Bankat do të vazhdojnë me uljen e kamatave

Ekonomia October 18, 2017 - 10:41

Fehmi Mehmeti, ushtrues detyre i guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thotë se duke marrë parasysh trendin e uljes së normave të interesit në kredi, si dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar vlerësohet se bankat do të vazhdojnë të reflektojnë në uljen e mëtutjeshme të normave të interesit, ndonëse normat e tilla janë të krahasueshme me vendet tjera

Normat e interesit në kreditë që jepen nga sektori bankar do të vazhdojnë të ulen edhe më tej, pavarësisht se normat ekzistuese në Kosovë janë të krahasueshme me vendet tjera. Kështu ka deklaruar Fehmi Mehmeti, ushtrues detyre i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), duke shtuar se uljet e tilla të kamatave do të ndodhin duke marrë parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit, si dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar. Sipas tij, sektori bankar gjatë gjysmës së parë të këtij viti është karakterizuar me stabilitet të lartë, vazhdon të jetë likuid dhe profitabil. Ai ka bërë të ditur se shuma e përgjithshme e depozitave të qytetarëve në sektorin bankar ka arritur shumën prej 3.06 miliardë eurosh, mjete këto që, siç thotë ai, janë të sigurta.

 

Z. Mehmeti, si ka performuar sektori bankar gjatë gjysmës së parë të këtij viti?

 

Mehmeti: Sektori bankar gjatë pjesës së parë të vitit 2017 karakterizohet me stabilitet të lartë, vazhdon të jetë likuid e po ashtu edhe profitabil. Duke marrë në përgjithësi, sektori bankar që nga vitet e kaluara e sidomos nga viti 2014 karakterizohet me qëndrueshmëri financiare. Meqenëse të dhënat e fundit që kemi në dispozicion janë ato për muajin gusht të 2017-s po përdorim ato si referencë. Asetet e sektorit bankar në gusht 2017 shënuan rritje vjetore prej 9,2% duke arritur vlerën 3.67 miliardë euro. Trend i njëjtë është përcjellë edhe te kategoritë kryesore, kreditë dhe depozitat të cilat shënuan rritje vjetore prej 10.0% respektivisht 7,5%. Në kontekst të treguesve rregullativ, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit në gusht të 2017-s u rrit në 19,0% nga 18,1% sa ishte një vit më herët, që paraqet një nivel të lartë mbi kriterin rregullativ prej 12,0%. Situatë përafërsisht e njëjtë është edhe te treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit me kapitalin e klasës së parë, që në gusht të 2017-s shënoi nivelin prej 17,0% nga 15,9% krahasuar me nivelin rregullativ prej 8,0%.

 

Në bazë të analizave të BQK-së, a ka rënie të interesit në kredi dhe sa është rritur kreditimi gjatë kësaj periudhe kohore?

 

Mehmeti: Në fushën e normave të interesit ka zhvillime shumë pozitive që janë reflektuar me uljen e dukshme të normave të interesit. Nëse bëjmë një referencë me të kaluarën vërejmë norma dyshifrore të interesit në kredi, në raste të caktuara edhe nivele prej rreth 14%, përderisa sot flasim për norma të interesit plotësisht konvergjente me ato në vendet tjera. Duke u bazuar në të dhënat për korrikun e 2017-s, norma efektive e interesit ishte 6,39% që përfshin bizneset dhe ekonomitë familjare, përderisa normat e interesit vetëm për biznese është nën 6% (5,87%). Në raste të caktuara, për kreditë hipotekare norma e interesit varion nga 4% deri 5%. Duke marrë parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit, si dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar vlerësojmë se bankat do të vazhdojnë të reflektojnë në uljen e mëtutjeshme të normave të interesit, edhe pse siç është cekur tani normat ekzistuese janë përgjithësisht të njëjta me ato të vendeve të tjera. Ulja në normën efektive të interesit në kredi është reflektuar në të gjithë sektorët, ku me këtë rast do të veçonim sektorin e bujqësisë ku norma efektive e interesit në korrik të 2017-s ishte 7,61%, krahasuar me 12,78% në korrik të 2014-s. Pasqyrë e njëjtë është edhe te kreditë industriale, ku kemi zvogëlim në 6,41% në korrik të 2017-s nga 11,28% sa ishte norma në korrik të 2014-s.. Duke u bazuar në projeksionet financiare për vitin 2017, norma vjetore e rritjes së kredive parashikohet të jetë 13,8%, përderisa niveli ekzistues, sipas të thënave të gushtit 2017 tregon rritje vjetore prej 10,0%. Duke marrë parasysh historikisht që pjesa e dytë e vitit paraqet rritje më të fortë se pjesa e parë vlerësojmë se rritja e planifikuar e kredive në nivelin 13,8% do të jetë plotësisht e realizueshme. Sa i përket nivelit, në gusht të 2017-s ato arritën në 2.37 miliardë euro. Në kontekst të strukturës së cilësisë së kredive, kreditë standarde që përbëhen kryesisht nga kreditë e reja të lëshuara ndaj bizneseve dhe ekonomive familjare shënuan rritje vjetore prej 11,8%, apo rritje substanciale prej 41,7% në kontekstin 2014 – 2017. Pjesa kryesore e kredive të bankave është drejtuar kah bizneset me 63,4%, që është një tregues faktik lidhur me përkrahjen e ekonomisë vendore nga sektori bankar në Kosovë. Pjesëmarrja e ekonomive familjare shënon nivelin prej 36,2% (korrik 2017).

