Dobruna: Tendencat neo-otomane do të rriten në Kosovë

Ekonomia April 20, 2017 - 08:22

Konsulenti për investim dhe zhvillime në sektorin privat Kujtim Dobruna, në intervistën dhënë “Zërit” ka potencuar se kriza në të cilën është futur Kosova qe gati katër vjet ka dëmtuar ekonominë, proceset reformuese dhe potencialet për tërheqjen e investimeve

Pas referendumit në Turqi mund të ketë një vazhdim të tendencave neo-otomane, të cilat shtrihen në rrafshin religjioz, politik dhe ekonomik në Kosovë e përvojat e deritanishme në Kosovë nuk kanë qenë aspak të mira.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ekonomisti Kujtim Dobruna.

Sipas tij, me privatizimin e KEDS-it nuk është bërë gjë tjetër vetëm se një tjetërsim i monopolit nga ai publik në privat.

Sipas Dobrunës, megjithatë duhet të bëhet dallim në mes atyre investitorëve të mirëfilltë, që përmes mekanizmave të tregut dhe të konkurrencës së lirë ofrojnë produkte dhe shërbime të vyeshme për konsumatorin dhe të atyre që aplikojnë metoda të ndërmarrësisë politike.

“Këta të fundit paraqesin rrezik për tregun e lirë, por edhe për demokracinë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai ka shpjeguar se ky fenomen shpërfaqet si lloj i korrupsionit politik përmes të të cilit interesat afariste të grupeve ilegale të interesit drejtojnë vendimmarrjen politike e shtetërore kah dobia vetanake.

Konsulenti për investim dhe zhvillime në sektorin privat Dobruna, në vazhdim të intervistës ka potencuar se kriza në të cilën është futur Kosova qe gati katër vjet ka dëmtuar ekonominë, proceset reformuese dhe potencialet për tërheqjen e investimeve

Zëri: Turqia është në mesin e investitorëve kryesorë në Kosovë, si i keni parë investimet turke deri më tani?

Dobruna: Vendi ynë ka një regjim të hapur për investitorët e huaj. Pavarësisht vendit të origjinës, investitorët këtu gëzojnë trajtim nacional. Kjo i bie që në të drejtat dhe detyrimet e tyre ata janë plotësisht të barabartë me investitorët vendorë. Dhe ky, për bindjen time, është një mekanizëm i mirë stimulues, duke marrë parasysh nevojën e madhe që ka vendi ynë për të tërhequr përvoja dhe kapital të jashtëm. Është fakt se një pjesë e konsiderueshme e investimeve të huaja në rajon, por edhe në Kosovë, vijnë nga Turqia. Shpesh vërej një qasje përgjithësuese kur flitet për këto investime, por unë kam rastisur të takoj edhe investitorë të atillë nga ky vend, që janë afaristë të zellshëm e të suksesshëm falë punës së tyre të ndershme. Prandaj, nuk besoj se është shumë konstruktive nëse i fusim të gjithë në një thes. Duhet të bëjmë dallim të qartë në mes atyre investitorëve të mirëfilltë, që përmes mekanizmave të tregut dhe të konkurrencës së lirë ofrojnë produkte dhe shërbime të vyeshme për konsumatorin dhe të atyre që aplikojnë metoda të ndërmarrësisë politike. Këta të fundit paraqesin rrezik për tregun e lirë, por edhe për demokracinë.

Zëri: Për kë e keni fjalën konkretisht?

