Tregjet në rrugë e trotuare
Në Mitrovicë, në Skenderaj, në Vushtrri, në Drenas e në Istog, përveç ditëve të tregut, shitësit ambulantë shfrytëzojnë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike për t’i shitur mallrat e tyre, duke krijuar në këtë mënyrë minitregje në hapësira publike. Përveçqë pengojnë lëvizjen e qytetarëve, shitësit rrezikojnë skajshmërish edhe shëndetin e qytetarëve, pasi që në rrugë ekspozohen edhe prodhime të mishit, madje edhe të qumështit
Trotuaret dhe hapësirat publike në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, si dhe në Drenas e Istog, përveç ditëve të tregut mbushen përplot me shitës ambulantë, por edhe me tregtarë të prodhimeve të ndryshme bujqësore, të cilët u ikin tregjeve, më shumë për shkak se në trotuare dhe në hapësira publike janë më afër konsumatorëve sesa për shkak të taksave që duhet të paguajnë kur shfrytëzojnë tregun. Përveç shitësve ambulantë të produkteve të imta, shkelës të ligjit janë edhe pronarë të dyqaneve tregtare ushqimore, të marketeve dhe të produkteve të tjera, të cilët hapësirat publike para dyqaneve të tyre i zënë me mallra.
Më me rrezik për shëndetin e qytetarëve janë produktet ushqimore që ekspozohen në rrugë dhe jashtë objekteve të shitjes. Ekspozohen edhe prodhimet e mishit, qumështit dhe prodhimet e qumështit, gjithçka që është rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ditëve të tregut zakonisht disa nga shitësit e mallrave të ndryshëm nuk hyjnë fare në treg, por prodhimet e tyre i vendosin para dyerve të tregjeve, praktikisht në rrugë. Një gjë e tillë ndodh zakonisht në Drenas, kur të enjteve, që është ditë tregu, shitësit të cilët nuk duan të hyjnë në treg e mbyllin krejtësisht rrugën me mallrat që i vendosin dhe në këtë mënyrë pengojnë edhe lëvizjen e automjeteve dhe të njerëzve.
Në Mitrovicë gjobiten shitësit
Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, tha se inspektorët e tregut janë të detyruar që për çdo të enjte ta pastrojnë atë pjesë nga shitësit e ndryshëm. “Të enjteve inspektorët dalin dhe e pastrojnë atë pjesë. Tregtarët, të shumtën i vendosin prodhimet e tyre në rrugë, nuk hyjnë në treg. Inspektorët i urdhërojnë që ta shfrytëzojnë tregun. Kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë, por tani në kohë të fundit janë vetëm 4-5 shitës që vazhdojnë me të njëjtën praktikë. Ndryshe, janë edhe 2-3 shitës ambulantë në qendër, të cilët vazhdimisht shesin aty dhe nuk shkojnë në treg”, ka thënë Dobra.
