Beqiri: Po na bëhet e padrejtë

Ekonomia February 13, 2017 - 08:28

Abdyl Beqiri, përfaqësues i kompanisë së sigurimit fizik “Luani”, po ankohet se i është bërë e padrejtë në tenderin “Sigurimi fizik i objekteve të kujdesit primar shëndetësor në Prishtinë”, të shpallur nga Komuna e Prishtinës.

Ai thotë se më 13 shtator të vitit 2016, Komuna e Prishtinës e kishte shpallur kompaninë e tij si fituese të këtij tenderi.

Por, sipas tij, pas ankesës së kompanisë “Alpha Private Security” në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lënda është kthyer në ritenderim, ku më pas Komuna e Prishtinës e kishte shpallur fitues të këtij tenderi kompaninë “Alpha Private Security”, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mirëpo, tashmë kundër këtij vendimi është ankuar në OSHP kompania “Luani”, por deri më tash nuk është marrë ndonjë vendim në lidhje me fatin e këtij tenderi.

Beqiri thotë së herën e kaluar atij i është bërë e padrejtë në OSHP pasi ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me dosje të tenderit.

Ai më tej thotë se herën e kaluar raporti i panelit shqyrtues bie ndesh me raportin e ekspertit shqyrtues për këtë proces të prokurimit.

Sipas tij, eksperti shqyrtues për këtë proces prokurimi kishte rekomanduar panelin shqyrtues që ta refuzojë si të pabazuar ankesën e operatorit ankues “Alpha Private Security”.

“Eksperti shqyrtues i rekomandon panelit shqyrtues që ta refuzojë si të pabazuar ankesën e operatorit ekonomik ankues ‘Alpha Private Security’, me seli në Prishtinë, për këtë aktivitet të prokurimit dhe njëherësh ta aprovojë vendimin e autoritetit kontraktues, njoftimi për dhënie të kontratës i datës 13.09.2016 për këtë aktivitet të prokurimit ‘Sigurimi fizik i objekteve të kujdesit primar shëndetësor në Prishtinë’, me numër të prokurimit 616/16/107/211, të iniciuar nga autoriteti kontraktues - Komuna e Prishtinës”, thuhet në fund të ekspertizës së ekspertit shqyrtues.

Por, sipas tij, më pas paneli shqyrtues ka vendosur të kundërtën, ka aprovuar ankesën e operatorit ekonomik ankues dhe lënda është kthyer në rivlerësim.

“Paneli shqyrtues konstaton se ankesa e operatorit ekonomik ankues është e bazuar për faktin se autoriteti kontraktues në kundërshtim me Nenin 6 dhe 59 të Ligjit të Prokurimit Publik ka zhvilluar aktivitetin e prokurimit, duke e pasur për bazë shfrytëzimin dhe ekonomicitetin e fondeve publike, si dhe respektimin e kritereve të kërkuara në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në fund të vendimit të panelit shqyrtues, të datës 9 nëntor të vitit 2016.

Më tutje Beqiri, nga kompania “Luani”, po kërkon nga OSHP-ja që të sjellë një vendim të drejtë, pasi që siç thotë ai, kompania e cila është shpallur si fituese e tenderit nga Komuna e Prishtinës nuk ka plotësuar kriteret e parapara me dosje të tenderit.

Për këtë çështje gazeta i ka dërguar pyetje Zyrës për Medie të Komunës së Prishtinës, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Ndërkaq, zyrtarë të OSHP-së thonë se vendimi për çështjen në fjalë do të merret së shpejti “Organi shqyrtues i prokurimit ju njofton se më datën 23 dhjetor 2016, me nr. protokolli 471/16, kundër njoftimit për dhënie të kontratës të datës 07 dhjetor 2016, me titull: ‘Sigurimi fizik i objekteve të kujdesit primar shëndetësor në komunën e Prishtinës’, me nr. protokolli: 616/16/107/221. Më datën 10 janar 2017, eksperti shqyrtues ka lëshuar raportin e ekspertizës, i cili ka konstatuar që të kemi të bëjmë me pretendim të njëjtë ankimor, i cili paraprakisht është shqyrtuar nga ana e panelit shqyrtues me vendim nr. 325/16, të datës 09.11.2016, Njëherësh eksperti shqyrtues i ka rekomanduar panelit shqyrtues që të hidhet poshtë si e palejuar ankesën e OE-së ankuese duke u bazuar në Nenin 18.2 dhe 18.3 të Rregullores së Punës së OSHP-së. Më datën 06 shkurt 2017, është mbajtur seanca për shqyrtim kryesor dhe së shpejti do të publikohet vendimi në uebfaqen zyrtare të OSHP-së. Sa i përket pyetjes suaj të fundit, ne si organ nuk mund të deklarohemi pasi që ato janë vetëm pretendime të OE-së ankuese dhe nuk mund të deklarohemi rreth mendimeve të OE-ve”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.