Prokuroria hesht karshi skandalit 15-milionësh (DOKUMENT)

Ekonomia August 21, 2017 - 08:19

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 qershor të vitit që lamë pas ka qenë e njoftuar zyrtarisht për rritjen e madhe të ndërtimeve të jashtëligjshme në fshatin Shipitullë të komunës së Obiliqit, e ku për një viti kostoja e shpronësimit është ngritur nga 5.5 në 15.5 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Janë bërë më shumë se 13 muaj prej kur Zyra Ligjore e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kishte kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që ta hetojë procesin e ndërtimin të shtëpive ilegale në fshatin Shipitullë të komunës së Obiliqit, pasi që territori i fshatit në fjalë me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte shpallur zonë me interes nacional, ku dhe ndalohej ndërtimi dhe mbindërtimi në atë zonë.

Por, pavarësisht kësaj, banorë nga ky fshat, por edhe nga pjesë tjera të Kosovës, me qëllime përfitimi kanë ndërtuar objekte të shumta, e ku brenda periudhës njëvjeçare kostoja e shpronësimit është rritur nga 5.5 në 15.5 sa llogaritet të jetë tash.

Në shkresën e siguruar nga gazeta “Zëri”, të cilën Zyra Ligjore e KEK-ut e ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, thuhet se me projekt-elaboratin e divizionit të prodhimit të qymyrit në vitin 2014 për shpronësimin e 52 hektarëve nga kjo zonë, konkretisht rreth fshatit Shipitullë, janë evidentuar vetëm 29 shtëpi, ndërsa pas kësaj periudhe numri i shtëpive dhe objekteve ka kaluar shifrën prej 200, ku të gjitha janë ndërtuar me të vetmin qëllim - përfitimin material.

Sipas Zyrës Ligjore të KEK-ut, këto objekte janë ndërtuar pa asnjë kriter, pa plan, pa ujë, pa kanalizim, pa rrjet të rrymës, janë ndërtuar të mëdha dhe të larta me qëllim të krijimit sa më shumë metra katrorë, që me rastin e regjistrimit dhe shpronësimit të përfitojnë materialisht në dëm të KEK-ut e në fund në dëm të parasë publike.

Rreth gjashtë muaj më vonë, përmes një shkrese të cilën e posedon gazeta “Zëri”, shihet se prokurori Besim Kelmendi kishte njoftuar Zyrën Ligjore të KEK-ut që por çdo informatë rreth rastit në fjalë duhet t’i drejtohen kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Bekës, por ndonëse kanë kaluar më shumë se 8 muaj deri më tash nuk kemi asnjë veprim konkret të Prokurorisë për ndalimin e objekteve ilegale në këtë fshat e ku nga shpronësimi i tyre do të dëmtohet rëndë buxheti i shtetit.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje Prokurorisë, por as pas një jave pritje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Po ashtu për këtë çështje nuk kanë dashur të flasin as edhe zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ndërtime pa leje, për përfitime personale

Në një shkresë që Zyra Ligjore e KEK-ut ia ka drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 16 qershor të vitit që lamë pas, e të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, thuhet se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dëshiron t’ju njoftojë për ndërtimet pa leje kryekëput për përfitime personale apo grupore të individëve të papërgjegjshëm rreth mihjes sipërfaqësore të Korporatës. Sipas shkesës, personat në fjalë, duke tentuar pasurimin e padrejtë personal, po dëmtojnë rëndë buxhetin e ndërmarrjes publike KEK, si dhe buxhetin e Qeverisë së Kosovës, pasi që kjo e fundit është pronare e plotë e KEK-ut.

“Përveç kësaj KEK-u dëshiron t’ju njoftojë edhe për mosveprimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), respektivisht Inspektoratit nga kjo ministri dhe Komunës së Obiliqit, respektivisht Inspektoratit Komunal për moszbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljes e zonës së interesit me rendësi të veçantë të fshatrave nga komuna e Obiliqit rreth mihjes sipërfaqësore, vendimi numër 9/119, i datës 3 nëntor 2004 dhe vendimi numër 02/57, i datës 13.03.2009 dhe papërgjegjësive që janë bazuar në Ligjin për Ndërtim që ka qenë në fuqi”, thuhet në shkesën që Zyra Ligjore e KEK-ut ia ka drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinës. Aty më tutje thuhet se sipas vendimeve në fjalë këto dy institucione janë të obliguara që të kujdesen për zbatimin e tyre dhe duke mos vepruar lidhur me zbatimin e vendimeve prej periudhës së shpalljes së zonës së interesit me rëndësi të veçantë e deri tash janë përhapur në masë të madhe ndërtimet pa leje për qëllime komerciale për të përfituar materialisht në dëm të KEK-ut.

