3 milionë euro për rrugën e Suhadollit

Ekonomia October 04, 2017 - 19:09

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka ndarë 3 milionë euro për rrugën dhe kanalizimin në Suhadoll, ndonëse ky fshat ndodhet në pjesën veriore të Mitrovicës dhe zyrtarët komunalë të asaj pjese e konsiderojnë fshat të tyre, shkruan "Zeri.info".

Mitrovicë. Me vendimin e KQZ që banorët e Suhadollit, një fshatë në veri të Mitrovicës të jenë pjesë e listave zgjedhore me jugun e Mitrovicës, komuna jugore ka nisur të investojë në atë pjesë. Suhadolli në veri të Mitrovicës, të cilën zyrtarët komunal të jugut e quajnë paralagje të Mitrovicës së jugut, brenda pak ditësh do të ketë të rregulluar e të kompletuar tërë infrastrukturën dhe problemin e ujit për pije.

Në Suhadoll, të mërkurën, ka filluar rregullimi i rrugës  dhe kanalizimit, projekte këto që priten të përfundojnë brenda pak ditësh. Kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, pasi që i përgëzoi përfaqësuesit e lagjes për përfundimin me sukses të projektit për furnizim me ujë për pije të të gjitha shtëpive, i cili  do të përurohet shumë shpejt, tha  se punët për rregullimin e rrugës me dy shtresa asfalti dhe të kanalizimit, tashmë kanë filluar dhe se pritet të përfundojnë për pak ditë, shkruan "Zeri.info".

“Ju të nderuar qytetarë brenda një kohe shumë të shkurtër do të keni të rregulluar ashtu si duhet rrugën dhe kanalizimin, për të cilat keni pritur një kohë të gjatë dhe keni pas telashe, sidomos me kanalizim. Kur kësaj t’i shtojmë edhe përfundimin e projektit të ujësjellësit që tashmë ka përfunduar, atëherë mund të themi se cilësia e jetës tuaj këtu do të ndryshoj shumë për të mirë. Do të bëjmë çmos që në të ardhmen në mjedisin tuaj të realizojmë edhe projekte të tjera me rëndësi e sidomos ato që sjellin të ardhura dhe punësim”, tha kryetari Bahtiri.

Projekti i ujësjellësit, i cili tashmë ka përfunduar, ka kushtuar rreth 50.000 euro dhe është bashkëfinancim i Komunës dhe LUX-DEV-it. Ndërkaq, për rregullimin e rrugës me asfalt dhe të kanalizimit në një gjatësi prej tri kilometra, komuna ka ndarë nga buxheti i vet rreth 3000.000 euro.

Ndryshe, banorët e Suhadollit që ndodhet në pjesën veriore, në zgjedhjet e sivjetme për pushtetin lokal do të jenë në listën e votuesve të komunës jugore të Mitrovicës. Rreth 200 votues, të cilët në zgjedhjet e kaluara kanë votuar në veri të Mitrovicës, tani votën e tyre do ta hedhin në jug. Këtë situatë, zyrtarët komunalë të Mitrovicës së jugut e vlerësojnë si një nga elementet kryesorë për të dëshmuar se Suhadolli i takon Mitrovicës së jugut, e kurrsesi Mitrovicës së veriut.

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ka thënë se Suhadolli është plotësisht pjesë e Mitrovicës së veriut, por edhe disa fshatra të tjera dhe gjithë rrjedha e lumit Ibër. Rakiq ka thënë se nuk do të pranojë kurrë që me rastin e definimit të kufirit në mes të Mitrovicës së jugut dhe asaj të veriut, Suhadolli dhe disa fshatra të tjera të mbesin në jug.

Në anën tjetër, banorët serbë të Suhadollit vazhdojnë të thonë se janë pjesë e Mitrovicës së veriut dhe se ata para një kohe kanë larguar tabelat nëpër rrugët e lagjes me emrat shqiptarë./Zeri/.