Kryetari i Vushtrrisë i shkruan KEDS-it për reduktimet e rrymës
Xhafer Tahri i është drejtuar me shkresë KEDS-it duke thënë se që një javë në Vushtrri ka reduktime.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, pas mungesës së energjisë elektrike në qytetet dhe disa fshatra të Vushtrrisë i është drejtuar KEDS-it me një shkresë zyrtare.
“Komuna e Vushtrrisë me dite të tëra është duke u ballafaquar me mungesën e energjisë elektrike si në qytet ashtu edhe në disa fshatra.”, shkruan në letrën e Tahirit.
Ai më tutje konstaton se nga mungesat e rrymës po pësojnë qytetarët.
“Ankesat e shumta të qytetarëve në adresë të kryetarit të komunës janë pothuaja se të çdoditshme pasi që në jetën e tyre të përditshme nga mungesa e energjisë elektrike u krijohen probleme dhe vështirësi të shumta sidomos në ushtrimin e veprimtarive biznesore”, thuhet në letrën e Tahirit.
Sipas Xhafer Tahirit, probleme me energji elektrike në Vushtrri ka tash e një javë.
“Ka një javë që ka probleme me energji elektrike, ka reduktime. Duke marrë parasysh që tani koha është e ftohtë, krijohen edhe probleme dhe vështirësi të shumta për qytetarët”, tha Tahiri për KALLXO.com.
Ai tha se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje për shkresën e dërguar në KEDS për problemin me energji.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala i cili tha se kjo kompani po bën maksimumin për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike.
“KEDS po bën maksimumin për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike, por është shumë i varur nga prodhimi prej KEK-ut, për të cilin jemi në dijeni që nuk ka qenë brenda suazave të planifikuara”, tha Buzhala.