Patronët bëjnë biznes milionësh në pronë të shtetit

Ekonomia June 27, 2017 - 07:52

 

 

Komuna e Prishtinës i ka dhënë leje ndërtimi kompanisë “Patroni” për ndërtimin e një pike të karburanteve në një vend shumë strategjik në rrugën Prishtinë - Fushë Kosovë, përballë objektit të AKI-së. Mirëpo, prona në të cilën po investohen miliona euro nuk është e Komunës, por e Qeverisë së Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, i ka lëshuar një leje të përkohshme ndërtimi kompanisë “Patroni” nga Malisheva për ndërtimin e një pike të shitjes së derivateve të naftës në një pronë që nuk është e saj, por e Qeverisë së Kosovës, të cilën e ka pasur nën menaxhim Instituti Bujqësor i Pejës.

Kjo pompë po ndërtohet në një vend shumë strategjik, përkatësisht rrugës Prishtinë – Fushë Kosovës, përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Në një sipërfaqe prej 25 ari dhe në hyrje të Prishtinës kompania “Patroni” ka nisur punimet për ndërtimin e një pike të re të shitjes së derivateve.

Kjo parcelë e kategorizuar si tokë e kategorisë së III, destinimi i së cilës nuk mund të ndërrohet me ligj, dikur kishte shërbyer si fushë eksperimentale për studentë të Fakultetit të Bujqësisë, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkaq tash ajo po shërben si “fushë” eksperimentale për bizneset, të cilat e shfrytëzojnë atë kundrejt një qiraje minimale prej vetëm 500 eurosh në muaj.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë konfirmojnë për gazetën Zëri se prona në fjalë i është lëshuar për një periudhe 5-vjeçare kompanisë “Patroni”, nga Malisheva. Por këta nuk japin detaje më të hollësishme për procedurat e dhënies së pronës me qira.Image

 Po ashtu, detaje më të hollësishme nuk jep as Komuna e Prishtinës, e cila i ka lëshuar leje të përkohshme për ndërtim të pompës së derivateve në pronë shtetërore.

Por vendimi i këtyre dy institucioneve, Ministrisë së Bujqësisë për ta dhënë me qira pronën shtetërore dhe vendimi i Komunës për të lëshuar leje për ndërtimin e pompës së derivateve në pronë shtetërore, ka lënë të habitur ministrin në largim të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Ministri kjo e cila menaxhon me pronat shtetërore në Kosovë.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Yagcilar përmes telefonit ka thënë se Ministria që ai drejton në vazhdimësi është në kërkim të pronave shtetërore për të realizuar projekte në të mirë të Qeverisë, por edhe të komuniteteve. Por, ai tha se deri më tash nuk ka dëgjuar ndonjëherë që Qeveria të këtë dhënë prona me qira.

“Për herë të parë nga ju po e dëgjoj këtë. Unë nuk e di se çfarë baze ligjore ka Ministria për t’ia dhënë këtë pronë një kompanie private. Nuk e di, s’kam dëgjuar më parë për këtë çështje”, ka thënë shkurt përmes telefonit Yagcilar për gazetën “Zëri”

MBPZHR-ja: Prona është dhënë me qira deri më 31 gusht 2018

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë për gazetën “Zëri” konfirmojnë se toka bujqësore, në të cilën është duke u ndërtuar pompa e derivateve, e cila gjendet buzë rrugës magjistrale Prishtinë - Pejë, më saktësisht përballë objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës,  është pronë e Qeverisë së Kosovës, e menaxhuar nga Instituti Bujqësor i Kosovës në Pejë, sipas fletës poseduese me numër 2478, të parcelës kadastrale numër 2916 në sipërfaqe të përgjithshme prej 65 ari.

“Për dhënien e kësaj parcele me qira MBPZHR-ja ka formuar Komisionin për Vlerësim me vendim me Ref. ZSP.463/13 Nr.343, të datës 14.06.2013, në përbërje prej treanëtarësh (dy (2) anëtarë të MBPZHR-së dhe një (1) të IBK-së në Pejë), komision i cili ka rishqyrtuar kërkesën e NPTNSH ‘Aragoniti 2’ nga Prishtina, të cilën sipërfaqe e ka pasur me qira nga viti 2001, duke shtuar se edhe më tutje është e interesuar që ta vazhdojë kontratën”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Aty më tutje thuhet se Komisioni pas konsultimit dhe komunikimit të shkresave zyrtare ka kërkuar rekomandimin-pëlqimin paraprak nga Instituti Bujqësor i Kosovës në Pejë, duke u bazuar në planin afatmesëm se a i ka planifikuar aktivitetet bujqësore në këtë sipërfaqe.