E ndërkaq kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, prejse ka marrë qeverisjen me Mitrovicën i ka kushtuar rëndësi të veçantë mbrojtjes së ambientit, ndërkohë që të gjithë shkelësit e Rregullores për Shitje të Mallrave janë gjobitur. Në një rast, kryetari Bahtiri ka dalë vetë në terren, natyrisht i shoqëruar nga inspektorët dhe u pati rekomanduar të gjithë shitësve ambulantë që të mos i shfrytëzojnë hapësirat publike, trotuaret dhe rrugët për shitje të mallrave të tyre dhe i pati urdhëruar që ata ta shfrytëzojnë tregun. Ky aksion i kryetarit të Mitrovicës kishte ardhur pas shumë ankesave të qytetarëve, të cilët i kishin kërkuar kryetarit Bahtiri që t’i lirojë trotuaret nga shitësit ambulantë, sepse siç kishin thënë ata “nuk po mund të lëvizin nëpër trotuare dhe rrugë”. Për një kohë, tregtarët kishin respektuar urdhëresën e Bahtirit dhe të Drejtorisë së Inspeksionit, por në kohë të fundit, gjendja është kthyer si përpara. Tani, jo vetëm shitësit ambulantë që shesin mallrat e tyre nëpër trotuare dhe rrugë, por edhe pronarë të dyqaneve i vendosin mallrat e tyre para objekteve të shitjes dhe ato i ekspozohen pluhurit. I pari i Mitrovicës nuk ka lejuar fare që të diskutohet për gjetjen e ndonjë hapësire për personat që prodhimet e tyre i shesin rrugëve të qytetit. “Nuk dua as të dëgjoj dhe as të diskutoj për diçka të tillë. Asnjë shitës nuk bën t’i ekspozojë mallrat nëpër asnjë rrugë të qytetit, por në Tregun e Gjerbët, ku e kanë vendin. Inspektorët të ndërmarrim masa ndaj të gjithë atyre shitësve që nuk i përfillin urdhëresat e zyrtarëve komunalë”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Tregu, i zbrazët
Në anën tjetër zëdhënësja e Komunës së Istogut, Jeta Balaj, i tha “Zërit”, të martën se Komuna ka një rregullore, e cila respektohet në tërësi edhe nga tregtarët. “Komuna ka një rregullore, me të cilën rregullohet shitja e mallrave përbrenda objekteve të shitjes, por me të cilën edhe lejohet ekspozimi i mallrave jashtë objekteve të shitjes, natyrisht nëse ato nuk pengojnë lëvizjen e qytetarëve”, tha Balaj. Ajo shtoi se pronarët e dyqaneve tregtare, të marketeve dhe të objekteve të tjera të shitjes, të cilëve u lejohet t’i ekspozojnë mallrat jashtë objekteve të shitjes, i paguajnë Komunës taksa për hapësirën që u lejohet. “Ata paguajnë për hapësirën që u jepet për t’i ekspozuar mallrat, me metër katror, sipas kërkesës së tyre. Kjo është e lejuar dhe e paraparë me rregullore”, tha Balaj. Sipas saj, inspektorët e tregut të Komunës së Istogut janë shumë vigjilentë dhe nuk lejojnë shitësit të tregtojnë jashtë hapësirave të Tregut të Gjelbër.
Në komunën e Skenderajt është një gjendje krejtësisht tjetër nga ajo e Istogut. Tregu i qytetit në Skenderaj, i cili është modern dhe i plotëson maksimalisht kushtet për shitje, shfrytëzohet vetëm të hënave, kur është ditë tregut. Ditëve të tjera shitësit kanë zgjedhur rrugën dhe trotuaret për t’i shituar mallrat e tyre. Madje edhe në ditë tregu shitësit ambulantë vendosin tezgat skaj trotuareve e skaj rrugëve dhe shesin mallrat e tyre. Sidomos shitësit ambulantë janë të përqendruar në rrugën “Ilaz Kodra”. Shefi i Inspeksionit në Drejtorinë për Shërbime Publike në Komunën e Skenderajt, Valon Haliti, i tha “Zërit” se shumë herë janë ndërmarrë masa e madje janë shqiptuar edhe gjoba, por që tregtarët vazhdojnë me të tyren. “Ka pasur raste që shitësve ambulantë ua kemi konfiskuar edhe mallrat, i kemi gjobitur, por ata vazhdojnë të shesin në rrugë. Inspektorët i largojnë, por ata sërish kthehen”, ka thënë Haliti. Sipas tij, edhe pronarët e dyqaneve i ekspozojnë mallrat para objekteve të shitjes, ndonëse atyre u është tërhequr vërejtja.
Gjendje e njëjtë është edhe në komunën e Vushtrrisë. Shemsedin Preteni, zëdhënës i Komunës së Vushtrrisë, tha se herë-herë krijohen minitregje në rrugë dhe në hapësira publike. “Inspektorët shumë herë kanë ndërmarrë masa, i largojnë prej trotuareve, rrugëve dhe hapësirave të tjera, por ata kthehen si të bëhet ora 16:00, kur përfundon orari zyrtar i administratës komunale”, ka thënë Preteni.