Keqpërdoren veturat zyrtare në Ministrinë e Kthimit

Ekonomia June 23, 2017 - 13:17

Ministria për Khtim dhe Komuniteteve ka lejuar zhfrytëzimin e veturës zyrtare gjatë 24 orëve personit që nuk është punonjës i Ministrisë, kështu thuhet në raportin e auditorit për Ministrinë, shkruan portali Zeri.info.

“MKK, nuk kishte respektuar këtë udhëzim, duke lejuar që përmes një vendimi të lëshuar në gusht 2015, t`i mundësohet shfrytëzimi i veturës zyrtare 24h, personit i cili nuk është punonjës i ministrisë. Vlera e karburanteve të paguara nga ministria për këtë veturë në vitin 2016 ishte 2,352€”, thuhet mes tjerash në raportin e auditorit.

Sipas auditorit,vendime mbi shfrytëzimin 24 orë të veturave zyrtare ju kishin lëshuar edhe pesë (5) këshilltarëve politik, si dhe shefit të kabinetit të Ministrit.

“Shumica prej tyre nuk i plotësojnë fare fletudhëtimet mbi shfrytëzimin e automjeteve”, bënë të ditur auditori. Sipas këtij të fundit, rreziku nga dhënia në shfrytëzim 24 orë e veturës zyrtare, personit jashtë ministrisë, përbën keqpërdorim të pasurisë publike.

Ndërkaq, shfrytëzimi i veturave nga stafi i cili nuk ka të drejtë përdorimi 24 orë, si dhe mos raportimi i tyre rrezikon përdorimin e veturave për qëllime jozyrtare. Auditori rekomandon që ministri Dalibor Jevtiq të sigurojë se janë marrë masat për ndalimin e përdorimit të veturës zyrtare, personit që nuk është punonjës i ministrisë, të rishikojë vendimet për stafin që nuk ka të drejtë përdorimi 24 orë të veturave zyrtare dhe të sigurojë se raportimi mbi shfrytëzimin e veturave të jetë i plotë. /Zëri/