Stavileci: Viti 2017, vit i zhvillimit ekonomik

Ekonomia March 18, 2017 - 08:37

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, vitin 2017 e ka quajtur vit të zhvillimit ekonomik, duke konfirmuar se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është prioritet i institucionit që e drejton.

Stavileci ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji pritet të finalizohet faza financiare e këtij projekti.

“Në fund të këtij muaji pritet të finalizohet ky projekt. Po të mos ishte “Kosova e Re” çmimi i energjisë do të vazhdonte të ishte i lartë. Sivjet energjia ka pasur çmim të importit prej 348 eurosh për megavat, kurse ne me investitorin në këto marrëveshje që po i nënshkruajmë e kemi vendosur njërin prej kushteve që në asnjë rrethanë çmimi mos t’i kalojë 80 euro për megavat. Ky është projekt që na siguron furnizim të rregullt me energji dhe si rezultat i jofurnizimit të rregullt janë humbur diku 300 milionë euro në vit”, tha Stavileci të premten gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja “Fol”.

Ai tha që me këtë investim pritet një numër i madh i vendeve të reja të punës.

“Me këtë investim ne edhe e zgjedhim problemin e rrymës edhe ndikojmë në zhvillimin ekonomik dhe gjithashtu krijohen vende të reja pune. Pritet diku deri në 10.000 vende të reja pune gjatë ndërtimit dhe 500 vende të tjera gjatë operimit. Një gjë tjetër e rëndësishme është që më herët janë dashur 40 vjet që të operojë investitori, pastaj të kthehet në pronë publike, ndërsa tash e 20 vjet investitori operon, ndërsa në vitin 21 kthehet në pronësi publike”, ka shtuar Stavileci. 

Megjithatë ministri Stavileci tha se ky termocentral do të jetë funksional tek në vitin 2022.

 Stavileci foli edhe për probleme të tjera si ai i ndotjes. Ai tha që do të punohet në këtë drejtim që teknologjia të mos e shkatërrojë ambientin.

“Ne edhe aty e kemi vënë njërin prej kushteve elementare, që teknologjia e cila përdoret të jetë miqësore ndaj ambientit dhe ajo matet me shkallën e eficiencës. Më herët ka qenë 37%, ndërsa sot është 40%. Është dashur të kontribuohet nga buxheti i shtetit, por ne edhe atë e kemi eliminuar për të lënë hapësirë për projektet dhe investimet tjera kapitale”, tha ai.

Ai gjithashtu përmendi edhe prioritetet në fushën e teknologjisë dhe të informacionit. Stavileci të rinjtë dhe teknologjinë i konsideroi si e ardhmja e ekonomisë.

Stavileci në këtë debat ftoi gjithë të rinjtë që t’iu bashkohen trajnimeve të ndryshme, në mënyrë që të kyçen më lehtë në tregun e punës. Sipas tij, fusha e teknologjisë mund të ndikojë në zvogëlimin e papunësisë. 

 

“Nëse sot e shihni bilancin tregtar të vendit tonë dhe e shihni që ai është negativ, e vetmja fushë ku e kemi pozitiv është fusha e shërbimeve. Pikërisht këtu kemi mundësi të orientohemi. Është i vetmi sektor që në pesë vjetët e fundit e ai ka një rritje prej 23.5%. Sivjet është buxhetuar fondi për IT që do t’i ketë katër programe. Pra janë tri sektore ku ne jemi fokusuar: Energjia, minierat dhe IT-ja”, tha Stavileci.

Ndërsa sa i përket çështjes së “Trepçës”, ministri Stavileci tha që është punuar shumë pak,  por ai tha që tani ka shumë kompani që kanë shprehur interesim për investime por, sipas tij, janë duke pritur studimin e fizibilitetit.

 

Ai në fund tha se pavarësisht nëse vendi do të shkojë në zgjedhje apo jo, kjo nuk do të ndikojë në ndërlikimin e finalizimit të termocentralit “Kosova a Re” pasi që, siç tha ai, kushdo që të vijë në pushtet do të jetë ai që nuk do ta lë këtë projekt që të ngecë.