Hoti: Qeveria mban premtimin e saj për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes

Ekonomia February 14, 2017 - 14:38

Ministri i Financave Avdullah Hoti, me ftesë të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës mori pjesë sot në kuvendin parë të punës së kësaj Shoqate për vitin 2017, ku u diskutua për ndryshimin e politikave fiskale dhe për punën  e deritashme të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Ministri Hoti gjatë fjalës së tij falënderoi Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës për bashkëpunimin në fushën e fiskalizimit të plotë të pikave të karburantit  dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Financave për hartimin e Pakos fiskale 2.0.

Ministri Hoti para të pranishmëve në këtë kuvend theksoi se Qeveria e Kosovës  dhe Ministria e Financave është duke bërë përmbledhjen dhe duke analizuar me kujdes të gjitha kërkesat të cilat kanë ardhur si rezultat i takimeve me përfaqësuesit e bizneseve, Odat Ekonomike dhe shoqatat e bizneseve, për t’i pasqyruar ato në pakon fiskale 2.0.

Kjo pako do të jetë edhe një dëshmi e radhës se Qeveria e mban premtimin e saj drejt përmirësimit të kushteve të të bërit biznes, që paraqet një parakusht për  zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në këtë pako kemi përfshirë edhe kërkesën e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës që ka të bëjë  me njohjen e humbjeve nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj si dhe kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me këtë sektor”, shtoi ministri Hoti, transmeton "Zeri.info".

Gjithashtu, Ministri Hoti në mbyllje të fjalës së tij theksoi se mbrëmë kemi marrë një lajm të mirë  nga Stambolli ku Kosova e ka marrë çmimin si shteti më i mirë dhe i cili më së shumti është përkushtuar në ndryshimin e politikave fiskale dhe në krijimin e kushteve të të bërit biznes, dhe se kjo nuk do të kishte ardhur pa ndihmën e përfaqësuesve të biznesit në përgjithësi.

Me këtë rast falënderoi Shoqatën e Naftëtarëve për kontributin e dhënë në zhvillimin e vendit si dhe u uroi suksese në punët e kuvendit.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani, duke falënderuar Ministrin Hoti për pjesëmarrje në këtë Kuvend të punës e gjithashtu për pjesëmarrjen në takimet e tjera  me të gjitha bizneset për të dëgjuar për problemet dhe kërkesat e tyre, shtoi se kërkesat e bizneseve në masë të madhe po adresohen përmes pakos së re fiskale, të hartuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Berjani në emër të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës e falënderoi Ministrin për përkrahjen dhe gjithashtu u shpreh se bashkëpunimi me institucionet dhe në veçanti me Ministrinë e Financave nuk do të mungojë asnjëherë. /ZËRI/