Dobruna: Ndërmarrësit politikë janë ata, të cilët duke shfrytëzuar fuqinë dhe lidhjet e tyre politike, ushtrojnë ndikim mbi proceset ekonomike për t’i sjellë të mira një grupi të caktuar të elitave të vetëquajtura. Ky fenomen shpërfaqet si lloj i korrupsionit politik përmes të të cilit interesat afariste të grupeve ilegale të interesit drejtojnë vendimmarrjen politike e shtetërore kah dobia vetanake. Unë të tillët i kam definuar si “burrështetas ndërmarrës”. Si rezultat i ndërhyrjes së këtyre në tregun e lirë, konkurrenca e lirë ngufatet, tregu dominohet nga praktikat monopolisitike, hyrja në treg e akterëve të rinj, duke përfshirë këtu edhe investitorët e jashtëm, pamundësohet përmes ngritjes së barrierave artificiale, papunësia mbetet e lartë, bilanci i jashtëm i paqëndrueshëm. Kështu krijohen grupe oligarkësh, pamundësohet mirëqenia e qytetarëve dhe vihet në rrezik ajo e brezave që vijnë. Të tillë ka në majat e pushtetit në mbarë rajonin, pra edhe në Turqi, edhe në Kosovë.  Për “investitorë” dhe “ndërmarrës” të tillë nuk kemi nevojë.

Zëri: Përkrahja e Erdoganit dhe e kompanive të lidhura me të për vite me radhë kanë qenë të pranishme në Kosovë e për të cilat ka raportuar edhe gazeta “Zëri”. Tani pas referendumit a pritet që kjo prezencë e tij të rritet edhe më tutje?

Dobruna: Së pari duhet të ndalemi pak tek gjendja e ekonomisë turke. Turqia nuk ka ekonomi autarki, që mund të mbijetojë si e shkëputur nga tregjet botërore. Ky vend ka nevoja të mëdha energjetike, të cilat mund t’i mbulojë vetëm përmes importit. Për t’i financuar importet duhen të hyra devizore. Por, ato nuk janë të mjaftueshme sepse turizmi ka pësuar rënie dhe baza e eksporteve është jo shumë e sofistikuar dhe e diversifikuar. Në fakt, këtu mund të flitet lirshëm për një varësi direkte turke ndaj tregjeve perëndimore, sepse gati gjysma e eksporteve të saj shkojnë drejt BE-së. Në anën tjetër, vetëm rreth 4 për qind e eksporteve të BE-së shkojnë në Turqi. Pra, varësia në këtë rast është e njëanshme. Njëkohësisht, që nga puçi i dështuar i vitit të kaluar e posaçërisht nga referendumi i fundjavës gatishmëria e investitorëve të huaj për të futur kapital të freskët në Turqi është në rënie. Krahas pasigurisë politike edhe rritja e shpejtë e pagave e ka dëmtuar atraktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë turke. Në anën tjetër, rritja ekonomike bazohet para së gjithash në konsum të brendshëm, i cili financohet kryesisht përmes kreditimit të ekonomive familjare. Një strukturë e tillë është e paqëndrueshme. Aktualisht Turqia mbulon nevojat për kapital të huaj përmes investimeve spekulative me një risk të lartë dhe jo përmes investimeve direkte. Investimet spekulative janë të paqëndrueshme dhe shumë të varura nga stabiliteti politik. Prandaj, ikja e këtij kapitali është shumë e lehtë dhe duke parë zhvillimet aktuale, shumë e mundshme. Kjo do ta përkeqësonte gjendjen ekonomike dhe do ta ulte potencialin e ndërmarrjeve turke për të investuar jashtë.

T’i kthehemi pyetjes suaj fillestare. Sot është herët të thuhet se cila do të jetë politika e Erdoganit ndaj vendeve të Ballkanit në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti. Por, indikacionet aktuale flasin se mund të ketë një vazhdim të tendencave neo-otomane, që shtrihen në rrafshin religjioz, politik dhe ekonomik. Përvojat e Kosovës në këtë aspekt nuk janë të mira. Për shembull me privatizimin e KEDS-it nuk është bërë gjë tjetër vetëm se një tjetërsim i monopolit nga ai publik në privat. Koncesionimi i aeroportit, si investim tjetër turk, për fajin tonë pamundësoi aktivizimin e Aeroportit të Gjakovës dhe barra tani po i bie qytetarit në Kosovë e diasporë, i cili po përballet me çmime joracionale të udhëtimit. Krahas depërtimit strategjik neo-otoman, rajoni po përballet edhe me tendencat në rritje neo-sovjetike dhe neo-jugosllave për fuqizimin e ndikimit të tyre. Prandaj, për Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë rrugëzgjidhja e vetme mbetet përkushtimi edhe më i thellë në rrugën e integrimit drejt NATO-s dhe BE-së, në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Perëndimin dhe në tërheqjen e investimeve nga këto vende.