 

Si qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit sa i përket normave të interesit në kredi dhe në depozita?

 

Mehmeti: Zhvillimet e fundit e sidomos me ato të vitit 2017 normat e interesit janë plotësisht konvergjente me vendet e rajonit, si ato në kredi e po ashtu edhe në depozita. Duke marrë parasysh normat negative që aplikojnë një numër i konsiderueshëm i bankave madje edhe në Bashkimin Evropian, këto nivele e sidomos trendi i normave të interesit në depozita mund të konsiderohet si mjaft inkurajues. Duhet cekur që në raste të caktuara, varësisht nga shuma dhe nga kohëzgjatja, normat e interesit në depozita shënojnë nivelin prej 1,53%.

 

Zvogëlohen kreditë e këqija

 

Ka rritje apo rënie të kredive joperformuese nga bankat komerciale dhe si qëndron Kosova në raport me rajonin?

 

Mehmeti: Kryesisht si rezultat i përmirësimit të cilësive të kredive të reja, profilizimit të bankave dhe një mbikëqyrje më proaktive, niveli i kredive joperformuese në gusht të 2017-s u zvogëlua në 3,9%, duke shënuar zvogëlim konstant nga 5,1% sa ishin në gusht të 2016-s. Përmirësim ka edhe te treguesi i kredive problematike që paraqet në koncept më të gjerë sesa i kredive joperformuese që në gusht të 2017-s shënoi nivelin prej 5,2% nga 6,7% në gusht të 2016-s. Si rezultat i përmirësimit të cilësisë së kredive bankat kanë zvogëluar edhe rezervat për humbjet nga kreditë që nga ndikuar në performancën financiare të tyre. Si rrjedhojë e zvogëlimit të nivelit të kredive joperformuese kemi edhe rritjen e treguesit të rezervave për humbjet nga kreditë ndaj kredive joperformuese duke shënuar nivelin prej 136,2% krahasuar me 121,2%.

 

Në Kosovë aktualisht operojnë 10 banka komerciale. A ka synime BQK-ja që ta rrisë konkurrencën edhe më tej?

 

Mehmeti: Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, nuk ka kufizime në numrin e bankave që mund të operojnë në Kosovë. BQK-ja si rregullator dhe mbikëqyrës i sektorit financiar, përkrah çdo iniciativë lidhur me licencimin e bankave të reja në Kosovë, që do të ndikonte në rritjen e konkurrencës në sektorin bankar. Për më shumë, lëvizja e lirë e kapitalit është një ndër fushat e raportimit në kuadër të procesit të Integrimeve Evropian. Me këtë, BQK-ja zotohet për përkujdesjen e parimeve të tregut të lirë ku çdo aplikacion qoftë për bankë apo institucion tjetër financiar do të trajtohet seriozisht dhe nëse plotëson kriteret do t’i jepet licenca për operim.

