Për 10 muaj fitimi i bankave arrin në 75.7 milionë euro

Ekonomia December 06, 2017 - 08:37

Vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti të gjitha bankat komerciale që operojnë në vendin tonë kanë arritur ta realizojnë një fitim të pastër prej hiç më pak se 75.7 milionë euro, apo rreth 200 mijë euro më shumë se gjatë gjithë vitit që lamë pas, shkruan sot, gazeta Zeri.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore afarizëm të suksesshëm kanë pasur edhe kompanitë e sigurimeve, por edhe institucionet mikrofinanciare në vend, derisa këto të fundit gjatë viteve paraprake vitin e kishin përmbyllur me bilanc negativ.

Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili është publikuar më 4 dhjetor, shihet se të hyrat e bankave gjatë 10 muajve të parë të këtij viti kanë qenë 201.9 milionë euro e ku nga kjo shumë 147.1 milionë euro kanë qenë të hyra nga interesi, derisa në anën tjetër gjatë kësaj periudhe kohore shpenzimet kanë arritur në 126.2 milionë euro, ku nga kjo shumë 14.1 milionë euro janë shpenzime të interesit, derisa 84.1 milionë euro janë shpenzime gjenerale administrative.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së, shihet se deri në fund të muajit tetor të këtij viti shuma e kredive nëpër bankat komerciale në vend ka arritur në 2 miliardë e 430 milionë euro, ku 881 milionë euro janë kredi për ekonomi familjare, derisa pjesa tjetër prej 1 miliard e 543 milionë euro janë kredi për bizneset. Sipas të dhënave zyrtare, shihet një rritje e kredive prej 10,6 për qind.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe raportuese ka edhe rritje të depozitave prej 9 për qind, duke arritur vlerën prej 3 miliardë e 24 milionë euro, ku nga kjo shumë 2 miliardë e 133 milionë euro janë depozita të ekonomive familjare, derisa pjesa tjetër prej 735 milionë eurosh janë depozita të ndërmarrjeve.

Gjatë kësaj periudhe raportuese norma e interesit në kredi ka arritur në 6,8 për qind, derisa norma e interesit në depozita edhe më tutje mbetet e njëjtë, në 1 për qind.

Po ashtu viti 2017 ka qenë shumë i suksesshëm edhe për institucionet mikrofinanciare që operojnë në vendin tonë e ku vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti ato të gjitha se bashku kanë arritur ta realizojnë një profit prej 6.8 milionë eurosh.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së, shihet se gjatë kësaj periudhe kohore të hyrat e mikrofinancave kanë qenë 26.3 milionë euro, ku nga kjo shumë 19.5 milionë euro janë shpenzime administrative, derisa pjesa tjetër është profit.

Norma mesatare e interesit në kredi për institucionet mikrofinanciare në Kosovë edhe më tutje mbetet shumë e lartë, duke arritur në 22,2 për qind.

Po ashtu edhe kompanitë e sigurimeve sivjet kanë punuar me profit, ndonëse gjatë gjithë viteve të kaluara ato në fund kanë raportuar se kanë përmbyllur vitin me humbje të konsiderueshme.

Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, shihet se deri në fund të muajit tetor të këtij viti profiti total i kompanive të sigurimeve ka arritur në 3.2 milionë euro.

Gjatë kësaj periudhe kohore kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë arritur të realizojnë të hyra prej 57.2 milionë eurosh, derisa në anën tjetër gjatë kësaj periudhe raportuese dëmet e ndodhura janë 23 milionë euro e shpenzimet janë prej 31 milionë eurosh.

Po ashtu shihet rritje edhe e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ku deri në fund të muajit tetor shuma e mjeteve që janë kursyer nga qytetarët ka arritur në 1 miliard e 582 milionë euro

Grafika1:

Nafta, 58.30 dollarë për fuçi.

Grafika2:

0,2% ka rënë çmimi i naftës në bursë, duke e krahasuar me një ditë më parë.

Grafika3:

6.8 milionë euro është shuma e mjeteve që kanë fituar 18 institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit tetor të këtij viti.