Aeroporti i Gjakovës së shpejti do të funksionalizohet

Ekonomia April 22, 2017 - 08:32

Kryeministri Isa Mustafa tha se Aeroporti i Gjakovës është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës e të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të premten Aeroportin e Gjakovës, në të cilën u prit nga kryeshefja ekzekutive e Aeroportit, Vlora Gojani, anëtarët e bordit dhe të ekzekutivit.

Në takim, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe drejtori i Aviacionit Civil, kryeministri Mustafa u njoftua në detaje për asetet që i disponon Aeroporti i Gjakovës, si dhe mundësitë e funksionalizimit të tij. Më pas kryeministri Mustafa vizitoi ambientet, më të cilat mbahen pajisjet për mirëmbajtjen e pistës dhe pjesës tjetër të aseteve të Aeroportit.

Para medieve të pranishme kryeministri Mustafa tha se ky aeroport është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës e të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet. “Ju i shihni këto pajisje që kanë një vlerë shumë të veçantë dhe është keq që janë jashtë përdorimit.

E kemi një pistë të shkëlqyeshme të aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencitë qeveritare, por edhe Komuna, bordi dhe menaxhmenti i këtij aeroporti në mënyrë që t’i gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri.

 Kryeministri Mustafa po ashtu tha se Qeveria do të marrë për obligim që të sigurojë financimin që bordi, menaxhmenti dhe punonjësit të cilët merren me administratën dhe me sigurinë e saj të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë.

“Do të bëjmë një studim të fizibilitetit dhe të kërkojmë edhe partneritet ndërkombëtar për këtë studim dhe pastaj t’i ofrojmë alternativat më të mira për shfrytëzimin e këtyre aseteve dhe për gjenerimin ekonomik edhe për Gjakovën, edhe për Kosovën në tërësi”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë drejtim do të punohet më shpejt dhe nuk do të lihen asetet e tilla jashtë përdorimit.

Ndërkaq, lidhur me punën që po bëhet për blerjen e helikopterëve kryeministri Mustafa tha se këto janë projekte, të cilat kanë qenë më parë të ndërlidhura me FSK-në, me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë sepse në ato fusha ka nevojë të mbulohen nevojat emergjente.

“Ka qenë një komision, i cili ka punuar mjaft gjatë. I ka studiuar të gjitha kushtet dhe ne tani e kemi autorizuar që ta rrumbullakojmë atë pjesë, t’i gjejmë adresat ose furnitorët kryesorë, me të cilët ne mund të bëjmë kontraktimin e helikopterëve, natyrisht duke i kaluar të gjitha fazat ligjore të kësaj. Edhe ky ambient këtu për të cilin po flasim është një ambient i përshtatshëm edhe për atë njësit të helikopterëve, edhe për aeroplanë të vegjël, të cilët ne mund t’i kemi nesër si Kosovë, qoftë si aeroplanë qeveritarë, qoftë ata që shfrytëzohen për nevoja komerciale dhe për nevoja të tjera, prandaj është një kompleks i punëve që ne bashkërisht do ta bëjmë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se është biseduar për format dhe mënyrat më të mira të funksionalizimit të Aeroportit të Gjakovës.

“Natyrisht janë kërkesa të cilat janë të vlefshme prej kohës kur është bërë pranim-dorëzimi i aeroportit. Është një moment interesant, kryeministri është mirë i informuar mbi asetet, mbi vlerën dhe besoj se sot bashkërisht kemi treguar përkushtimin që në afat sa më të shkurtër kohor të kemi një plan aktiv mbi funksionalizimin dhe operacionalizimin e Aeroportit të Gjakovës në të gjitha fushat, të cilat janë në përputhshmëri me ligjin dhe të cilat do të garantojnë një efikasitet të funksionimit të Aeroportit të Gjakovës”, tha kryetarja Kusari-Lila.

Lidhur me mundësitë e aktivizimit dhe përdorimit të Aeroportit të Gjakovës kryetarja Kusari-Lila tha se janë disa forma, të cilat bashkërisht janë biseduar në takim dhe për të cilat do të punohet në ditët në vijim.

“Janë mundësi të ndryshme të cilat duhet të dalin gjithashtu nga një dokument i konfirmuar si plan i fizibilitetit. Ne me kryeministrin dhe me ministrat u dakorduam që bashkërisht të vijmë me propozimet për partneritet me organizatat zhvillimore ndërkombëtare, të cilat do të ndihmojnë në përgatitjen e këtij plani. Po flasim për periudha jo të gjata kohore, flasim për periudha të cilat ne nga sot e tutje do të jemi aktivisht të përfshirë dhe pastaj nga ky plan i fizibilitetit të nxjerrim orientimet. Mundësitë janë të shumta prej Shkollës së Aviacionit Civil, tek mundësitë e përdorimit të hapësirës për çështje të ndryshme komerciale, natyrisht çdo gjë sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë”, tha kryetarja Kusari-Lila.