Qeveria shpenzon 400 milionë euro në vit përmes Prokurimit

Ekonomia July 01, 2017 - 09:03

 Brenda një viti Qeveria e Kosovës shpenzon hiç më pak se 400 milionë euro përmes Prokurimit Publik. Kryetari i KRPP-së, Safet Hoxha, tha se në vazhdimësi janë duke i harmonizuar ligjet me ato të BE-së për t’i zvogëluar aferat korruptive, shkruan sot, gazeta Zeri.

Më shumë se 400 milionë euro në vit shpenzohen nga Qeveria përmes Prokurimit Publik. Këto të dhëna kanë dalë në konferencën e përmbylljes së projektit “Përmirësimi i kapaciteteve administrative në fushën e Prokurimit Publik në Kosovë”.

Luigi Brusa, kryesues i seksionit nga Zyra e BE-së, ka thënë se Prokurimi Publik është gurthemel për integrim në Bashkimin Evropian (BE), por, sipas tij, në Kosovë mbetet sistem ende i rrezikuar.

“Unë e di se sa është e vështirë për ta pasur një sistem objektiv i cili zgjedh ofertën ekonomikisht më të favorshme dhe njëkohësisht për të siguruar që kontraktuesit të ndahen të kënaqur. Detyra jonë është ta krijojmë një sistem që të zvogëlohen rreziqet, sepse ato nuk mund të eliminohen, por për t’u siguruar që tatimpaguesi paratë që i jep të shfrytëzohen në mënyrë të drejtë. Prokurimi Publik është njëra prej shtyllave të menaxhimit të financave publike, që nënkupton që paratë tuaja gjithsesi të përdoren në mënyrë efikase”, ka thënë ai.

Tutje, ai shtoi se institucionet kosovare kanë zhvilluar një kornizë ligjore, e cila është në përputhje me ato të BE-së.

“Ky është një gurthemel për integrimin evropian. Kohëve të fundit institucionet kanë filluar ta përdorin edhe e-Prokurimin, kështu që rregullat janë ligjet, vetëm duhet ta dimë se a janë personat ata të cilët i respektojnë ato. Prokurimi Publik mbetet sistemi më i rrezikuar në Kosovë”, ka shtuar ai, duke inkurajuar institucionet vendore që ta çojnë përpara reformën e menaxhimit të financave publike.

Ndërsa kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha, pohoi se një ligj i përshtatshëm mundëson zvogëlimin e hapësirave për afera korruptive, shkruan gazeta Zeri.

“Një ligj i përshtatshëm mundëson zvogëlimin e hapësirave për afera korruptive. Ne punojmë aktivisht në harmonizimin e ligjeve me ato të BE-së. Ky projekt gjatë viteve të kaluara ka ndihmuar në dy aspekte, si përmirësimi i kornizës ligjore, më konkretisht ka kontribuar Ligji mbi Prokurimin Publik dhe zhvillimin e komunikimit në mes akterëve, siç janë institucionet, qytetari dhe bizneset”, ka thënë ai.

E si rezultat i këtij projekti në Kosovë për herë të parë kemi strategji pesëvjeçare në Prokurimin Publik, ka vlerësuar ekspertja e projektit, Vlora Ferizi.

“Ky projekt ka ndihmuar dhe avancuar dukshëm sistemin e prokurimit në vend, për herë të parë në Kosovë kemi strategjinë kombëtare pesëvjeçare për prokurimin publik. Është ndihmuar KRPP-ja për strategjinë kombëtare për trajnim. Ligji është ndryshuar, projekti ka ndihmuar KRPP-në për hartimin e rregullave. Është draftuar kodi i etikës. Ka ndihmuar në hartimin e politikave të sigurisë për platformën elektronike të prokurimit publik”, përfundoi Ferizi.

Në këtë takim u tha se Qeveria e Kosovës shfrytëzon 400 milionë euro përmes prokurimit publik në vit. Ndryshe, fushat kryesore të përparimit të Prokurimit Publik përfshijnë: legjislacionin e Prokurimit Publik me përfitime për Kosovën përmes përdorimit të fondeve publike në mënyrë transparente, stimulimin për pjesëmarrje të operatorëve ekonomikë, duke përfshirë NVM-të përmes praktikave të trajtimit të barabartë si dhe implementimi i sistemit të e-Prokurimit. Projekti për prokurimin publik është financuar nga Bashkimi Evropian./Zeri/