrosë e as në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

“Më 1 janar ka skaduar kontrata për shërbimet përkatëse të ndërlidhura me ‘Bonus-Malus’, e nënshkruar me të gjitha kompanitë e sigurimeve që janë të licencuara në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, mund të konfirmojmë se ka kontratë të re me kompanitë e sigurimeve, jo me BKS-në dhe jo vazhdim të kontratës sepse janë kushte dhe kërkesa të reja, të cilat janë parashtruar përmes tenderit publik”, thuhet në një përgjigje për gazetën nga Zyra për Informim e “Alt3c”-së.

Nga kjo kompani kanë refuzuar të bëjnë publike detajet e kontratës së re me arsyetimin se kjo përbën sekret afarist.

Ndërkaq, kontrata e parë për sistemin “Bonus-Malus” kësaj kompanie i ishte dhënë në tetor të vitit 2013, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Industrisë së Sigurimeve. Kontrata me Byronë e Sigurimeve ka qenë në fuqi për periudhën 4-vjeçare dhe ka skaduar më 1 janar të 2018-s. E njëjta i është vazhduar nga Byroja e Sigurimeve këtë muaj.

Sistemi “Bonus-Malus”, të cilin e ka zbatuar “Alt3c”-ja përfshin secilin sigurues në Kosovë, i cili posedon policë të sigurimit të automjeteve. Qëllimi i këtij sistemi është evidentimi në një vend i të gjithë shoferëve të mirë dhe të disiplinuar dhe që janë të kujdesshëm në trafik. Krejt kjo me qëllimin që nga bonusi do të përfitojnë shoferët e mirë, derisa nëpërmjet malusit shoferët e papërgjegjshëm do të jenë në disavantazh.

Mbi 1 milion euro për një sistem softuerik

Gazeta “Zëri” ka siguruar dokumente që dëshmojnë se për katër vjetët e para Byroja e Sigurimeve i ka kaluar te kompania “Alt3c” mbi një milion euro. Sipas raportit të Auditorit për vitin 2016 të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, një kopje të të cilit e posedon gazeta, për tre vjet kjo kompani nga ky tender mori mbi 1 milion euro për zhvillimin e një sistemi softuerik në të cilin do të kishin qasje të gjitha kompanitë.

Në vitin 2014 vlera e kontratës ishte 400 mijë euro, më 2015-n 420 mijë euro dhe 221 mijë euro më 2016-n. Për vitin 2017 ende nuk janë bërë publike të dhënat e shpenzimeve.

Sipas kontratës së vjetër, të cilën po ashtu e posedon gazeta, Byroja është obliguar që t’i paguajë kompanisë 1.10 euro për çdo policë TPL të lëshuar.

Ndërkaq me kontratën e re palët mësohet se janë marrë vesh që nga 1.10 euro çmimi të bjerë në 0.25 centë për çdo policë të sigurimit. Kjo për shkak të pakënaqësive me ketë kontratë nga disa prej kompanive të sigurimeve.  

I kontaktuar nga gazeta Rrahim Pacolli, drejtues i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, i cili e kishte kundërshtuar për herë të parë kontratën me ketë kompani, nuk ka pranuar të flasë rreth detajeve të kontratës.

“Nuk jam më në Asamble. Ju lutem, drejtohuni në Byro”, ka thënë Pacolli. Në Byro nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën as pas një javë pritjeje.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figuron emri i Ilir Pushkës dhe i Ardian Kelmendit, si dy nga pronarët në “Alt3c”. Në ARBK, te aktivitetet, thuhet se “Alt3c”-ja merret me “aktivitete të telekomunikimit kabllor” dhe “publikim të softuerëve”.

Gazeta “Zëri” përmes burimeve të sigurta në industrinë e sigurimeve mëson se kjo kompani dyshohet të jetë e afërt me Gani Thaçin, i cili është vëllai i presidentit. Thaçi ka vite që punon në Byro dhe momentalisht aty mban pozitën e dytë më të lartë. Kompania “Alt3c” doli fituese dy herë radhazi ani pse në të dyja rastet Banka Qendrore e Kosovës pati vërejtje serioze.

BQK: Kemi kërkuar transparencë

Në vitin 2013 Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në një raport të brendshëm pati dhënë shumë vërejtje lidhur me tenderin milionësh që i është dhënë kompanisë “Alt3c”.

Vërejtjet kryesisht kishin të bënin me lartësinë e vlerës së kontratës, por edhe me menaxhimin e këtij sistemi. Tash kur e njëjta kompani ka fituar sërish zëdhënësi për Informim në BQK, Besnik Kada, ka sqaruar se krejt çka kanë arritur të bëjnë si rregullator është kërkesa e tyre ndaj Byrosë që me rastin e përzgjedhjes së operatorit të ri procesi të jetë transparent.

“Me rastin e skadimit të kontratës, BQK-ja ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimit, përkatësisht nga anëtarët e saj që me rastin e përzgjedhjes së operatorit të ri të përmbushen kërkesat e BQK-së lidhur me këtë proces dhe që procesi të jetë transparent; të jetë në pajtueshmëri me kornizën ligjore; të sigurohet mbrojtja e të dhënave, si dhe të bëhet bartja e plotë e të gjitha shënimeve (e ndërlidhur me sistemin ‘Bonus-Malus’); garancia se procesi i lëshimit të policave duhet jenë brenda sistemit dhe online; si dhe operacionet të zhvillohen dhe të mos ketë në asnjë mënyrë ndërprerje të sistemit”, ka thënë Kada.

Pavarësisht kësaj kërkese të BQK-së si rregullator, Byroja por edhe kompania e kanë mbajtur sekret tenderin.

Kada ka thënë se  Asambleja e Përgjithshme si organ i Byrosë është përgjegjëse për përzgjedhjen dhe për nënshkrimin e kontratave që kanë të bëjnë me Byronë Kosovare të Sigurimit. “BQK-ja, përpos kërkesave të lartcekura, nuk ka qenë e përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar në vitin 2011 nga 10 kompani të sigurimit, duke u bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Byroja financohet nga anëtarët e saj dhe veprimtaria e së cilës mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimit funksionon Fondi i Kompensimit, Sigurimi Kufitar, Qendra Informative e Sigurimit dhe Kartoni i Gjelbër.