Kosova dhe Shqipëria zotohen se do ta rregullojnë bashkëpunimin tregtar

Ekonomia July 24, 2017 - 13:17

Ministrja në detyrë, Hykmete Bajrami, së bashku me zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi, kanë pritur në një takim zëvendësministrien  e Financave nga Shqipëria, Irena Beqiraj.

Zëvendësministri i MF-së, Agim Krasniqi, tha se këtë takim është diskutuar për bashkëpunim tregtar ndërmjet dy vendeve.

“Qëllimi  i takimit ishte që të vazhdoj bashkëpunimi në mënyrë që tregjet tona me qenë më të hapur më të afërta edhe bizneset tona me pas më lehtë shkëmbimin tregtar”, tha Krasniqi.

Ndërsa lidhur me problemet që janë shfaqur kohëve të fundit ndërmjet dy shteteve Ministrja Bajrami tha se ka vullnet që këto probleme të kalohen.

“Ne sot biseduam për çmimet referente të patates. Zëvendësministri, ashtu siç edhe ministria e ekonomisë  janë zotuar më herët që kjo është një nga metodat  e mundshme për t`u implemetuar, mirëpo nuk do të implemetohet, do të përdoren gjithmonë çmimet e transaksioneve”, tha ajo.

E zëvendësministrja e Financave nga Shqipëria Irena Beqiraj, bëri të ditur se kanë rënë dakord që për çfarëdo vendimi lidhur me tregtinë dhe doganat të koordinohen paraprakisht ndërmjet vete.

“Kemi rënë dakord që dy organizatat tona të tatimeve dhe doganave  në çdo vendimmarrje dhe çdo proces me tregtinë midis dy vendeve të pajtohen paraprakisht. Vullneti politik nga të dyja anët është, qeveria shqiptare zotohet dhe është zotuar gjithmonë që tregtia me Kosovën është një nga prioritetet tona dhe ne duam që ta zhvillojmë tregtinë në Kosovë. Në të njëjtën kohë produktet kosovare janë të mirëpritura në Shqipëri. Jemi plotësisht të angazhuar të kemi një treg të vetëm”, shtoi ajo.

Ditë më parë Shqipëria vendosi çmimin e referencës për patatet të cilat janë të Kosovës, por që kjo sipas zv.ministres ishte bërë për shkak të mungesës së dokumentit të kompletuar për këtë produkte./Zeri