Komuna paguan për punët që s’janë kryer

Ekonomia July 13, 2017 - 08:35

Sipas të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Skenderajt në disa raste pronën publike e ka dhënë pa afat të caktuar kohor të shfrytëzimit, si dhe pa ankand publik ndonëse me ligj dhënia në shfrytëzim afatshkurtër e pronës publike është prej 1 deri në 15 vjet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Raporti i Zyrës Kombëtare të Audtimit për pasqyrat financiare të Komunës së Skenderajt në vitin 2016 zbulon disa shkelje, të cilat janë evidencuar dhe për të cilat Auditori ka dhënë rekomandime që duhen zbatuar.   

Duke u bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Audtimit për Komunën e Skenderajt, Auditori ka vërejtur se gjatë testimit të kontratave për shfrytëzimin e pronës publike në 5 raste kontratat janë dhënë pa ankand publik dhe kohëzgjatja e tyre është në afat të pacaktuar, në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës Publike, me të cilin përcaktohet se afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës është 1 deri në 15 vjet dhe duhet të bëhet përmes ankandit publik, shkruan "Zëri".  

Te procedura e prokurimit “Transporti i nxënësve me nevoja të veçanta prej shtëpisë deri në shkollë dhe anasjelltas”, në njoftimin për kontratë ishte paraparë që siguria e ekzekutimit të aplikohet 10 për qind e vlerës së kontratës, ndërsa në dosje të tenderit dhe me rastin e nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik nuk ishte aplikuar.

Sipas Auditorit, me Ligjin e Prokurimit Publik kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë duhet të jenë identike. Pagesa në vlerë 773 euro ishte bërë për “Sigurimin e llojit TPL” për një autobus të Komunës.

Ky lloj i sigurimit nuk ishte i përfshirë në kontratën, të cilën e ka Komuna me operatorin ekonomik.

Komuna gjatë vitit 2016 kishte angazhuar 15 punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta.

Asnjërit prej këtyre punëtorëve të angazhuar nuk i është ndalur tatimi në burim, siç përcaktohet me Ligjin Nr. 05-L-028.

Komuna e Skenderajt kishte bërë thirrje për aplikim për fermerët e interesuar për “Ngritjen e pemishteve të reja me kulturën e mjedrës me infrastrukturë përcjellëse”, me sipërfaqe prej 6 hektarësh.

Me këtë thirrje aplikuesit do të duheshin t’i plotësonin disa nga kriteret e parapara nga Komuna, por ato Auditori nuk i ka parë.

“Gjatë punës sonë neve nuk na është ofruar raport nga Komisioni Vlerësues që do të dëshmonte se përfituesit i kanë plotësuar këto kritere. Ndërsa, në një rast kemi vërejtur se janë paguar 522 euro për punë të cilat nuk janë kryer fare (për dy ditë në të cilat nuk ishte punuar). Operatori ekonomik ia ka faturuar Komunës 9 orë punë të makinerisë me çmim 58 euro për orë”, precizohet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Skenderajt.

Auditimi i pagesave për projektin “Asfaltimi i rrugës Klinë-Llaushë” ka rezultuar me tejkalim prej 3.204 eurosh.

Ky tejkalim, sipas Auditorit, kishte ndodhur para se Komuna të revidonte pozicionet në kontratë. Në kontratën fillestare ishte përcaktuar shuma 2.160  euro, (çmimi sipas njësive), ndërsa janë realizuar dhe janë paguar 5.400 euro.

 “Mirëpo pas revidimit të projektit, ky pozicion ishte hequr nga kontrata. Në pagesën për ‘Asfaltimin e rrugëve në fshatin Klinë’ kemi konstatuar se ka pasur tejkalime në disa pozicione. Shuma prej 2,707 eurosh është paguar mbi pozicionet e kontraktuara, pra kishte tejkalim të pozicioneve të kontraktuara dhe të njëjtat nuk ishin vërejtur nga organi mbikëqyrës i Komunës e madje as nga Komisioni i Pranimit Teknik. Në një mostër kemi vërejtur se faturimi i pozicionit ishte bërë gabim nga operatori dhe ai nuk ishte vërejtur nga menaxheri i kontratës e as nga certifikuesi. Në vend se të faturohej sasia prej 2.300 njësish me çmim prej 0.20 eurosh, është faturuar me çmim 0.50 euro, gabim i cili ka rezultuar me mbi pagesë prej 690 euro. Komuna kishte paguar 4.713 euro për kontratën ‘Mirëmbajtje investive’, mirëpo zotimi për këtë pagesë i takonte një kontrate tjetër”, ka evidencuar Auditori në raportin e auditimit për Komunën e Skenderajt.

Sipas raportit, pagesa në vlerë 21.320 euro “Ndërtimi i kanalizimit në Skenderaj” ishte paguar nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime, ndërsa është dashur të paguhet nga investimet kapitale, ndërsa pagesa në vlerë 1.600 euro “Makinë fotokopjuese” është  paguar nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime, ndërsa është dashur të paguhet nga investimet kapitale (makina fotokopjuese mbi 1.000 euro). Pagesa në vlerë 437 euro “Shërbime kontraktuese” është paguar si pagë shtesë për një punëtor të pensionuar të arsimit.  

“Shpenzimi, respektivisht shuma prej 437 eurosh, është dashur të bëhet nga kategoria ekonomike paga dhe mëditje, ndërsa te pagesa për ‘Furnizim me pajisje të TI’ kemi vërejtur se Komuna kishte paguar 7.200 euro nga kategoria investime kapitale, ndërsa është kryer furnizim i mallrave”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, gjatë vitit 2016 janë falur borxhet në vlerë 8.520 euro nga taksat e ngarkuara në biznes, duke u bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve.

Gjithashtu, në vitin 2015 janë falur 106,000 mijë euro.

“Komuna nuk ka pasur bazë të qartë ligjore për faljen e këtyre borxheve, për shkak se këto kategori borxhesh nuk përfshihen në Ligjin për Faljen e Borxhit. Gjatë vitit 2016 Komuna e Skenderajt nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për t’i zvogëluar llogaritë e arkëtueshme për taksat e biznesit dhe për shfrytëzuesit e pronave publike”, janë disa nga të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të evidencuara në raportin për Komunën e Skenderajt.