Në Austri nuk mund të vozitet me patentshofer të Kosovës

Ekonomia January 26, 2018 - 13:42

Komuniteti i biznesit vendor ballafaqohet me vështirësi të shumta për të qenë pjesë e barabartë e të bërit biznes në aspektin rajonal, evropian dhe më gjerë.

Një ndër parakushtet kryesore të të berit biznes është lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve që fatkeqësisht ne kosovarët jemi në pozitë të palakmueshme, njofton kumtesa zyrtare.

OEK nëpërmjet një komunikate thotë se në aspektin rajonal dhe në implementimin e CEFTA-së vet fakti që dy shtete nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, siç është Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në të njëjtën kohë ato nuk pranojnë dokumentacione dhe e pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, shërbimeve dhe mallrave nga Kosova me ç’rast e bëjnë të pamundur të jemi të barabartë dhe konkurrues në këtë pikëpamje.

Një shqetësim tjetër sipas OEK, është edhe fakti që Austria e pamundëson kalimin transit nëpër këtë shtet, drejt vendeve të tjera evropiane sepse nuk e pranon patentë-shoferin e lëshuar nga institucionet kosovare, po ashtu shqetëson fakti i procedurave burokratike për dhënien e vizave që është shndërruar në një ndër barrierat më të theksuara për biznesin vendor sidomos në vitin 2016, 2017 e për fat të keq po vazhdon edhe në vitin 2018. 

Oda Ekonomike apelon tek institucionet vendore që me urgjencë të kontaktojnë institucionet e shtetit mik të Austrisë për të diskutuar lidhur me këtë barrierë shqetësuese sepse ne jemi pjesë e Ballkanit Perëndimore dhe shpresojmë të jemi pjesë e familjes evropiane, ndërkohë futja e Kosovës në grupin e këtyre shteteve është dëmi më i madh që i bëhet, qoftë në aspektin ekonomik, integrues, psikologjik e më së shumti në imazh.