 

3270 të punësuar në sektorin bankar

 

Sa kontribuon sektori bankar në punësimin në vend, përkatësisht a ka rritje apo rënie të vendeve të punës për shkak të automatizimit të shërbimeve bankare?

 

Mehmeti: Duke u bazuar në të dhënat e korrikut 2017, numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin bankar është 3270 punonjës. Marrë në kronologji, numri mbi 3000 punonjës në banka daton që nga viti 2008. Përveç kontributit me të punësuar, sektori bankar kontribuon edhe përmes ndërmjetësimit financiar, ku treguesi i kredive në raport me produktin e brendshëm bruto varion nga 35% deri 40%. Kjo paraqet një indikator që ndër shtyllat e financimit të ekonomisë pa dyshim që bëjnë pjesë bankat.

 

Në cilat shërbime ka ende hapësirë që të automatizohen duke ndjekur kështu trendet globale bankare?

 

Mehmeti: Sikurse edhe në vendet tjera, edhe në Kosovë dhjetë vjetët e para të sektorit bankar janë karakterizuar me zgjerim si në degë e po ashtu edhe në produkte. Fakti që shumica e bankave në Kosovë janë banka me kapital të jashtëm, kjo ka edhe efektin e vet në avancimeve teknologjike. Sot bankat në Kosovë kanë zhvilluar infrastrukturën teknologjike të tillë që ua mundëson klientëve kryerjen e punëve bankare pa qenë nevoja e prezencës fizike në sportelet bankare. Është zhvilluar në masë të konsiderueshme e-bankingu si vegël shumë e dobishme në këtë drejtim, ku inkurajohen klientët që të përdorin e-bankingun për kryerjen e shërbimeve bankare. Kjo përkthehet edhe përmes kostove më të lira që aplikojnë bankat për përdorimin e e-bankingut. Pra, bankat në Kosovë janë vetëm përcjellëse të trendëve globale në automatizimin teknologjik. Duhet cekur që kjo dukuri nuk është evidente në të gjithë sektorin, por ka raste të limituara. Avancimet teknologjike nuk janë koncepte vetëm në sektorin bankar, nga informatat që shohim nëpër medie, ky faktor përcjell edhe sektorët e tjerë.

 

S’ka rrezik për falimentimin e bankave

 

A ka rrezik për falimentimin e ndonjë banke komerciale, njëjtë siç kishte ndodhur vite më parë?

 

Mehmeti: Siç është cekur më lart, sektori bankar në Kosovë shënon ditët më të mira të operimit deri më tani. Në çdo aspekt financiar tregon qëndrueshmëri dhe stabilitet të lartë. Sipas Manualit të Mbikëqyrjes së Bazuar në Rrezik për Banka që është publikuar në vitin 2015, bankat rangohen nga 1 (banka më e mirë) e deri tek 5. Momentalisht, nuk ka as për së afërmi ndonjë rrezik për falimentim të ndonjë banke. Për më shumë, bankat janë të ranguara me notë 2 ose 3, pra, nuk kemi asnjë bankë të ranguar as me notë 4. Një ndër faktorët në këtë drejtim është proaktiviteti në qasjen mbikëqyrëse të bankave, ku jemi në kontakt ku edhe informohemi me kohë për çdo zhvillim potencial si pozitiv e po ashtu edhe tjetër.

 

Si e vlerësoni performancën e këtij sektori dhe krahasimet me vitet paraprake?

 

Mehmeti: Performanca e sektorit bankar në Kosovë është ajo çfarë kërkon rregullatori, ku bankat tejkalojnë çdo kriter rregullativ numerik, ku kemi rritje të qëndrueshme si në depozita, si në kredi, asete e po ashtu edhe në kategoritë e tjera si dhe ku qeverisja koorporative e bankave është në nivel të duhur. Marrë në një periudhë në të gjatë kohore, bankat karakterizohen me stabilitet sidomos nga viti 2014, ku që nga atëherë bankat kanë pozitë solide financiare dhe rritje stabile. Besojmë që të vazhdojnë trendet ekzistuese të uljes së kostove për kredi e po ashtu edhe reflektimit nga bankat lidhur me kostot jokamatore.