Por, pasi që Komisioni pas marrjes së pëlqimit nga Instituti Bujqësor i Kosovës në Pejë për dhënien e tokës bujqësore me qira ka vendosur dhe ka rekomanduar që parcela e tokës bujqësore me qira në sipërfaqe prej 0,65 ari të vazhdohet me qira për pesë (5) vjet.

“Pas dakordimit dhe pëlqimit paraprak nga ‘Aragoniti 2’ nga Prishtina dhe kërkesës së ‘Patronit’ nga Malisheva, të cilët janë dakorduar që sipërfaqja e përgjithshme prej 0,65 ari të ndahet ndërmjet të lartpërmendurve, përkatësisht sipërfaqja prej 0,25 ari t’i jepet me qira për pesë (5) vjet ‘Patronit’ nga Malisheva, ndërsa pjesa tjetër prej 0,40 ari  ‘Aragoniti 2’. IBK-ja me dt. 18.09.2013 ka lidhur kontratë me ‘Patronin’, të përfaqësuar nga Habib Morina nga Malisheva për dhënien e tokës bujqësore me qira për pesë (5) vjet përkatësisht nga data 1 shtator 2013 deri më 31 gusht 2018”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga Ministria e Bujqësisë.

Aty më tutje thuhet se për çdo zhvillim-punimi në kuadër të parcelës së lartpërmendur ajo duhet të shfrytëzohet vetëm sipas dokumentacionit urbanistik-teknik, të lejuar dhe të miratuar nga ana e organit kompetent të Komunës së Prishtinës për punët e ndërtimit të objektit të përkohshëm, në të kundërtën përgjegjësia bie mbi qiramarrësin.

“Ndryshe, të gjitha mjetet financiare që grumbullohen nga dhënia e tokës bujqësore me qira derdhen në buxhetin e Kosovës. Çmimi i qirasë për 1 ari është 20 € për një (1) muaj, ndërsa çmimi në total për një (1) muaj është 20 € X 25 ari = 500 € / muaj”, thuhet në fund të përgjigjeve të dërguara nga Ministria e Bujqësisë.

 Komuna jep leje për ndërtim në tokën shtetërore

Po ashtu, zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se Komuna i ka dhënë leje të përkohshme për ndërtimin kompanisë “Patroni”, por pa e saktësuar saktë kohën se kur u është dhënë leja dhe e procedurave që janë ndjekur.

Përmes shkresave zyrtare gazeta ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizimit informacione nëse gjatë rastit të dhënies së lejes janë respektuar kriteret, por nga Komuna ka marrë vetëm një përgjigje të përgjithësuar.

“Po, investitori ‘Patroni’ është pajisur me leje për objekt me karakter të përkohshëm, në bazë të Rregullores për Vendosjen, Ndërtimin dhe Largimin e Objekteve të Përkohshme nga Prona Publike. Rregullorja nuk përcakton periudhë të caktuar kohore. Për rastin në fjalë, leja vlen deri në përfundim të kontratës në mes të palëve, saktësisht 5 vjet”, ka thënë për gazetën “Zëri” Miranda Mullafazliu, zyrtare për medie në Komunën e Prishtinës.

Gazeta ka kontaktuar direkt me telefon me Mullafazliun për të kërkuar më shumë informacione rreth lejes në fjalë, por kjo nuk ka pranuar të japë më shumë se ato që i ka dërguar përmes postës elektronike. Mirëpo në bazë të ligjit, kusht për t’u pajisur me leje ndërtimi janë disa pëlqime paraprake që jepen nga institucionet e shtetit. Në bazë të hulumtimeve që ka bërë gazeta “Zëri” ka gjetur se kompania “Patroni” ka marrë pëlqim për t’u kyçur në rrugë nga Ministria e Infrastrukturës, por nuk ka marrë pëlqim për t’u kyçur në rrjet nga KEDS-i dhe nuk ka marrë pëlqime as nga institucionet e tjera.

Gazeta po ashtu u ka dërguar pyetje edhe Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, por nuk ka marrë përgjigje nga ta. Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje të kontaktojë me përfaqësuesit e kompanisë “Patroni”, por ditëve të fundit në vendin ku është duke u ndërtuar pompa e derivateve nuk janë zhvilluar punime fare. Po ashtu, edhe kontakti përmes telefonit me zyrtarët e kësaj kompanie ka qenë i pamundur.