Zëri: Çfarë mund t’i sjellë Perëndimi vendeve të Ballkanit Perëndimor e që nuk mund ta bëjë Turqia?

Dobruna: Së pari, gati të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë orientim të qartë pro-perëndimor dhe ky është një lajm i mirë. Njëkohësisht, ekonomitë e vendeve perëndimore kanë filluar të rriten sërish. Duket se ciklit gati dhjetëvjeçar të krizës po i vjen fundi. Kjo nënkupton që ndërmarrësit evropianë, posaçërisht ata nga rajoni gjermanofolës, të përballur me tregje vetanake të saturuara, do të “detyrohen” t’ju qasen sërish tregjeve në Evropën Lindore dhe Juglindore. Të gjitha indikacionet flasin se ndodhemi para një vale të re të investimeve të huaja, që mund të sjellin inovacione, kapital, dije dhe të ndihmojnë zhvillimin e një baze të qëndrueshme prodhuese dhe shërbyese në vendet e rajonit. Inovacioni mund të stimulohet vetëm nga investime perëndimore, sepse atje është baza e gjenerimit të zbulimeve të reja dhe e hulumtimeve shkencore. Në epokën e revolucionit digjital, në të cilën po jetojmë, është pikërisht ky lloj bashkëpunimi dhe i investimeve për të cilin kemi nevojë. Kur kësaj i shtojmë edhe etikën profesionale, përvojat dhe metodat e mirëfillta të afarizmit perëndimor, që dallojnë shumë nga metodat me traditë “bizantine” dhe mundësitë për qasje në tregjet e BE-së, potencialet e përfitimit bëhen edhe më të qarta.

Zëri: Por, a është vendi ynë i gatshëm për këtë?

Dobruna: Druaj se jo. I gjithë rajoni po zien. Shiheni luftën bizare politike në Shqipëri, pastaj atë në Maqedoni. Edhe Kosova është në një stagnim të vazhdueshëm për shkak të papërgjegjësisë së kastave politike. Kriza në të cilën jemi futur qe gati katër vjet ka dëmtuar ekonominë, proceset reformuese dhe potencialet për tërheqjen e investimeve. Lufta e paskrupullt për pushtet, “kauzat” e sajuara politike, gjuha e urrejtjes, linçimet publike të gazetarëve dhe intelektualëve, zgjerimi i hendekut në mes të politikës dhe qytetarit dhe rritja e mosbesimit të ndërsjellë po e pengojnë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një stabiliteti të qëndrueshëm si bazë e domosdoshme për zhvillim. Legjitimiteti i shtetit është vazhdimisht i kërcënuar, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Në një mjedis të tillë, investime nuk mund të ketë. Shifrat flasin vetë. Në 2016-a Investimet e Huaja Direkte ranë për rreth 30%. Struktura e tyre është edhe më keq. Natyra e investimeve është e paqëndrueshme dhe joproduktive. Pjesa dërrmuese e tyre janë ose riinvestime të profiteve të bankave ekzistuese, ose investime të diasporës në blerjen e shtëpive apo banesave. Investimet në prodhim, në industri, shërbime etj, janë po thuaja se joekzistuese. Prandaj, unë ndiej një shqetësim shumë të madh se ne nuk do të dimë dhe nuk do të jemi të gatshëm të përfitojmë as nga kjo valë e re e investimeve perëndimore.

Zëri: Çfarë duhet të bëjmë që ky skenar të mos realizohet?

Dobruna: Me një fjalë: të kundërtën e asaj që po e bëjmë sot. Para se gjithash duhen investime në arsim dhe inovacion, ndërgjegjësim politik për sfidat zhvillimore, hartim i politikave koncesuale të karakterit nacional për zhvillim ekonomik dhe zero ndërmarrësi politike e struktura mafioze në ekonomi. Një hapje e sinqertë ndaj Perëndimit, posaçërisht ndaj investitorëve, mund të jetë katalizatori më i mirë në këtë proces.