 

BQK-ja, e shqetësuar me vjedhjet e bankave

 

Së fundmi disa raste janë raportuar për vjedhje të bankave. Sa raste të vjedhjeve ka ndodhur gjatë dy vjetëve të fundit, çfarë shume e mjeteve është vjedhur dhe sa raste të tilla janë zbuluar nga organet e rendit?

 

Mehmeti: Është e vërtetë që kemi rritje të këtyre rasteve të vjedhjeve kohëve të fundit. Që të adresohet kjo kërkohet një qasje shumëdimensionale në mes të bankave – Policisë së Kosovës dhe BQK-së si rregullator. Në kuadër të kompetencave përkatëse, çdoherë kemi qenë proaktivë në këtë drejtim, ku së fundmi janë kontaktuar edhe organet e rendit dhe kemi mbajtur takim që të adresojnë këtë tematike shqetësuese. Sa i përket përgjegjësisë së bankave, ato duhet të zhvillojnë politika dhe procedura që të parandalojmë këtë dukuri, por që edhe përkrahja më e madhe nga Policia e Kosovës është më se e domosdoshme. Si rregullator, më shumë kemi shqetësimin për dukurinë e vjedhjes në krahasim me çështjet tjera pasi që bankat janë institucionet që mbajnë depozitat e qytetarëve. Pavarësisht këtyre rasteve, garantojmë qytetarët se kjo nuk rrezikon në asnjë mënyrë stabilitetin qoftë të bankës apo të sektorit në përgjithësi, pasi që sigurimi i parasë së gatshme është një koncept që kanë aplikuar bankat tashmë.

 

A janë të sigurta depozitat e qytetarëve nëpër banka, duke marrë parasysh rastet e tilla të vjedhjeve?

 

Mehmeti: Depozitat e qytetarëve janë të sigurta pa marrë parasysh rastet e vjedhjeve apo rastet e tjera. Për më shumë, në çdo skenar, si të vjedhjes apo të humbjes, bankat përballon të gjithë koston nga kapitali i saj, pra, në asnjë mënyrë nuk preken depozitat e klientëve. BQK-ja si rregullator një ndër detyrat në kuadër të mandatit të saj ka mbrojtjen e depozitarëve, pasi që nuk mund të pretendohet për sektor stabil pa një përkujdesje adekuate ndaj klientëve. Me këtë rast, është formuar edhe një njësi në BQK që merret me ankesat e shfrytëzuesve të shërbimeve bankare, ku çdo kërkesë adresohet në përpikëri dhe nëse vërtetohet që banka nuk ka vepruar konform kushteve të kontratës BQK-ja luan rolin e vet në këtë drejtim. Që të përmbyllim përgjigjen në këtë pyetje, qytetarët duhet të ndihen të sigurt në mjetet e veta të depozituara në bankë.

 

Sa është shuma e përgjithshme e kredive dhe e depozitave në sektorin bankar dhe sa janë rritur në periudhën e fundit?

 

Mehmeti: Siç është cekur më lart, si kreditë e po ashtu edhe depozitat kanë shënuar rritje stabile përgjatë tri-katër vjetëve të fundit. Duke marrë parasysh strukturën e bilancit të gjendjes që dominohet nga depozitat dhe kreditë, duhet cekur që rritja e besimit qytetar në sistemin bankar në Kosovë përkthyer në aspekt kuantitativ bie që përgjatë periudhës 2014 – 2017 depozitat shënuan rritje për 21,6%, apo rritje mesatare vjetore prej 6,7% duke u rritur në nivelin prej 3.06 miliardë euro. Sa i përket strukturës, depozitat pa afat përbëjnë 58,8% të depozitave, përderisa depozitat e afatizuara dhe të kursimit përbëjnë 24,7% respektivisht 16,5% të gjithsej depozitave. Duhet cekur që zhvillimet në tregjet ndërkombëtare lidhur me normat e interesit janë reflektuar edhe te struktura e depozitave në Kosovë, por ajo që duhet njohur te bankat në Kosovë është se pavarësisht normave negative që aplikojnë bankat në vendet tjera, kjo asnjëherë nuk ka qenë rast te bankat në Kosovë. Në korrik të 2017-s depozitat e ekonomive familjare përbëjnë 71,4% të gjithsej depozitave, duke u pasuar nga bizneset me 17,4%, e kështu me radhë. Sa i përket kredive, në gusht të 2017-s ato arritën në 2.37 miliardë euro, duke shënuar rritjen më të fuqishme në krahasim me depozitat dhe asetet, rritje trevjeçare prej 29,5%, apo rritje mesatare vjetore prej 9,0%. Me këtë rast duhet cekur që kemi përshpejtim të rritjes vjetore të kredive ku në vitin 2015 rritja ishte 7,6%, 9,5% në vitin 2016, për të arritur nivelin prej 10,0% në gusht të 2017-s.

