Komunat ruajnë milionat për fushatë

Ekonomia October 06, 2017 - 07:59

Projektet milionëshe kapitale shumica e komunave të Kosovës i kanë ruajtur për t’i realizuar në prag të fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit. Kjo për faktin se në gjashtë muajt e parë të vitit ato kanë shpenzuar një pjesë shumë të vogël të buxhetit. Për investime kapitale në gjysmën e parë të vitit Dragashi nuk ka shpenzuar asnjë cent, derisa Prishtina ka shpenzuar vetëm 17 për qind të buxhetit të planifikuar, shkruan sot, gazeta Zeri.

Komunat e ndryshme të Kosovës i kanë ruajtur projektet milionëshe kapitale në prag të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke synuar që në këtë mënyrë t’i “blejnë” votat e qytetarëve.

Madje është interesant fakti se disa prej komunave të vendit deri në 6-mujorin e parë të këtij viti kanë raportuar zero shpenzime për investime kapitale.

Gazeta “Zëri” ka analizuar shpenzimet kapitale të nivelit lokal deri në fund të qershorit 2017, ku sipas raportimeve të tyre në Ministrinë e Financave Komuna e Dragashit kishte raportuar zero shpenzime kapitale, Juniku kishte shpenzuar vetëm 11 për qind të buxhetit për këtë kategori të shpenzimeve, Drenasi 16 për qind, ndërsa komuna më e madhe në vend, Prishtina, deri më 30 qershor ka raportuar vetëm 17 për qind të buxhetit të shpenzuar për investime kapitale.

Kampione në realizimin e shpenzimeve kapitale gjatë kësaj periudhe del të jetë Komuna e Skenderajt me 66 për qind të mjeteve të planifikuara dhe Prizreni me 51 për qind, etj.

Përfaqësues të opozitës në këto komuna thonë se realizimi i projekteve është zvarritur për shkak të zgjedhjeve. Por, drejtues të komunave po e mohojnë një gjë të tillë.

Fatmir Halili, kandidat për kryetar të komunës nga Nisma, thotë se projektet e parapara janë shtyrë për t’u realizuar qëllimisht në prag të fushatës parazgjedhore vetëm e vetëm për të përfituar vota. “Aktualisht në disa fshatra të komunës sonë janë duke u shtruar disa rrugë me kubëza, këto projekte është dashur të realizohen shumë kohë më parë”, ka thënë Halili.

Por në anën tjetër kryetari i kësaj komune, Salim Jenuzi, mohon një gjë të tillë. Sipas tij, projektet kanë filluar më vonesë e ku nuk mund të paguhen ato pa u përfunduar dhe më pas pa u pranuar teknikisht. “Pa u kryer projektet është normale që nuk paguhen. Disa projekte janë realizuar e disa janë duke u realizuar”, ka thënë Jenuzi për gazetën “Zëri”.

Situate pak a shumë e njëjtë është edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku buxheti për investime kapitale për gjashtëmujorin e parë të këtij viti është shpenzuar në masën prej 6 për qind. Kryetari i kësaj Komune, Rufki Suma, thotë se është në dijeni se buxheti për këtë qëllim është shpenzuar shumë pak, por edhe ky mohon se realizimi i projekteve është shtyrë për shkak të zgjedhjeve. “Jo. Nuk janë shtyrë projektet për shkak të zgjedhjeve. Ashtu kanë qenë të parapara. Ne aktualisht disa projekte i kemi në proces”, ka thënë Suma për gazetën “Zëri”.

 Komuna e Prishtinës shpenzoi 17% të buxhetit

Buxhetin për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk ka arritur ta shpenzojë as Komuna e Prishtinës, e ku në bazë të raportit gjashtëmujor të Ministrisë së Financave shihet se buxheti i tyre për investime kapitale për gjashtë muaj është shpenzuar  vetëm 17 për qind. Nga 31 milionë euro sa i ka të ndara për këtë qëllim, deri në fund të muajit qershor janë shpenzuar vetëm 5.4 milionë euro.

E më së shumti mjete për investime kapitale gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka arritur t’i shpenzojë Komuna e Skenderajt, e cila, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për 6 muaj ka shpenzuar 66 për qind të buxhetit të destinuar për investime kapitale, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar 51 për qind të buxhetit për 6 muaj, derisa Komuna e Rahovecit ka arritur t’i shpenzojë 49 për qind të buxhetit të destinuar për investime kapitale.

Por, në anën tjetër, njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se institucionet lokale kanë ruajtur realizimin e projekteve të ndryshme në prag të zgjedhjeve për të përfituar sa më shumë vota.

Berat Rukiqi, ligjërues në Fakultetin Ekonomik dhe njëherësh njohës i mirë i rrethanave ekonomike në vend, thotë se kjo është një anomali që po ndodh me vite.

Sipas tij, nevojat e qytetarëve janë në rritje, ndërsa komunat nuk mërziten për t’i adresuar këto nevoja “Punët gjatë fushatës janë vetëm kozmetike dhe me shumë pak efekte në jetën e qytetarit. Niveli qendror duhet të jetë më i kujdesshëm në alokimin e mjeteve buxhetore në komuna, duke vendosur një standard që ndëshkon ketë mosefikasitet”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, marrja e votave me një copë asfalti apo me disa intervenime të momentit të fundit nuk është e qëndrueshme dhe shërben vetëm për një elektorat klientelist. “Mungesa e shkollave, çerdheve dhe shërbimeve bazike komunale është treguesi më i mirë që në shumicën e komunave nuk ka menaxhim të mirë dhe efikas të parasë publike”, ka thënë më tutje Rukiqi.

Realizimi i buxhetit për investime kapitale

 

Janar - qershor 2016

 

Dragash,                       0%

Partesh,                        0 %

Zubin Potok,                5 %

Han i Elezit,                  6 %

Ranillugë,                      6 %

Kllokot ,                       7 %

Obiliq,                          8%

Mitrovicë Veriore,        8%                              

Podujevë,                     11%

Junik,                           11%

Fushë Kosovë,             13%

Zveçan,                        14%

Vushtrri,                       15%

Viti,                              15%

Drenas,                        16%

Prishtinë,                      17%

Kaçanik,                      17%

Istog,                            19%

Suharekë,                     20%

Shtërpcë,                      21%

Lipjan,              22%

Mamushë,                    24%

Klinë,                           24%

Graçanicë,                    26%

Kamenicë,                    27%

Pejë,                            28%

Gjilan,                          31%

Ferizaj,                         32%

Gjakovë,                      33%

Novobërdë,                  34%

Shtime,             37%

Leposaviq,                   40%

Mitrovicë,                     42%

Malishevë,                    43%

Deçan,                         44%

Rahovec,                      49%

Prizren,             51%

Skenderaj,                    66%