KEDS-i për tre vjet 87 milionë euro fitim

Ekonomia August 08, 2017 - 07:53

Vetëm gjatë vitit 2014 kompania KEDS ka siguruar profit të pastër prej rreth 30 milionë eurosh, derisa një vit më parë kompania turke “Calik-Limak” kishte privatizuar distribucionin e energjisë elektrike për 26.3 milionë euro.

Shitja e distribucionit të energjisë elektrike me një cmim të tillë vite më pare ishte përcjellë me akuza të shumta, pasi vlerësohet se vlera e aseteve të kompanisë publike ishte shumëfish më e lartë dhe njëkohësisht kompania turke kishte investuar në një biznes të sigurt dhe me të  drejtë ekskluzive të shitjes me pakicë të energjisë elektrike të konsumatorët.

Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë dokumentacionin e fitimeve marramaendëse që I kanë siguruar kompanitë KEDS dhe KESCO, kjo e fundit është themeluar në vitin 2015 dhe merret me furnizim me energji elektrike.

Sipas këtij dokumentacioni të “Zërit”, në vitin 2015 këto kompani kanë fituar 31 milionë euro, pavarësisht investimeve të bëra, ndërsa në vitin 2016 fitimet e këtyre dy kompanive kanë arritur në rreth 25 milionë euro.

Fitimet astronomike këto po i sigurojnë nga biznesi në Kosovë derisa qytetarët dhe bizneset prodhuese vazhdojnë të ankohen për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe njëkohësisht për mungesën e saj. Sipas disa raporteve, faturat e energjisë elektrike gjatë viteve të fundit janë shtrenjtuar për më shumë se 30 për qind.  

 KEDS-i nuk jep të dhëna rreth profitit

Gazeta “Zëri” përmes postës elektronike ka kërkuar nga KEDS-i më shumë të dhëna rreth profitit që kanë siguruar gjatë tre vjetëve në vijim, por këta të fundit nuk kanë pranuar të japin përgjigje.

“Të hyrat e KEDS-it janë publike. Por, ne dëshirojmë të theksojmë sidoqoftë, se deri më tash nuk u është shpërndarë ndonjë dividend aksionarëve. Thënë shkurt, investitorët nuk kanë marrë ndonjë profit prej operimeve të KEDS-it deri më tash, por fitimi neto është investuar në rrjet dhe në asete tjera për të qenë të sigurt se ne jemi duke siguruar  shërbime më të mira për konsumatorët tanë”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.

Në anën tjetër, zyrtarë të ZRRE-së kanë dhënë informacione rreth të hyrave të lejuara të këtyre dy kompanive, por as këta nuk kanë dhënë informacione rreth profitit neto të kompanisë.

“Procesi i përcaktimit të të hyrave të lejuara maksimale për secilin të licencuar bëhet përmes konsultimit publik, bazuar në rregullat për vendosjen e çmimeve dhe këto informata gjenden në uebfaqen e ZRRE-së. Lidhur me profitin e kompanisë këto informata mund të merren nga pasqyrat e financiare të audituara nga KEDS-i dhe KESCO-ja apo përmes Administratës Tatimore apo ndonjë institucioni tjetër relevant. ZRRE-ja si organ përgjegjës për rregullimin ekonomik të sektorit ka për obligim të sigurojë që të hyrat e aprovuara nga ZRRE-ja janë në përputhje me shërbimet e ofruara”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj.

Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se privatizimi i distribucionit të KEK-ut është bërë krejtësisht larg syve të opinionit, kështu që janë raportet e Auditorit ato që tregojnë se këtu Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka shumë hapësirë për korrigjime

“ZRRE-ja duhet t’i ulë të hyrat, i bie pak fitimi i investitorëve, por në anën tjetër u ndihmohet familjeve me gjendje të rëndë sociale”, ka thënë ai.

Grafika:

2016:   24,781,000 euro

2015:   31,948,000 euro

2014:   29,944,000 euro