Projekti i Shpend Ahmetit i paraparë të përfundojë për 6 muaj, zgjat 2 vjet

Ekonomia March 16, 2017 - 16:30

Ndërtimi i Platosë mbi Kurriz të lagjes Dardania në Prishtinë i ka tejkaluar të gjitha afatet kohore të kryerjes së punëve. Projekti nuk do të përfundojë deri në gjysmë e këtij viti.

Fillimisht, shkaktarët e zvarritjes së punëve është thënë se ka qenë projekti i bërë keq, i cili ka qenë në kundërshtim më gjendjen në teren. Tash, zyrtarët e kompanisë kontraktuese thonë se në dimër nuk kanë mund të punojë dhe se punët janë në finalizim.

Punëtorët në njërën anë, qytetarët të shumtë që lëvizin dhe kafenetë e mbushura me tavolina mbi Plato në anën tjetër. Kjo është pamja mbi Platonë e Kurrizit, punimet mbi të cilën po zgjasin që shumë kohë.

Mesi i Platosë ka nisur të merr pamjen e një Bulevardi, pasi në skajore mbi të është hedhur dhe për të mbjellë pakë gjelbërim dhe ndonjë lis dekorativ. Por, po të shihen dy hyrjet e Kurrizit nga ana e shtatores Bill Klinton dhe objektit të Postës lihet përshtypja se aty do të punohet tërë vitin, pasi ende nuk është pllakosur një pjesë e madhe.

Me 8 Qershor 2015, kompania “Rexha&Loni” dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e Bulevardit mbi “Kurriz” në lagjen Dardania në vlerë prej 948 mije e 825 euro. Punimet ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune. Nga koha kur është lidhur kontrata e deri më tani janë bërë afër dy vite, shkruan lajmi.net.

Sipas kontratës së nënshkruar në mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë punëkryese, projekti është dashur të kryhet në pranverën e vitit 2015.

Shkurte Sadiku, menaxhere e kompanisë Rexha, për Platon mbi Kurriz nuk ka dashur të komentojë lidhur me vonesat e shkaktuara në projekt. Ka thënë se maksimumi brenda tre muajve punët do të përfundojnë, nëse, siç ka thënë ajo, nuk do të këtë shumë të reshura me shi në pranverë.

“Punët do të kryhen si është më së miri. Besoj që maksimumi brenda tre muajve do të përfundojë i gjithë projekti, por nuk dëshirojë të kapëm për data pasi bëhet fjalë për projekt kapital dhe duhet kohë me diell. Thuajse jemi në fazën finale të punëve, kanë mbetur disa skajore dhe dy hyrjet e Platos. Nuk është projekt që po ndërtohet sot për nesër, po punohet në mënyrë serioze”, tha Sadiku për lajmi.net.

Një pjesë të madhe ende të pa demoluar të Platos në afërsi të objektit të Postës së Kosovës, Sadiku e ka arsyetuar lidhur më atë se, aktualisht nuk po mundën ta demolojnë shkaku i shiut. “Na duhen së paku dhjetë ditë të parashikohet moti që nuk do të këtë shi që të demolohet objekti”, shtoi arkitektja Sadiku.

Para pakë ditësh një kallëzim penal është bërë kundër udhëheqësve lokalë të Prishtinës për keqqeverisje. Padia është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Banorët akuzojnë Shpend Ahmetin se po i neglizhon qëllimisht punimet mbi Platon e Kurrizit, pasi këta janë simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kallëzimi Penal i bërë nga përfaqësuesit e bashkësisë lokale dhe qytetarët e lagjes “Dardania” në Prishtinë kanë tregon për dyshimet se Drejtoria e Infrastrukturës nuk i kanë respektuar rregullat e parapara me ligj rreth, rreth zhvillimit të punimeve të kontraktuara për restaurimin e platosë në Kurriz në lagjen Dardania.

Kallëzimi penal, thotë se mos respektimi i rregullave ka shtyrë t’u rrezikohet jeta e qytetarëve të kësaj zone. “Ekziston dyshimi i bazuar se personat zyrtarë të këtij projekti e kanë neglizhuar për përfitime personale dhe duke e keqpërdorur pozitën zyrtare, është dashtë të përfundojë brenda afatit të paraparë në afat prej 190 ditësh, që do të thotë se punimet kanë filluar më 15.092015, dhe se tani janë në mesin e punimeve të këtij projekti, data 23.02.2017”, potencohet në Kallëzimin Penal. Qytetarët, siç thuhet në Kallëzim Penal, kanë paralajmëruar Komunën e Prishtinës disa herë për këtë çështje, mirëpo sipas tyre, kjo ishte e kotë.

