Mbi 1 miliard euro kredi hipotekare

Ekonomia March 27, 2017 - 09:48

Nga 2.2 miliardë euro sa është vlera e përgjithshme e kredive të lëshuara nga bankat komerciale, mbi 1 miliard euro janë vetëm kredi hipotekare. Kërkesa për kredi hipotekare po rritet vazhdimisht, përderisa norma e interesit për kredi të tilla ka rënë në minimum

Mbi 1 miliard euro është shuma e përgjithshme e kredive hipotekare të aprovuara nga bankat komerciale në vend, derisa vetëm vitin e kaluar janë aprovuar mbi 71 milionë euro kredi të tilla.
Bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) del se gjysma e kredive të përgjithshme janë hipotekare, nga 2.2 miliardë euro sa është vlera e gjitha kredive të lëshuara nga bankat.

Kërkesa nga klientët e bankave për kredi hipotekare po shënon rritje të vazhdueshme nga viti në vit, ku, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2016 vlera e përgjithshme e kredive të reja hipotekare është për 5,3 për qind më e lartë, krahas vitit paraprak.
Kërkesat në rritje për kredi hipotekare po i determinojnë edhe normat e ulëta të interesit në kredi, të cilat janë përgjysmuar, krahasuar me pesë vjet më parë.
Tashmë në banka komerciale klientët mund të marrin kredi hipotekare me norma shumë të favorshme të interesit, derisa normat e tilla në të kaluarën kanë qenë dukshëm më të larta.

“ProCredit Bank”,  me normë efektive vjetore të interesit duke filluar nga 4,10%

Driton Hetemi, udhëheqës i departamentit për Klientët Privatë në “ProCredit Bank” thotë se kjo bankë tashmë ka lansuar fushatën për kredi të lira hipotekare.

“Për ta ilustruar këtë që po e them, vitin 2017 e kemi nisur me ofertë speciale për kredi hipotekare me normë nominale vjetore të interesit duke filluar nga 3,95%, ose normë efektive vjetore të interesit duke filluar aktualisht nga 4,10 %. Duke qenë se banka jonë fokusohet në ofrimin e kredive hipotekare për pranuesit e të hyrave të rregullta mujore përmes bankave, konsiderojmë që rënia e interesit të këtyre kredive nënvizon edhe më tej fokusin e bankës sonë në ofrimin e shërbimeve bankare duke ndihmuar ekonomitë familjare në përmirësim të mëtejmë të mirëqenies se tyre”, ka thënë ai për “iBANK”.

Image

Hetemi bën të ditur se kreditë hipotekare jepen me maturitet deri në 180 muaj, ndërsa vlera maksimale e një kredie hipotekare është 250.000 euro.

Ai ka shtuar se banka vazhdon të jetë thellësisht e fokusuar në kreditimin e përgjegjshëm të ekonomive familjare. Sipas tij, në këtë kontekst fokusin kryesor banka e drejton tek kreditimi i klientëve privatë me kredi hipotekare, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetës dhe mirëqenies familjare. Ai tregon se në 2016 banka ka rritur portolfion e kredive hipotekare për 50,4%.

“Komfort modelit të biznesit që ‘ProCredit’ aplikon, mund të konfirmojë që kreditë hipotekare qëndrojnë në një trend rritës”, ka thënë ai.

Kreditë hipotekare u rritën për 5,3%

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, thotë se vlera e përgjithshme e kredive hipotekare të lëshuara gjatë vitit 2016 ishte për 5,3 për qind më e lartë sesa vitin paraprak.

“Vlera e kredive të reja hipotekare të lëshuara gjatë vitit 2016 ishte 71.2 milionë euro, apo 5.3 për qind më e lartë se vlera e një viti paraprak. Duke u bazuar në të dhënat e vitit 2015 vlera e kredive të reja hipotekare të lëshuara gjatë vitit 2015, ku qytetarët kanë marrë kredi nga bankat për blerje të banesave, shtëpive kap shumën e 67.6 milionë eurove” ka thënë Kada, duke shtuar se shuma e përgjithshme e kredive hipotekare të aprovuara nga sistemi bankar kalon shumën prej 1 miliard euro.

Kada më tutje tregon se normat e interesit në kredi kanë shënuar rënie të theksuar në vitet e fundit. Sipas tij, duke i krahasuar me pesë vjet më parë, normat e interesit në kredi janë përgjysmuar, duke zbritur kështu në nivelin e mesatares së vendeve të rajonit.

“Në dhjetor të vitit 2016 norma mesatare e interesit për kredi hipotekare në Kosovë ishte 6,06%. Zhvillimet në normat e interesit varen nga faktorë të shumtë, të cilët mund të jenë të lidhur me zhvillimet specifike brenda bankave si dhe me ambientin e përgjithshëm ku sistemi bankar e zhvillon aktivitetin e tij. Në këtë kontekst, rritja e mëtejme e efikasitetit operacional të bankave së bashku me përmirësimin e mëtejmë të ambientit të përgjithshëm afarist në Kosovë sigurisht se mund të çojnë drejt rënies së normave të interesit edhe në të ardhmen” ka thënë Kada për “iBANK”

Image

Sipas tij, norma mesatare e interesit në kreditë hipotekar në dhjetor të vitit 2015 ishte 6,99 për qind.

Kada më tutje tregon se  nga fillimi i këtij viti në industrinë bankare mund të merren produkte të kredive hipotekare edhe nën 4 për qind.