 

Sa është numri i përgjithshëm i kredit kartelave dhe debit kartelave bankare, bankomatëve ATM dhe si qëndrojmë në raport me rajonin?

 

Mehmeti: Sipas të dhënave të vitit 2016 të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, numri i përgjithshëm i kartelave në Republikën e Kosovës është 984,914 kartela. Kartelat më të përdorura nga ana e qytetarëve të Kosovës janë debit-kartelat, të cilat janë të lidhura me llogarinë rrjedhëse dhe i mundësojnë poseduesve të tyre kryerjen e transaksioneve deri në vlerën e fondeve në dispozicion, si dhe kredit kartelat të cilat lejojnë kryerjen e transaksioneve sipas limitit kreditor të paracaktuar nga banka lëshuese e kartelës. Kartelat e brendeve “Visa” dhe “Mastercard” përbëjnë pjesën më të madhe të kartelave në Kosovë, ndërsa kartelat lokale përbëjnë numër të vogël krahasuar me dy të parat.

Numri i pagesave me debit kartela në terminale gjatë vitit 2016 ishte në total prej 16,341,960 pagesa, ndërsa vlera e pagesave me debit kartela në terminale gjatë vitit 2016 ishte rreth 2.3 miliardë euro. Gjithashtu, numri i pagesave me kredit kartela në terminale gjatë vitit 2016 ishte në total prej 842,285 pagesa, derisa vlera e pagesave me kredit kartela në terminale gjatë vitit 2016 ishte rreth 57 milionë euro.

Lidhur me numrin e ATM-ve, në krahasim me disa nga vendet e rajonit, në vitin 2015 në Republikën e Kosovës ishin të vendosura gjithsej 540 ATM apo 302 ATM për 1 milion banorë dhe 5 ATM për 100 kilometra katrorë; derisa në vendet e regjionit Shqipëria kishte gjithsej 826 ATM apo 286 ATM për 1 milion banorë dhe me 3 ATM për 100 kilometra katrorë; Mali i Zi kishte gjithsej 374 ATM apo 603 ATM për 1 milion banorë dhe me 3 ATM për 100 kilometra katrorë; Maqedonia kishte gjithsej 1,049 ATM apo 504 ATM për 1 milion banorë dhe 4 ATM për 100 kilometra katrorë; Kroacia kishte gjithsej 4,148 ATM apo 1,047 ATM për 1 milion banorë dhe 8 ATM për 100 kilometra katrorë; ndërsa Serbia kishte gjithsej 2,705 ATM apo 382 ATM për 1 milion banorë dhe me 3 ATM për 100 kilometra katrorë.

Ndërsa, sa i përket POS-ve, në krahasim me vendet e rajonit, në vitin 2015 në Republikën e Kosovës ishin të vendosura gjithsej 9,705 POS apo 5,422 POS për 1 milion banorë dhe 89 POS për 100 kilometra katrorë; derisa në vendet e regjionit Shqipëria kishte gjithsej 6,689 POS apo 2,315 POS për 1 milion banorë dhe 23 POS për 100 kilometra katrorë; Mali i Zi kishte gjithsej 11,394 POS apo 18,377 POS për 1 milion banorë dhe me 82 POS për 100 kilometra katrorë; Maqedonia kishte gjithsej 40,501 POS apo 19,472 POS për 1 milion banorë dhe 158 POS për 100 kilometra katrorë; Kroacia kishte gjithsej 103,434 POS apo 24,510 POS për 1 milion banorë dhe 183 POS për 100 kilometra katrorë; ndërsa Serbia kishte gjithsej 65,428 POS apo 9,228 POS për 1 milion banorë dhe me 84 POS për 100 kilometra katrorë.