58 punëkërkues do të aftësohen e do të punësohen në Gjermani

Ekonomia July 19, 2017 - 08:28

Për herë të tretë disa punëkërkues kosovarë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë për t’u aftësuar për punë dhe më pas për t’u punësuar. Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) mbajti takimin përmbyllës me 58 punëkërkues, të cilët pritet të shkojnë në Gjermani për shkollim, për aftësim e më pas për punësim. Ky projekt u vlerësua si shenjë e mirë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

Kreu i Agjencisë për Përkrahjen e Punësimit, Bedri Xhafa, tha se 58 punëkërkuesit janë grupi i tretë i njerëzve që pritet të aftësohen për punë dhe të punësohen në Gjermani. “Jemi një grup këtu që po e quaj gjenerata e tretë dhe pse gjenerata e tretë? Dy gjeneratat e mëhershme, e para me 27 kandidatë dhe e dyta me 54 kandidatë janë ata të rinj kosovarë që tanimë gjenden në Gjermani në sistemin që ne e përshkruajmë si proces - shkollim, aftësim, punësim, në një profesion që është i ri në shoqërinë kosovare dhe ne e kemi përkthyer ‘përkujdesja ndaj të moshuarve’”, tha Xhafa. Dy gjeneratat e para, sipas Xhafës, e kanë çelur rrugën që aftësimi dhe punësimi në Gjermani të jetë afatgjatë. Xhafa tha më tutje se Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) bashkë me organizatën gjermane “Diakonie” vepron qe tetë vjet për emigrimin legal.

Johannes Flothow, nga “Diakonie”, tha se në Gjermani ka punë që lypin punëtorë. “Gjermania është njëri nga shtetet fatlume që ka më shumë punë dhe ka mungesë të njerëzve, të cilët mund ta kryejnë atë. Nuk e di pse është kështu, por situata është e tillë. Prandaj Gjermania është në kërkim të personave që dëshirojnë të punojnë në të dhe kërkon persona të kualifikuar”, tha ai.

Përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Masten Mengers, bashkëpunimin kosovaro-gjerman e vlerësoi të suksesshëm. “Kjo në të vërtetë është një shenjë e mirë që tregon bashkëpunimin nga ana gjermane e nga ana e Kosovës dhe kjo tregon se sa i suksesshëm mund të jetë një bashkëpunim i tillë”, tha Mengers.