Kompanitë serbe të transportit nuk mund të qarkullojnë pa licencë

Ekonomia September 09, 2017 - 08:48

Kompanitë e transportit të udhëtarëve të veriut të Kosovës nuk do të mundë të hyjnë dhe të dalin nga Kosova pa licencën e lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës, respektivisht nga Divizioni i Transportit dhe Telekomunikacionit i Republikës së Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kompanitë e transportit të udhëtarëve të veriut të Kosovës nuk do të mundë të hyjnë dhe të dalin nga Kosova pa licencën e lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës, respektivisht nga Divizioni i Transportit dhe Telekomunikacionit  i Republikës së Kosovës.

Përveç licencës, këto kompani që të shumtën qarkullojnë nga Kosova për në Beograd, por edhe për në Podgoricë, duhet të pajisen edhe me orarin e qarkullimi, të vërtetuar nga Prishtina.

Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës përcjellin një njoftim të Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës, e cila u shpërndahet të gjitha kompanive të transportit të udhëtarëve në veri të vendit, me të cilin ata njoftohen se nuk do të mundë të qarkullojnë rrugëve të Kosovës dhe nuk mund ta kalojnë kufirin në Jarinjë dhe në Bërnjak pa licencë të autoriteteve kosovare.

Sipas këtij njoftimi, asnjë kompani që merret me transportin e udhëtarëve në veri të Kosovës, të cilat aktualisht nuk janë të licencuara nga Ministria e Infrastrukturës e Republikës së Kosovës, respektivisht ato kompani që nuk kanë lejen komplete, që nënkupton edhe licencën për transport, si dhe orarin e qarkullimit të Prishtinës, nuk do të mundë të qarkullojnë në rrugët e Kosovës e as ta kalojnë kufirin në Jarinjë dhe Bërnjakë nga e hëna.

Mediet lokale serbe citojnë pronarin e një kompanie të transportit të udhëtarëve, i cili ka thënë se të gjithë autotransportuesve të udhëtarëve në veri të vendit u kanë ardhur vërejtjet, me të cilat u tërhiqet vërejtja se prej të hënës nuk mund të kalojnë pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë pa licencë nga Prishtina.

Goran Antiq, pronar i kompanisë së transportit të udhëtarëve në veri “Xho Travel”, u ka thënë medieve se as kompania e tij, si dhe kompanitë tjera të transportit të udhëtarëve në veri nuk kanë një licencë të tillë që kërkohet. 

Sipas tij, vetëm kompania “Kollashin Prevoz” ka licencë kosovare, por nuk ka orarin e qarkullimit të vërtetuar në Prishtinë.

“Procesi i regjistrimit të kompanisë është tepër i mundimshëm, kërkohen shumë dokumente dhe përveç licencës për transport të udhëtarëve kërkohet edhe orari lejuar i qarkullimit nga ana e Prishtinës. Linjat tona për në Beograd fare nuk ekzistojnë në sistemin kosovar të qarkullimit dhe për këtë arsye gjendja bëhet edhe më e vështirë”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se kompanitë serbe të transportit të udhëtarëve të veriut të Kosovës do të protestojnë dhe në këtë mënyrë do të përpiqen të punojnë edhe më tutje sikurse tani.

Qarkullimi i autobusëve nga Kosova për në Beograd, sipas medieve në veri, në vitet e fundit është shumë i ngjeshur. “Rreth 17 linja të shumë kompanive të transportit të udhëtarëve qarkullojnë në ditë në këtë relacion”, kanë thënë ato. 

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e nënshkruar nga Kosova dhe Bashkimi Evropian, e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016, me gjithë efektet pozitive nuk ka ndikuar shumë në shtimin e eksportit të mallrave.

Autoritetet e Kosovës, sipas përfaqësuesve të bizneseve, nuk janë treguar të vëmendshme në zbatimin sa më të mirë të kësaj marrëveshjeje dhe mundësive që ajo ia ofron shtetit të Kosovës.