Në vitin 2014 në Shipitullë, vetëm 29 shtëpi

Më tutje në shkresën e siguruar nga gazeta “Zëri”, të cilën Zyra Ligjore e KEK-ut e ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, thuhet se për dijeni të Prokurorisë me projekt elaboratin e divizionit të prodhimit të qymyrit në vitin 2014 për shpronësimin e 52 hektarëve nga kjo zonë, konkretisht rreth fshatit Shipitullë, janë evidentuar vetëm 29 shtëpi, ndërsa pas kësaj periudhe numri i shtëpive dhe objekteve ka kaluar shifrën prej 200, ku të gjitha janë ndërtuar me të vetmin qëllim përfitimin material.

Sipas Zyrës Ligjore të KEK-ut, këto objekte janë ndërtuar pa asnjë kriter, pa plan, pa ujë, pa kanalizim, pa rrjet të rrymës, janë ndërtuar të mëdha dhe të larta më qëllim të krijimit sa më shumë metra katrorë, që më rastin e regjistrimit dhe shpronësimit të përfitojnë materialisht në dëm të KEK-ut, e në fund në dëm të parasë publike.

“Problematika e ndërtimeve me qëllim të përfitimit në zonën e interesit rreth mihjes sipërfaqësore është interes nacional dhe meriton vëmendjen dhe ndërhyrjen tuaj si institucion, pasi që dëmi që po i shkaktohet KEK-ut për shkak të këtyre ndërtimeve është i pariparueshëm dhe tepër i kushtueshëm, ndërsa përfituesit e vetëm të kundërligjshëm janë pronarë të ndërtesave që po thuajse pak nga ta janë banorë të komunitetit në fjalë, por janë nga rajone tjera të vendit që në marrëveshje me pronarët e pronave kryejnë ndërtime të tilla me qëllime përfitimi personal. Ndërtimi i këtyre objekteve të shumta nuk ka karakter banimi apo për qëllim të zgjerimit të familjes. Ky fenomen është shndërruar në biznes për ndërtuesit e kundërligjshëm dhe krejt kjo ka pasoja me rastin e regjistrimit dhe vlerësimit, pasi që rrit shumëfish koston e zhvendosjes për KEK-un”, thuhet më tutje në shkresën e drejtuar Prokurorisë.

Më tutje në fund të shkresës thuhet se njoftimi i KEK-ut, pos karakterit të ndërmarrjes së masave ligjore ndaj përgjegjëseve për ndalimin dhe rrënimin e objekteve pa leje, ka karakterin e preventivës të ndërtimeve të reja në këtë zonë të planifikuar për eksproprijim sipas elaboratit të divizionit të prodhimit të qymyrit të vitit 2016, ku parashihet eksproprimi i mbi 120 hektarëve në zonën e fshatit Hade.

“Për vëmendjen tuaj ju njoftojmë se menjëherë pas shpalljes së elaboratit në fjalë kanë filluar më të mëdha ndërtimet e objekteve. Si provë lidhur me informatat KEK-u ua bashkëngjit vendimet e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e zonës me interes të veçantë me obligimin e institucioneve gjegjëse për zbatimin e këtyre vendimeve, ndërsa provat tjera me dëshmi dhe fotografi dhe elaboratet e zhvendosjes janë në dispozicionin tuaj sapo të fillojë ndonjë hetim nga Policia e Kosovës sipas kërkesës tuaj”, thuhet në fund të shkresës që Zyra Ligjore e KEK-ut ia ka dërguar Prokurorisë, më 16 qershor të vitit që lamë pas.

Njoftimi i Prokurorisë për KEK-un

Në njoftimin që Prokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ia ka dërguar Zyrës Ligjore të Korporatës Energjetike të Kosovës thuhet se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit më datën 16.6.2016 ka pranuar një e-mail, kopje të informatës që i është dërguar Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me ndërtimet pa leje për përfitime personale nga zyrtarë që kemi për qëllim dëmtimin e KEK-ut dhe buxhetit të Kosovës.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar nga ju edhe një informatë më datën 20.01.2017. Duke marrë për bazë informatat e sipërpërmendura, ju njoftojmë se të dyja informatat së bashku me shkresat i kemi dërguar në kompetencë të mëtejme në Prokurorinë Themelore të Prishtinës si Prokurori kompetente dhe kemi kërkuar që pa vonesë ta fillojë verifikimin dhe shqyrtimin e këtyre informatave dhe që të na mbajë të informuar lidhur me veprimet e ndërmarra, andaj për çdo informatë mund t’i drejtoheni Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kryeprokurorit të kësaj prokurorie, z. Imer Beka”, thuhet në njoftimin e prokurorit Kelmendi dërguar Zyrës Ligjore të KEK-ut, më 20 janar të këtij viti.

 

Image

Image

Image

Image

Image

Image