Mitrovica e Veriut humb 7.8 milionë euro për fajin e Rakiqit
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka thënë se dështimi i dy projekteve për të cilat BE-ja do të financonte me 7.8 milionë euro nuk kanë lidhje me revitalizimin e urës, por me dështimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, për t’i larguar 8 objekte të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin ndërtesa e Universitetit Verior dhe Qendra e Kulturës, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka sqaruar se anulimi i financimit të dy projekteve në veri të Mitrovicës, ndërtimi i objektit të Universitetit Verior dhe i Qendrës Kulturore, për të cilat projekte BE-ja do t’i investonte 7.8 milionë euro, ka ardhur për fajin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili ka dështuar t’i largojë objektet e ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin këto dy objekte.
Sipas Apostolloves, vendimin për anulimin e projektit për ndërtimin e Universitetit dhe Qendrës Kulturore në veri të Mitrovicës e kanë sjellë institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel dhe ky vendim nuk ka asnjë lidhje me revitalizimin e urës kryesore mbi lumen Ibër në Mitrovicë.
Sipas saj, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, paraprakisht kishte premtuar se do ta zgjidhë problemin lidhur me largimin e objekteve të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës dhe se për këtë çështje me Rakiqin është biseduar 8 muaj.
LEXO EDHE: PDK-ja nis 'luftën' me LVV-në
Sipas saj, vendimi për anulim të projekteve nuk ka qenë i lehtë dhe ai ka pasuar pas bisedimeve të rënda dhe të gjata, shkruan tutje "Zëri".
“E kuptuam që ekzistojnë probleme të caktuara që ndërlidhen me këto projekte. Për 8 muaj kemi komunikuar me administratën lokale në Mitrovicën Veriore. Kushti i parë për fillimin e projektit ka qenë që të krijohet mundësia për qasje në vendin e ndërtimit të objektit, që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë. Kryetari i Komunës, Goran Rakiq, ka qenë i vetëdijshëm që kjo punë do të duhej të bëhej deri në prill të këtij viti. Fatkeqësisht, në rrugën dhe në afërsi të hapësirave ku do të duhej të ndërtoheshin objekti i Universitetit dhe Qendra Kulturore ekzistojnë objekte jolegale që pamundësojnë realizimin e projekteve. Largimi i këtyre objekteve ka qenë dhe është nën përgjegjësinë e Komunës. Pastaj pasoi komunikimi me kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës dhe kolegët e tij dhe të gjithë kanë qenë të informuar se çfarë duhet të bëjnë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është ndërmarrë. Veprimi ynë i fundit, pas skadimit të afatit, ka qenë që ta sjellim zyrtaren e lartë nga Brukseli që ta vizitojë Mitrovicën e Veriut, e cila ia ka shpjeguar seriozitetin e situatës kryetarit të komunës veriore. Pas vazhdimit të afatit përsëri nuk ka ndodhur asgjë. Ne ishim vënë në situatën që nuk kemi mundur asgjë të bëjmë, përveç t’i anulojmë projektet”, ka thënë Apostollova, e cila ka shtuar se vendimin e kanë mbështetur edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë.
Ajo ka ripërsëritur se ky vendim nuk ka asnjë lidhje me projektin e revitalizimit të urës dhe as me zonën e këmbësorëve.
“Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet këtyre dy projekteve me urën. Nuk ka kurrfarë ndikimi politik prapa këtij anulimi. Asnjëherë nuk jam marrë me kushtëzime”, ka ripërsëritur ajo.
Apostollova ka siguruar se mjetet e dedikuara për këto dy projekte në vlerë prej 7.8 milionësh janë kthyer në Bruskel dhe se ato janë humbur sa i përket Mitrovicës së Veriut.
Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se është befasuar me deklaratën e Apostolloves se BE-ja nuk është përgjegjëse për anulimin e ndihmës financiare për Mitrovicën e Veriut, por janë autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut.
“Për shkak të transparencës kërkoj që të publikohet kontrata për ndërtimin e objektit të Universitetit, sepse në atë kontratë ambasadorja Apostollova ka lejuar që firma e cila realizon projektin njëkohësisht ta marrë kontratën edhe për mbikëqyrjen e punimeve të të njëjtit projekt, çka është e pashënuar deri me tani në punën e çfarëdo organizate, e që nuk ka guxuar të lejohet që Apostollova të përkujdeset për paratë e qytetarëve të BE-së, siç thotë ajo. Komplet procedurat financiare të projektit dhe tenderin i ka zbatuar Zyra e znj. Apostollova, për këtë arsye kërkoj që ato kontrata të publikohen, sepse nuk duam të jemi pjesë e hapave të gabuar të znj. Apostollova, për të cilët jam i bindur se nuk e kanë mbështetjen e Brukselit zyrtar”, ka thënë Rakiq.
Në anën tjetër, në mbështetje të Goran Rakliqit kanë dalë studentët e Universitetit serb të Prishtinës, selia e të cilit është në veri të Mitrovicës.
Nemanja Bishevac, student – prorektor dhe Ivan Virijeviq, kryetar i Parlamentit Studentor, kanë thënë se Apostollova po punon për veten dhe për interesat e saj, e kundër studentëve dhe profesorëve të Universitetit të veriut.
“Ne i jemi falënderues kryetarit Rakiq dhe ekipit të tij, të cilët kanë mbështetur projektin për ndërtimin e objektit të Universitetit, sepse na është shumë i nevojshëm, por gjithashtu në situatën kur dikush dëshiron që të luajë lojëra politike, me deklaratat e maskuara për brengosje për studentët, i ofrojmë mbështetje të plotë kryetarit Rakiq, që të mos bjerë pre e presioneve politike”, thuhet në komunikatën e Parlamentit Studentor të Universitetit serb në Mitrovicë.
Ndryshe, Zyra e BE-së në Prishtinë në javën e kaluar kishte njoftuar se Zyra e BE-së në Kosovë, respektivisht shefja e BE-së në Prishtinë, Natalya Apostollova, ka anuluar financimin e dy projekteve në vlerë prej 7.8 milionë eurosh dhe se mjetet e dedikuara për dy projektet, ndërtimin e objektit të Universitetit Verior dhe objektin e Qendrës Kulturore në veri të Mitrovicës janë kthyer në Bruksel.
Anulimi i financimit të këtyre projekteve, siç kishte thënë Apostollova, është bërë për shkakun se autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut kanë dështuar t’i largojnë 8 objekte të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin këto objekte për t’i mundësuar qasje realizimit të projekteve.
Duke u përgjigjur në këtë vendim të Apostolloves, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati thënë se anulimi i financimit të këtyre dy projekteve të mëdha nuk kanë lidhje me kurrfarë largimi të objekteve të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin, por ka lidhje me projektin e revitalizimit të urës kryesore të Ibrit dhe lejimin e vazhdimit të punimeve në ndërtimin e zonës së këmbësorëve, siç pati thënë Rakiq “pas asnjë garanci kur është në pyetje siguria e qytetarëve”.