Shtetet që kanë bankat më të sigurta në botë

Ekonomia March 22, 2017 - 08:12

Nga analiza doli në pah fakti se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja nuk u besojnë sistemeve të tyre bankare pas krizës financiare të 2008-s. Ato u renditën respektivisht në vendet e 89 dhe 49

Forumi Ekonomik Botëror publikoi së fundmi Analizën për Konkurrencën Globale, që ofron një grup treguesish për të treguar shëndetin e institucioneve të një vendi. Një prej këtyre ishte perceptimi i sigurisë së bankave. FEB përdori analizën e vet në kategorinë e opinionit për të pyetur “si e perceptoni shëndetin e bankave?” Kështu, matja nuk u bë nga aspekti objektiv ekonomik, por nga perceptimet e popullatës.

Vendet janë renditur nga njëshi (bankat që kanë nevojë për më tepër para), deri te shtata (bankat që janë përgjithësisht të shëndetshme). Nga analiza doli në pah fakti se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja nuk u besojnë sistemeve të tyre bankare pas krizës financiare të 2008-s. Ato u renditën respektivisht në vendet e 89 dhe 49. Në listën e mëposhtme përfshihen 34 vendet që konsiderohen si ekonomi relativisht të zhvilluara me sisteme demokratike.

Kanadaja

Bankat kanadeze janë shquar prej kohësh për stabilitet. Vendi ka pasur vetëm dy dështime të vogla në sistemin bankar në gjithsej 100 vjet dhe zero falimente gjatë Depresionit të Madh në vitet 1930, prandaj me meritë është kampione për sa i përket bankave më të sigurta në botë.

Zelanda e Re

E dyta në numër, Zelanda e Re ka një sektor bankar që dominohet nga një grup i pesë aktorëve kryesorë financiarë. Përfitimet e mëdha dhe zhvillimi pa shumë konkurrencë, e ka bërë sektorin të lulëzojë.

Australia

Një grup i vogël prej katër bankash të mëdha ndajnë shumicën e sektorit bankar në Australi, ndërsa bankat e huaja rregullohen në mënyrë rigoroze, për të siguruar fuqinë e sistemit bankar.

Finlanda

Sektori bankar i Finlandës dominohet nga bankat bashkëpunuese dhe të kursimeve, të cilat ndërmarrin pak rreziqe. Guvernatori i bankës qendrore në vend, Erkki Liikanen, ka çarë rrugën me propozime për të ndarë investimin bankar dhe depozitat që ndodhen te huadhënësit evropianë.

Norvegjia

Në vendin e pestë, Norvegjia vuajti një krizë bankare në vitin 1991, ku dy nga katër huadhënësit e saj më të mëdhenj, falimentuan. Qeveria ndërhyri dhe ndryshoi ligjet për të stabilizuar sektorin. Tani gjendja është shumë e mirë.

Kili

Sistemi bankar i Kilit është një shembull i mirë për pasojat pozitive të një krize. Zhvillimi ekonomik i vendit ra 13 për qind në vitin 1982 pas një kolapsi të madh bankar. Ligjet e reja të paraqitura në vitet 1980 dhe 1990 kanë bërë që tani Kili të ketë një nga sektorët bankarë më të fortë në botë.

Luksemburgu

Nuk është befasi fakti që Luksemburgu ka dalë në listën e vendeve me sisteme të mira bankare, pasi vendi është i famshëm për sektorin financiar. Banque et Caissed’Épargne de l’État (banka e themeluar dhe zotëruar nga shteti i Luksemburgut) është e nënta në renditjen e bankave më të sigurta në botë.

Izraeli

I renditur në vendin e tetë, Izraeli nuk ka pasur një krizë të madhe financiare që nga viti 1983, kur qeveria u detyrua të ndërhyjë. Shteti mbetet ende një aksioner i madh në shumë banka private.

Sllovakia

Ashtu si në Republikën Çeke, grupet e huaja bankare dominojnë industrinë financiare të Sllovakisë, në 90 për qind të përbërjes së saj. Bankat austriake dhe italiane janë aktorët më të mëdhenj në vend.

Zvicra

Megjithëse përfshihet në dhjetëshen më të mirë, njerëzit po e humbasin besimin në bankat e Zvicrës. Tradita shekullore e vendit në lidhje me sekretin bankar, po kthehet së prapthi, teksa Banka Kombëtare e Zvicrës së fundmi humbi 51 miliardë dollarë, pasi braktisi tavanin e frangës zvicerane.

Republika Çeke

Sistemi bankar çek është i pazakontë për faktin se huadhënësit e huaj dominojnë industrinë, por duket se konsumatorët nuk e kanë problem këtë gjë. Për nga shëndeti, bankat renditen në vendin e 11 në botë.