Lajmi.net, vitin e kaluar ka gjetur se njëri  prej disa shkaktarëve të zgjatjes së punimeve ka qenë projekti i hartuar gabimisht të cilin e ka hartuar kompania “Smart Projekt”.

Projekti si i tillë ishte pranuar nga Drejtoria e Infrastrukturës së Prishtinës dhe i njëjti i është dhënë kompanisë “Rexha” për implementim. Me të filluar punimet mbi Plato, kompania “Rexha”, kishte hetuar se gjendja në teren nuk përkon me projektin. Projekti nuk ka qenë i mirë projektuar tek shtresat e poshtme të pllakave, pasi që ato kanë qenë më të trasha disa herë më shumë se sa kompania projektuese kishte prezantuar mostrat e veta. Duke parë gabimet drastike të projektit, Komuna  e Prishtinës e ka korrigjuar atë dhe më pas e ka lidhur edhe një aneks kontratë me kompaninë “Rexha” në gjysmën e muajit nëntor 2015. Vlera monetare ka qenë 97,588.62 euro.

Edhe, Shkurte Sadiku, menaxhere e kompanisë Rexha, në shtatorë të  vitit të kaluar kishte thënë se shkaktar i vonesave është mos përshtatja e projektit me gjendjen ekzistuese në teren.

Lajmi.net e posedon arsyetimin e Zyrës së prokurimit të Prishtinës të parashtruar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit, nga ku ka kërkuar leje të lidh edhe një aneks kontratë me kompaninë “Rexha”.

“Autoriteti kontraktues ka zbatuar me kujdes këtë projekt, por gjatë zbatimit të projektit janë paraqitur mangësi të mëdha, siç janë remetat e skicave, detaleve dhe sasive në pozicione ku pa realizimin e këtyre pozicioneve është jo funksional. Të metat të cilat janë identifikuar gjatë realizimit të këtyre pozicioneve janë: 1. Termoizolimi ekzistues në teren, sipërfaqja ekzistuese e të cilit është e trash 8 centimetra, 2. Rëra të trashësi 18 cm e cila ka për qellim ramjen e platos, ku gjatë projektimit këto dy shtresa në një trashësi 24- 26 cm, nuk është kalkuluar gjatë frazës së projektimit. Ndaj është edhe emetë e kuotës në raport me  gjendjen ekzistuese dhe në kundërshtim me atë planifikuese”, thuhet në sqarimin e Komunës drejtuar KPPP-së, transmeton lajmi.net.

“Drejtoria e Infrastrukturës së bashku me projektuesin kanë ardhur në një përfundim, ku duhet të bëhet patjetër realizimi i këtyre pozicioneve, pa të cilat ky projekt nuk mund të realizohet. Si rezultat i këtyre kërkesave dhe ndryshimeve paraqitet domosdoshmëria e punimit të këtyre pozicioneve që sipas çmimeve të kontratës është në vlerë prej 97 mijë e 588 euro. Bazuar në këto e shohim si të domosdoshëm realizimin e punës shtesë në këtë projekt”, thuhet tutje në këtë shpjegim.

Image

Komuna e Prishtinës nuk kishte pranuar të jap asnjë informacion lidhur me Platon mbi Kurriz, ndërkohë që lajmi.net ka kërkuar të këtë qasje edhe në kontratat e nënshkruar, por një gjë  tillë nuk i është lejuar.

Auditori Gjeneral, kishte evidentuar hartimi i projektit të Platosë ishte kontraktuar dy herë për të njëtën punë.

“ Ndërtimin e bulevardit mbi kurriz- 977,726€, komuna kishte lidhur kontratë ku ishte përfshirë edhe pozicioni për hartimin e projektit pas ekzekutimit. Në këtë mënyrë ishte bërë kontraktim i  dyfishtë për këtë shërbim, pasi që komuna kishte bërë hartimin e projektit para fillimit të procedurës së ekzekutimit, ndërsa kontrata për projektin ende nuk është finalizuar”, thuhet në Raportin e Auditorit Gjeneral të publikuar për Komunën e Prishtinës vitin e kaluar, lidhur me pasqyrat financiare të vitit 2015.

Auditori kishte shfaqur rrezikun që ”Kontraktimi shërbimeve për pozicione të kryera rezulton me pagesa të dyfishta për të njëjtin shërbim, duke shkaktuar shpenzime të parregullta të parasë publike dhe dëmtim të buxhetit komunal”.

 

Image