Investime milionëshe për shtëpi të serbëve që s’u kthyen kurrë

Ekonomia February 15, 2017 - 08:24

Për 63 shtëpi që u janë ndërtuar familjeve serbe në Maxhunaj, Sllatinë dhe në Dolak të Vushtrrisë janë investuar 2 milionë euro. Shtëpi serbëve u janë ndërtuar edhe në Frashër të Mitrovicës, por as atje serbët nuk janë thyer. Qeveria e Serbisë është duke kërkuar serbë për t’i vendosur në vendbanimin “Lugina e diellit” në Zveçan, një rast ideal për këto familje serbe që lanë shtëpitë bosh

Organizatat e ndryshme të huaja kanë investuar shuma të mëdha të mjeteve për ndërtimin e shtëpive të serbëve në fshatrat e komunës së Vushtrrisë, ku kanë jetuar ata dhe të cilët kanë ikur pas përfundimit të luftës.

Meqë Komuna e Vushtrrisë ishte tepër e përkushtuar për kthimin e të zhvendosurve në komunën e Vushtrrisë, kishte krijuar kushte dhe klimë ideale për kthimin e familjeve serbe.

Kushte të njëjta për serbët ka krijuar edhe Komuna e Mitrovicës, por as atje familjet serbe nuk janë kthyer kurrë.

Janë 63 shtëpi që janë ndërtuar me donacione të huaja në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë e Dolak të Vushtrrisë, në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi.

Por, megjithëse kishin pranuar të kthehen, shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003, ndërsa familjet serbe vazhdojnë të jetojnë në veri të Mitrovicës, të shumtën në banesat e uzurpuara të shqiptarëve, por edhe në pjesë të ndryshme të Serbisë. Në vitin 2003, në fshatin Maxhunaj, qenë ndërtuar 35 shtëpi për po aq familje serbe, të cilat dëshironin të ktheheshin për të jetuar në këtë fshat.

Një vit më vonë, gjithashtu për të njëjtin qëllim ishin ndërtuar edhe 15 shtëpi të tjera në fshatin Sllatinë, ndërsa në vitin 2010, në Dolak u ndërtuan edhe 13 shtëpi për familjet serbe.

Këto shtëpi janë ndërtuar me fonde të organizatave dhe qeverive të shteteve evropiane.

“Përveç ndërtimit të shtëpive për të kthyerit, shtëpitë e tyre edhe ishin mobiluar, ndërsa krahas kësaj familjeve serbe që do të ktheheshin, sipas një projekti, u jepeshin edhe nga 2 mijë euro”, thotë zyrtari komunal për Kthim në Vushtrri, Ekrem Merovci.
 
Shpenzohen 2 milionë euro
 
Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta në Komunën e Vushtrrisë për ndërtimin e këtyre shtëpive janë rreth 2 milionë euro, mjete të Qeverisë së Kosovës dhe të organizatave të  ndryshme të huaja, në kuadër të shumë projekteve për kthim.

Merovci thotë se serbët ndonëse kishin premtuar nuk janë kthyer asnjëherë për të jetuar në fshatrat e tyre, ku edhe u janë ndërtuar shtëpitë. Madje, ai thotë se disa nga serbët i shitën shtëpitë dhe përfituan nga ato projekte.

“Shtëpitë janë të boshatisura e të demoluara nga vetë pronarët serbë, të cilët në fillim janë deklaruar se do të kthehen për të jetuar e që më pas kanë refuzuar një gjë të tillë. Ka të tillë që i kanë shitur shtëpitë, e ka ndonjë shtëpi që jetojnë familje shqiptare”, pohon Merovci.

Serbët e Vushtrrisë, ata që jetojnë në Gojbulë, Gracë, Prelluzhë e gjetiu, thonë se serbët nuk duan të kthehen e të jetojnë aty ku ka familje shqiptare.  
Boban Ristiq, një banor Gracës, ku jetojnë bashkë edhe shqiptarë, edhe serbë, kur ishte pyetur për këtë çështje pati thënë se arsyeja kryesore e gjendjes së tillë është se “të kthyerit” nuk dëshirojnë të jetojnë në mjediset ku banojnë edhe shqiptarët.

“Pronarët e këtyre shtëpive, të ndërtuara në emër të kthimit, shtëpitë tashmë të demoluara edhe po i shesin, pasi që po mendojnë të jetojnë në veri të vendit. Ka që jetojnë në Mitrovicë në veri, por edhe në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq. Ka shumë që jetojnë në Serbi, në pjesë të ndryshme, bile edhe në fshatra të Serbisë në kushte jo të mira, por ata po hezitojnë të kthehen, sepse nuk po duan të jetojnë në mjedise ku ka shqiptarë”, thotë Ristiq.

