Refuzohet regjistrimi i dy kompanive energjetike serbe

Ekonomia December 23, 2017 - 08:12

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë së Kosovës ka refuzuar t’i regjistrojë dy kompanitë energjetike serbe “EPS trgovina” dhe “Elektrosever” në veri të Kosovës me arsyetimin se “aplikacionet nuk janë komplete, si dhe nuk janë të harmonizuara me ligjet e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit”. Serbia këmbëngul në emërtimin antikushtetues: “Kosovo i Metohija”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qeveria e Serbisë, respektivisht Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cila drejtohet nga Marko Gjuriq, ka vazhduar t’i fajësojë institucionet e shtetit të Kosovës se nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Qeveria serbe ka vlerësuar se Serbia i zbaton marrëveshjet, por jo edhe Prishtina e cila, sipas saj, “shtyn dhe zvarrit implementimin e marrëveshjeve ose nuk i zbaton në tërësi”, shkruan tutje "Zëri".

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë nëpërmes një raporti e ka cilësuar të paarsyeshme dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit refuzimin e regjistrimit të dy kompanive energjetike serbe “EPS trgovina” dhe “Elektrosever” në veri të Kosovës, si produkt i Marrëveshjes në Bruksel për Energjinë.

LEXO EDHE: Qeveria 'Haradinaj' 'sfidon' rajonin me paga

Arsyetimi për të mos i regjistruar nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë së Republikës së Kosovës, sipas qeverisë së Serbisë është i paarsyeshëm dhe bëhet me qëllim që të mos lejohet veprimi i tyre në territorin e Kosovës.

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë së Kosovës ka refuzuar t’i regjistrojë dy kompanitë energjetike serbe “EPS trgovina” dhe “Elektrosever” në veri të Kosovës me arsyetimin se “aplikacionet nuk janë komplete, si dhe nuk janë të harmonizuar me ligjet e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit”, por ky arsyetim nuk i ka pëlqyer qeverisë së Serbisë dhe ka kërkuar që Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Operatorëve Ekonomikë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë t’i rishqyrtojë aplikacionet e dorëzuar, siç kanë thënë me 26 prill.

Gjithashtu thuhet, ndërsa e pranon edhe vetë Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, se Qeveria e Serbisë në aplikacionet e dorëzuara për regjistrimin ka insistuar në emërtimin antikushtetues të Kosovës – “Kosovo i Metohija”.

“Problemin kyç për implementimin e Marrëveshjes për Energjetikë edhe më tutje e paraqet mospërmbushja e obligimeve të Prishtinës që të formojë dy kompani energjetike serbe: ‘EPS trgovina’ dhe ‘Elektrosever’ në veri të Kosovës. Pasi që më 26 prill përfaqësuesit e ‘Elektro Privreda Serbije’ (EPS) kanë dorëzuar gjithë dokumentacionin për regjistrimin e kompanive në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Operatorëve Ekonomikë Prishtina për herë të katër ka refuzuar t’i regjistrojë këto kompani serbe në Kosovë me arsyetimin se nuk janë komplete dhe të harmonizuar me ligjet e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit. Prishtinën e pengon p.sh. emërtimi ‘Kosovo i Metohija’. Duke pasur parasysh se arsyet për refuzimin e kërkesave për regjistrimin janë të paqarta dhe paushalle, pala jonë i ka bërë kërkesë kësaj Agjencie që ta rishqyrtojë vendimin për refuzimin e regjistrimit të këtyre operatorëve. Pasi në afatin e paraparë nuk ka marrë përgjigje, pala serbe është kundër këtyre akteve me të cilat refuzohen kërkesat për regjistrimin dhe i ka paraqitur ankesë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si dhe ka bërë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, thuhet në raportin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, për të shtuar se ndonëse kanë kaluar katër muaj nga paraqitja e ankesës, pala serbe më 19 tetor ka bërë një urgjencë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me të cilën është kërkuar njoftimi në formë të shkruar për atë se në cilën shkallë të procesit ndodhet ankesa e paraqitur më 8 qershor dhe se kur mund të pritet ndonjë vendim meritor për kontestin juridik, si dhe për “urgjencën me të cilën posedon shkalla e dytë, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë së Kosovës”.

“Për shkak të kësaj, marrëveshja për lidhjen në mes të EMS-së dhe KOSTT-së në kuadër të rrjetit evropian të operatorëve për transmetimin e sistemit të energjisë elektrike ENTS-E, e ashtuquajtur ‘Connection Agreement’ ende nuk ka hyrë në fuqi”, ka vlerësuar Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, për të shtuar se “veprimi i Prishtinës, duke u mbështetur nga BE-ja, e që ka për qëllim që KOSTT-ja të bëhet kontrollor i veçantë në këtë fushë pa i përmbushur kriteret e ‘Connection Agreement’, e shkelin marrëveshjen”.

Qeveria e Serbisë i ka rekomanduar BE-së “si ndërmjetësuese në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit” që të marrë masa urgjente për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që kompanitë të regjistrohen dhe të licencohen.

Në pjesën e raportit lidhur me Marrëveshjen për Telekomunikimin përkujtohet se kompanisë “MTS” i janë ndarë 30 lokacione për stacione bazë, se kjo kompani është regjistruar në sistemin kosovar, se gjithë pasuria e MTS-së është bartur dhe se janë dhënë licencat për telefoninë mobile dhe fikse.

“Me këtë ka përfunduar faza e parë e implementimit të marrëveshjes në fushën e telekomunikimit. Pritet që në periudhën e ardhshme të fillojë zbatimi i fazës së dytë të marrëveshjes e që është harmonizimi i spektrit të telefonisë mobile dhe të sinjalit televiziv. Kur bëhet fjalë për rrjetin e telefonisë fikse në tërësi janë riparuar sistemet e ndërprera të transmetimit në mes të objekteve të caktuara të komunikimit, me çka është mundësuar shërbimi telefonik edhe për 1.772 shfrytëzues, ndërsa janë zgjeruar edhe kapacitetet ekzistuese”, thuhet mes tjerash në raportin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, për të shtuar se aktualisht është duke u bërë rikonfigurimi i lidhjes së interkoneksionit në mes të rrjeti fiks të Telekomit të Serbisë dhe rrjetit fiks të MTS-së.

Sipas raportit, aktualisht në rrjetin fiks të MTS-së janë të kyçur gjithsej 18.505 parapagues.