Sipas tij, kjo ulje e normës gjithsesi se do të ndikojë edhe në shtim të kreditimit në ketë sektor ku qytetarët janë të interesuar që të marrin  kredi hipotekare, qoftë për banim parësor apo edhe për objekte e banesa për afarizëm.

Asnjë kredi hipotekare e dështuar

Driton Hetemi, udhëheqës i departamentit për Klientët Privatë thotë se ”ProCredit” ka nivelin më të ulët në treg të kredive joperformuese pasi që, sipas tij, banka i kushton shumë kujdes edukimit financiar gjatë diskutimeve të rregullta që  këshilltaret e bankës kanë me klient

“Gjithashtu edhe për shkak të modelit tonë biznesor, i cili nuk favorizon kreditë konsumuese dhe bën analiza të shëndosha financiare për ta vlerësuar kapacitetin financiar të klientëve tanë për kthim të kredisë. Marrë për bazë këto elemente, deri më tash banka jonë nuk ka asnjë kredi hipotekare të dështuar”, ka thënë ai.

Hetemi tregon se gjatë vitit që lamë pas banka nuk është vënë para nevojës për të shitur ndonjë hipotekë të lidhur me kredi hipotekare.

Hetemi më tutje tregon se kohëve të fundit edhe sistemi drejtësisë është duke u treguar më efikas në trajtimin e lëndëve bankare.

Sipas tij, me hyrjen në fuqi të Ligjit të Procedurës Përmbarimore është shënuar ngritje në performancë dhe efikasitet në trajtimin/ekzekutimin e rasteve. “Pavarësisht ngritjes së efikasitetit ka hapësirë për ngritje të mëtutjeshme në këtë drejtim” ka thënë Hetemi.

Në anën tjetër Besnik Kada nga Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se BQK-ja nuk ka të dhëna se sa është vlera e kredive hipotekare të dështuara deri më tash.

Kreditë hipotekare zhvillojnë ekonominë

Halim Gjergjizi, profesor i ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se kreditë hipotekare përpos që zgjidhin problemet jetësore sidomos të gjeneratave të reja, ato sipas tij ndikojnë direkt edhe në zhvillimin e ekonomisë së shtetit tonë.

Sipas tij, në momentin kur rritet kërkesa për kredi, rritet kërkesa për ndërtim, e ku përmes ndërtimit shteti zhvillohet. “Në shumë shtete të zhvilluara promovohen kreditë hipotekare vetëm e vetëm për zhvillim të ekonomisë, sepse nga kredia zhvillohet industria bankare, hapen vende të reja pune, por edhe zhvillohen kompani tjera indirekte që ndërtojnë dhe mobilojnë objektet. Po ashtu, nga kreditë hipotekare më së shumti fitojnë gjeneratat e reja të cilët bëhen pronarë të një banese, apo shtëpie, kundrejt një kësti mujor sa është ai i qirasë së banesës, apo shtëpisë”, ka thënë ai për “iBANK”

Më tej profesor Gjergjizi thotë se në shtete të zhvilluara bankat më masë të madhe promovojnë kreditë hipotekare, ndërkaq sipas tij, në vendin tonë këto lloje të kredive kanë filluar të promovohen vetëm viteve të fundit.

“Nga kreditë hipotekare bankat kanë siguri të plotë, por edhe qytetaret që përfitojnë pasi që blejnë një pronë për 20 vjet pa iu rënduar gjendja e tyre financiare”, ka thënë ai.

Tafa: Kam shitur mbi 100 banesa me kredi hipotekare

Bajram Tafa, pronar i kompanisë ndërtimore “Model Sllovenia”, kompani kjo e cila ka ndërtuar qindra banesa në Fushë Kosovë, thotë se gjatë vitit 2016 është rritur dukshëm kërkesa e të rinjve për të blerë banesa me kredi hipotekare.

Ai thotë se gjatë vitit që lamë pas ka shitur më shumë se 100 banesa përmes kredive hipotekare. Sipas tij, trend i njëjtë i shitjes ka filluar edhe nga fillimi i këtij viti.

“Kompania jonë ka marrëveshje me të gjitha bankat komerciale që veprojnë në vendin tonë për shitjes të banesave nëpërmjet kredive hipotekare. Disa banka po iu ofrojnë mbështetje me kredi deri në 80 për qind, e disa banka përqindje më të vogël të financimit. Që nga fillimi ne kemi shitur banesa përmes kredive hipotekare, por vitin e fundit numri është rritur dukshëm”, ka thënë Tafa për “iBANK”

Ai thotë se për ta lënë banesën hipotekë në bankë, kjo e fundit kërkon që kompania ndërtuese ta këtë në rregull të gjithë dokumentacionin.

Tafa më tej thotë se kompania që drejton ai i respekton të gjitha planet urbane, ku të gjitha banesat që i ka ndërtuar janë me leje ndërtimi, por edhe të pranuara teknikisht.

*1.000.000.000 euro është vlera e përgjithshme e kredive hipotekare të aprovuara nga bankat komerciale në Kosovë.

*Normë efektive vjetore të interesit duke filluar aktualisht nga 4,10%

*71.2 milionë euro është shuma e kredive të reja hipotekare që janë aprovuar nga bankat komerciale vetëm gjatë vitit të kaluar, të cilat janë rritur për 5,3 % në raport me vitin paraprak.

*67,6% e investimeve të huaja në vitin 2016 janë në sektorin e patundshmërisë.