Zotohen për bashkëpunim ekonomik

Ekonomia July 25, 2017 - 09:03

Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë t’i zbatojnë marrëveshjet për tregti, si dhe do të jenë çdoherë në koordinim për hapat që do t’i ndërmarrin si në tregti, po ashtu edhe në doganat e të dyja vendeve. Kështu u tha nga zëvendësministrat e të dyja shteteve, të cilët u takuan të hënën për të diskutuar lidhur më çështjen e çmimeve referente që po vendosen nga Tirana.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, tha se janë diskutuar hapat dhe masat që do të ndërmerren, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve në mënyrë që të ketë shkëmbim më të lehtë tregtar. “Në këtë kuptim i diskutuam të gjitha hapat dhe masat që rrjedhin prej këtyre marrëveshjeve. Diskutuam bashkërisht për problemet e fundit, për çmimet referente. Pra, qëllimi i takimit ishte vazhdimi i bashkëpunimit në mënyrë që tregjet tona të jenë më të hapura, më të afërta edhe bizneset tona më pas me lehtësi shkëmbimin tregtar”, ka thënë zëvendësministri i Financave i Kosovës Agim Krasniqi.

Se vendi ynë po ka probleme me CEFTA-n dhe barriera tregtare me vendet fqinj e thotë edhe ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Ajo u ka bërë thirrje fermerëve kosovarë që t’i eksportojnë patatet në Shqipëri, pasi nuk do të ketë më barriera. “Është e vërtetë, Kosova si anëtare e CEFTA-s ka probleme dhe barriera tregtare me disa vende, sidomos me vendet fqinj. Një numër të barrierave i kemi edhe me Shqipërinë. Ajo çfarë është përparësi, me autoritetet e Shqipërisë kemi bashkëpunim shumë më të ngushtë, qasje të nivelit më të lartë institucionale atje dhe ka një vullnet politik për t’i zgjidhur këto probleme.

Ne sot biseduam për çmimet referente të patates. Zëvendësministrja, ashtu edhe ministrja Ikonomi janë zotuar më herët që kjo është një nga metodat e mundshme për t’u implementuar, mirëpo nuk do të implementohet, do të përdoren çmimet e transaksioneve te të dy drejtorët e doganave, institucioneve përgjegjëse, të cilët sot ishin prezentë, do të ulen dhe brenda një jave do të dakordohen për eliminimin e çmimeve referente të të gjitha produkteve. Siç e dini ne kemi një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh bashkëpunimi mes institucioneve tona dhe për marrëveshjet në drejtimin e tregtisë kemi grupe teknike, të cilat punojnë shumë mirë. Dua të shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje fermerëve kosovarë që ata pa asnjë lloj hezitimi t’i ekspertojnë patatet e tyre në Shqipëri, sepse nuk do të ketë barriera nga autoritetet doganore të Shqipërisë”, tha Bajrami.

E zëvendësministrja e Financave të Republikës së Shqipërisë, Irena Beqirja, tha se kanë rënë dakord që dy organizata të tatimeve dhe doganave në çdo vendimmarrje dhe në çdo proces që lidhet me tragetin midis dy vendeve të dakordohen paraprakisht. Sipas saj, ka vullnet politik nga të dyja palët dhe se zotohet që tregtia me Kosovën është një nga prioritetet e Qeverisë së Shqipërisë. Ajo ka sqaruar edhe vendosjen e çmimeve të referencës për produktet nga Kosova. “Zakonisht çmimet e referencës vendosen nëpër administrata doganore si një metodë e gjashtë në vlerësim. Pra kur një tregtar vjen në doganë përdor transaksionin, nëse i ka të gjitha dokumentet në rregull, faturat, certifikatën e origjinës, nëse nga ana e Doganës dyshohet që një pjesë e mirë e dokumenteve nuk është e rregullta përdoret çmimi i referencës, sepse është si metodë vlerësimi.

Kuptohet është e gjashta që përdoret dhe gjithë doganat shqiptare, por edhe me Kosovën të paktën 85 për qind e të gjitha vlerësimeve bëhet në bazë të transaksioneve. Vetëm kur ka ndonjë anomali mund të përdoret çmimi i referencës. Ne kemi çmime të referencës jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet tjera. Nuk është një gjë që ka ndodhur vetëm me Kosovën dhe ka ndodhur vetëm me patate. Zakonisht Ministria e Financave herë pas herë miraton disa çmime referente për disa produkte që Dogana duhet t’i zbatojë në rastet kur produkti që vjen me dokumentacionin të jetë i plotë”, tha Beqirja.

Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, drejtoresha e përgjithshme e Doganave të Republikës së Shqipërisë, Belinda Ikonomi, si dhe drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.