Tahiri: Pas miratimit të buxhetit, sektorit të drejtësisë do t’i shtohen 690 vende të reja të punës

Ekonomia December 10, 2017 - 17:29

Pas votimit të deputetëve për buxhetin e vitit 2018, ministri i parë i cili është deklaruar është Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri ka deklaruar se që nga dita e parë e mandatit të tij, ka punuar që në kuadër të buxhetit të vitit 2018, të ketë rritje të theksuar për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në mënyrë që t’i jepet mundësia fuqizimit të sektorit të sundimit të ligjit.

Me këtë rast Tahiri është shprehur i lumtur që është arritur një gjë e til dhe se 690 vende punë do t’i bashkëngjiten këtij sektori.

Ky është njoftimi i plotë:

Nga dita e parë e mandatit tim kam punuar që në kuadër të buxhetit për vitin 2018 të ketë rritje të theksuar për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për t’i dhënë mundësi fuqizimit të sektorit të sundimit të ligjit dhe sot jam shumë i lumtur që një gjë e tillë u arrit. Miratimi i buxhetit në lexim të parë, është një lajm tejet inkurajues për mundësitë që po krijojmë në adresimin e nevojave për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë, përfshirë edhe fushën e drejtësisë. Me këtë rritje të buxhetit për sektorin e sundimit të ligjit që është më e larta në gjashtë vitet e fundit, po krijojmë mundësi konkrete për një sistem efikas të drejtësisë. 

Rrjedhimisht, 690 vende të reja pune do i bashkëngjiten këtij sektori, në mes tyre gjykatës, prokurorë, bashkëpunëtorë profesional të cilët do ndikojnë në uljen e numrit të lëndëve dhe shqyrtimin më të shpejtë të tyre, si dhe oficerë korrektues që do rrisin sigurinë dhe performancën e trajtimit brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.