Inspektorët e MMPH-së kontrollojnë operatorët e vajrave motorikë në Mitrovicë

Ekonomia July 27, 2017 - 08:29

Inspektorët komunalë të Mitrovicës dhe ata të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë kontrolluar dy kompanitë përpunuese të vajrave motorikë në Mitrovicë, “BasPartners” dhe NTP “Holding”, nëse ato janë duke funksionuar. Ata kanë konstatuar se NTP “Holding” nuk është duke operuar, ndërsa “BasPartners” punon pa leje. MMPH-ja merr masa të menjëhershme, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pas protestës së banorëve të “Lagjes së boshnjakëve” dhe të lagjes “2 Korriku” të martën kundër dy operatorëve të përpunimit të vajrave motorikë, të mërkurën inspektorët e Mitrovicës dhe ata të Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor kanë kontrolluar dy kompanitë përpunuese të vajrave motorikë në Mitrovicë, “BasPartners” dhe NTP “Holding”, nëse ato janë duke funksionuar.

Ata kanë konstatuar se NTP “Holding” nuk është duke operuar, ndërsa “BasPartners” punon pa leje.

Inspektori i Mjedisit nga MMPH-ja, Mustafë Hyseni, tha se kanë inspektuar të dy operatorët “BasPartners” dhe NTP “Holdiing” për të cilët dyshohet se po e ndotin ajrin, për çka edhe po shqetësohen dhe po protestojnë qytetarët, pasi po u rrezikohet shëndeti në shtëpitë dhe në banesat e tyre përreth fabrikave.

LEXO EDHE: 30 mijë euro gjobë për nxjerrje të informatave nga BKS-ja (DOKUMENT)

Ai sqaroi se pronari i NTP “Holding” i kishte thënë atij se nuk është duke prodhuar asgjë dhe se ka filluar çmontimin e pajisjeve, pasi për shkak të pakënaqësive dhe protestave të qytetarëve aty më nuk mund të prodhojë asgjë, çka do të thotë se ai as këto ditë nuk i ka pasur në funksionin prodhues kapacitetet e veta, shkruan tutuje "Zëri".

Ndërsa sa i përket kompanisë “BasPartners”, Hyseni tha se ajo nuk ka leje për prodhim dhe nëse eventualisht ka prodhuar këto ditë, atëherë këtë e ka bërë në mënyrë ilegale e pa leje përkatëse pune.

Edhe pronari i NTP “Holding”, Sabri Hasani, siguroi inspektorët se në fabrikën e tij nuk është prodhuar asgjë që do të rrezikonte shëndetin e qytetarëve, pra asgjë që e ndot ambientin dhe ajrin.

“Kjo që po them mund të verifikohet lehtë. Procesi teknologjik në pajisjet që posedoj për përpunimin e vajrave, nëse është duke funksionuar nuk mund ndërpritet pa u mbushur 36 orë. Po që se ndërhyn për të ndërprerë më parë, atëherë mund të ndodhin avari të mëdha që mund të shkaktojnë rrezik të jashtëzakonshëm për punëtorët dhe për rrethin. Prandaj kjo nuk ka ndodhur, sepse për 36 orë inspektorët munden lirisht ta konstatojnë se a ka prodhim që e ndot ajrin apo jo”, tha ai.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili shoqëronte inspektorët, tha se asnjë kompani në territorin e Mitrovicës nuk do të mundë të prodhojë asgjë që e ndot ambientin dhe e rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Nga sot inspektorët komunalë dhe ata nga niveli qendror duhet të lëshojnë edhe një herë vendimet për ndërprerjen e prodhimit në këto fabrika. Ndërkohë inspektorët duhet të vazhdojnë punën e tyre. Nuk do të lejojmë të funksionojë asnjë biznes që rrezikon shëndetin e qytetarëve, pa marrë parasysh se sa veta do t’i punësojë”, tha Bahtiri.

Në anën tjetër, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka lëshuar një komunikatë me anë të së cilës ka njoftuar opinionin se MMPH-ja nuk ka lëshuar kurrfarë leje operatorëve në Mitrovicë, BTP “Holding” dhe “BasPartners”.

“Ju vëmë në dijeni se operatorët në fjalë nuk janë të pajisur me leje mjedisore, por pasi  janë të pajisur me pëlqime komunale nga Komuna e Mitrovicës për vendosjen e objekteve në këto dy lokacione konform normativave ligjore edhe nga MMPH-ja janë pajisur me pëlqime mjedisore. Pëlqimi mjedisor nuk është leje mjedisore, por është pëlqim paraprak dhe kusht për marrjen e lejes ndërtimore nga Komuna dhe për plotësimin e kritereve për leje mjedisore, që do të thotë se operatorët në fjalë nuk posedojnë leje nga MMPH-ja. Në ndërkohë operatori BTP ‘Holding’ ka bërë kërkesë në MMPH për dislokim të aktivitetit. Ndërsa ndaj ‘BasPartners’ Inspektorati i MMPH-së, më datë 27.03.2017, ka nxjerrë aktvendim për ndërprerjen e aktivitetit të punës në fazën e testimit të pajisjeve dhe për çdo testim të tyre paraprakisht është i obliguar t’i njoftojë organet komunale dhe organet e MMPH-së. MMPH-ja në vazhdimësi ka qenë në kontakt me zyrtarët kompetentë të Komunës së Mitrovicës dhe çdoherë është përgjigjur sipas kërkesave të qytetarëve dhe organeve komunale të Mitrovicës lidhur me aktivitetin e operatorëve në fjalë. Po ashtu Inspektorati i MMPH-së ka kryer inspektime të përbashkëta me Inspektoratin e Komunës së Mitrovicës në objektet e të dy operatorëve më datë 13.07.2017. Ndërsa sot më datë 26.07.2017 Inspektorati i MMPH-së së bashku me kryetarin, nënkryetarin dhe zyrtarët e Komunës së Mitrovicës ka inspektuar dy operatorët, me ç’rast janë shqiptuar masat”, thuhet në komunikatën e MMPH-së.

Ndër masat e menjëhershme që janë marrë, sipas MMPH-së janë: Vendimet për moszhvillim të aktivitetit që janë në fuqi, në afat 7-ditor të paraqesin raport në MMPH për rezervat e vajrave të cilat i kanë të deponuara për trajtim, si dhe origjinën e tyre, derisa zyrtarët komunalë do ta vëzhgojnë për së afërmi nëse zhvillohet aktivitet nga këta dy operatorë, do të merren masa konkrete konform dispozitave ligjore”.