Ministri Ferat Shala mbajti ligjëratë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike – Universiteti i Prishtinës

Ekonomia March 30, 2017 - 16:15

Në ligjëratën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Inxhinieri Mekanike, me temën   "Zhvillimi i projektit të parkut të erës për tregjet në zhvillim - nga praktikat ndërkombëtare"  Ministri Ferat Shala në fjalën mirëseardhëse tha se Qeveria e Kosovës po mbështet një qasje të integruar me synim që të gjejë një ekuilibër mes zhvillimeve ekonomike, mbrojtjes së mjedisit dhe të çështjeve sociale.

Me qëllim të mbrojtjes së mjedisit Ministria e Mjedisit ka hartuar një sërë dokumentesh strategjike si Strategjinë e Mjedisit si dhe Strategjitë e Sektorëve tjerë si: të mbeturinave, biodiverzitetit, cilësisë së ajrit, ndryshimit klimatike dhe të strategjisë së ujerave. Hartimi i këtyre dokumenteve strategjike është në lidhje të ngushtë me strategjinë e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.

Plani Kombëtar i Veprimit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (PKVBRE) (2011-2020) me caqe të caktuara dhe masa që duhet ndërmarrë për përmbushjen e tyre deri më 2020 paraqet politikën gjithëpërfshirëse të Qeverisë për nxitjen e shfrytëzimit të BRE-ve në Kosovë.

Shfrytëzimi i këtyre burimeve për prodhimin e energjisë përbën objektiv afatgjatë për realizimin e tri qëllimeve të politikës energjetike të vendit siç janë: mbështetja e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik; rritja e sigurisë së furnizimit me energji dhe mbrojtja e mjedisit.