Mustafa tregon se përse është kundër tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor

Ekonomia March 17, 2017 - 15:50

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar arsyet se përse ai kundërshtoi që të mos bëhet pjesë e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, transmeton “Zeri.info”.

Kreu i ekzekutivit, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se, Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është.

LEXO EDHE: Pse Kosova ka dilema të hyjë në tregun e përbashkët të Ballkanit?

Sipas Mustafës, Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor; punën e përbashkët në tërheqjen e investimeve të huaja, bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve, njohjen dhe respektimin e diplomave, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, përcjell "Zeri.info".

Postimi i plotë i Mustafës:

Tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve.

Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është.

Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri.

Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!

Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor; punën e përbashkët në tërheqjen e investimeve të huaja, bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve, njohjen dhe respektimin e diplomave, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.

Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik Evropian, mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Image

Image

Image