Kosova me zero projekte në Samitin e Triestes!

Ekonomia July 14, 2017 - 16:05

Samiti që u zhvillua para pak ditësh në Trieste mes 6 vendeve të rajonit, ka prodhuar një bilanc negativ për Kosovën dhe Shqipërinë.

Vendet e rajonit në samit paraqitën 7 projekte të ndërlidhjes rajonale të cilat do zhvillohen me bashkëfinancim, me një vlerë që arrin në 538.5 milionë euro.

6 projekte janë në fushën e transportit dhe vetëm një i përket sektorit energjetik.

Serbia do jetë përfituese e 2 grantave, ndërsa Bosnja do mbështetet me grante për 4 projekte.

Mali i Zi gjithashtu do përfitojë me vetëm 1 projekt. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova nuk kanë paraqitur asnjë projekt.

Projektet që do të mbështeten me grante:

1.Projekti i Energjisë, interkonjeksioni i gazit: Serbi-Bullgari

2.Korridori i Mesdheut: Segmenti Ponirak – Vraca/Zenica Tunnel

3.Korridori i Mesdheut: Bosnjë dhe Hercegovina – Kroacia CVc Road Interconnection Interconnection II

4.Korridori i Mesdheut: Bosnjë dhe Hercegovina – Kroacia CVc Road Interconnection III

5.Korridori i Danubit: Bosnja dhe Hercegovina – Serbia – Kroacia

6.Korridori Lindje-Mesdhe: Interkonjeksioni hekurudhor Maqedoni-Bullgari

7.Korridori Lindje-Mesdhe: Interkonjeksioni hekurudhor Serbi – Bullgari

Vlera e granteve dhe impakti në punësim

Projekti i energjetikës, ku përfitues i grantit është Serbia, përllogaritet që do të ketë një kosto prej 88.5 milionë eurosh, nga të cilat rreth 49.5 milionë do të financohet me grantet e BE-së apo rreth 59% dhe do të hapen 250 vende të reja pune gjatë periudhës së ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes.

Në projektet infrastrukturore, Bashkimi Europian do të financojë 30% të kostove të projektit.

Bosnja, e cila ka katër projekte në transport, kryesisht për ndërtimin e korridoreve lidhës, do të përfitojë katër grante me vlerë 46.1 milionë euro për projekte me vlerë totale investimi 241 milionë euro.

Të katërt projektet parashikohen se do të hapin në Bosnjë 1600 vende të reja pune.

Nga të gjashtë projektet në transport, vlerën më të lartë e ka ndërtimi i korridorit hekurudhor që lidh Lindjen me Mesdheun. Investimi do të kapë vlerën 152 milionë eurove, prej të cilave 45% do të financohet prej granteve të BE-së./Monitor/