Ai për fshatin ku jeton, në Gracë, thotë që jetojnë në harmoni dhe fqinjësi të mirë familje shqiptare dhe serbe.

Në dy vjetët e fundi në Gracë janë kthyer familjet e Sllavolub Dimiqit dhe Dobrivoje Stanisavleviqit, ndërsa në Prelluzhë janë kthyer familjet e Oliver Vujinoviqit dhe Marina Terentiq. 

Ka edhe familje të tjera që janë kthyer në ndërkohë në shtëpitë që janë ndërtuar me mjetet e Ministrisë për Kthim dhe Komuniteteve të Republikës së Kosovës, por edhe me mjete të UNHCR-së.
 
15 shtëpi për familjet serbe
 
Ndërkaq, në Sllatinë serbët nuk janë kthyer pasi që ata kanë pohuar se u janë uzurpuar pronat dhe se nuk kanë ku të kthehen, ndonëse familjeve serbe në këtë fshat u janë ndërtuar 15 shtëpi.  

Më së shumti shtëpi serbëve u janë ndërtuar në Maxhunaj, një fshat i banuar me shumicë shqiptare, por që aty gjithmonë kanë jetuar familje serbe.

35 shtëpitë e ndërtuara e të lëna bosh nga serbët që nuk u kthyen asnjëherë për të jetuar, por vetëm për të përfituar duke i shitur, tanimë janë shkatërruar tej mase dhe pothuajse të gjitha ato janë bërë të pabanueshme.

Në veri të Mitrovicës pas përfundimit të luftës dhe pas dëbimit të mbi 11 mijë shqiptarëve nga banesat dhe pronat e tyre në shkurtin e vitit 2000, ishin uzurpuar 552 banesa të shqiptarëve dhe të komuniteteve joserbe, në të cilat kishin hyrë familje serbe, jo vetëm nga Vushtrria e Skenderaj, por edhe nga e gjithë Kosova.

Për serbët e ikur nga pjesë të ndryshme të Kosovës shteti i Serbisë ka ndërtuar edhe ndërtesa të larta, në veçanti në “Lagjen e boshnjakëve”, ku janë ndërtuar 8 soliterë e të cilat janë populluar me serbë të rajoneve të ndryshme të Kosovës.
 
Serbët nuk dëshirojnë të kthehen
 
Zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Shemsedin Preteni, i ka thënë “Zërit” se për shtëpitë e ndërtuara, në të cilat serbët nuk dëshirojnë të kthehen, duhet gjetur një zgjidhje.

“Duhet gjetur një zgjidhje. Do të ishte shumë më mirë që pronarët të kushtëzohen ose të vijnë e të jetojnë në ato shtëpi, ose ato shtëpi t’u jepen të tjerëve, megjithëse shtëpitë janë dëmtuar shumë sepse ka shumë familje në komunën e Vushtrrisë që nuk e kanë zgjidhur akoma çështjen e banimit”, thotë Preteni.  

Mendohet se në komunën e Vushtrrisë janë rreth 150 familje, të cilat jetojnë në kushte të rënda të banimit.  

Njësoj si Preteni mendon edhe kryetari i Komitetit për Komunitete në Komunën e Vushtrrisë, Zoran Rakiq, i cili në një mbledhje të këtij komuniteti pati thënë se konform ligjeve të Kosovës diçka duhet të ndryshohet për shtëpitë e tilla.

“Ose të kushtëzohen pronarët me kthimin e tyre, ose edhe t’u jepen në shfrytëzim dikujt tjetër, pasi atyre të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë nuk dëshirojnë të kthehen”, pati thënë Rakiq.
 
Projekt i njëjtë edhe në fshatin Frashër
 
Një projekt i njëjtë për ndërtimin e shtëpive të serbëve ishte realizuar edhe në Frashër të Mitrovicës, por serbët e asaj pjese, të cilët jetojnë në një kamp në “Mali Zveçan”, nuk ishin kthyer kurrë, ndërkohë që shtëpitë e ndërtuara dhe të mobiluara janë plaçkitur dhe dëmtuar nga vetë serbët. Në këtë fshat jeton vetëm një familje serbe.

Të gjitha familjet serbe, të cilave u janë ndërtuar shtëpitë në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës (në Frashër), por që nuk janë kthyer për të jetuar aty, kanë rastin ideal që të jetojnë në vendbanimin “Lugina e diellit” në Zveçan, pasi që qeveria e Serbisë nëpërmes Zyrës për Kosovën është duke kërkuar familje serbe për t’i mbushur 1500 shtëpi që do të ndërtohen në këtë lagje, e cila për shqiptarët e Mitrovicës paraqet rikolonizim të veriut të Kosovës.