Në mes të shkurtit dalin në qarkullim autobusët e rinj

Ekonomia February 03, 2017 - 08:14

Pjesa e parë prej 30 autobusëve tashmë ka arritur në Prishtinë dhe nga mesi i shkurtit pritet të dalin në komunikacion. Ndërsa pjesa e dytë prej 21 sosh do të vijë në fund të muajit mars ose në prill të këtij viti. Këta autobusë pritet që t’i mbulojnë linjat më të frekuentuara në qytet, të cilat janë: linja 4 - nga “Bregu i diellit” deri të “Parku i Gërmisë”, si dhe linjën 3 - nga “Lagjja e Spitalit” deri në lagjen “Kodra e trimave”.

 Ndërsa me planin e mobilitetit do të vihen në funksion edhe autobusët dhe linjat e tjera. Bileta për këta autobusë do të kushtojë 50 centë, për pensionistët është falas, ndërsa priten çmime të reduktuara për studentë.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se edhe kontingjenti i dytë prej 15 autobusësh tashmë ka arritur në Prishtinë dhe se pas përfundimit të disa procedurave teknike do të dalin në komunikacion. “Në Prishtinë tashmë kanë arritur të dy kontingjentet e para të autobusëve të rinj dhe do të hyjnë në funksion në linjat 3 dhe 4 të trafikut urban me të përfunduar edhe disa procedura teknike dhe administrative. Në ndërkohë, ‘IVECO Bus’ është duke trajnuar stafin e ‘Trafikut urban’ dhe kompania ‘Mot MacDonald’ ka filluar punën për hartimin e planit të qëndrueshëm të mobilitetit, plan i cili do të ndihmojë rregullimin e mobilitetit në Komunën e Prishtinës, duke përfshirë qarkullimin e autobusëve, automjeteve dhe këmbësorëve”, ka thënë Mullafazliu.

Ajo po ashtu ka thënë se përmes këtij plani do të bëhet ridizajnimi i linjave të autobusëve në mënyrë që në transport publik të përfshihet i tërë territori i Prishtinës, duke marrë parasysh që, siç thotë ajo, sot kemi një transport publik të fragmentuar.

Edhe Halil Mustafa, kryeshef i “Trafikut urban”, ka thënë se autobusët tashmë janë në kryeqytet dhe se, siç thotë ai, nga data 15 deri më 20 shkurt do të dalin në komunikacion. Ai ka thënë se “Trafiku urban” tashmë është gati dhe shumë shpejt do të ketë edhe staf të ri.

 “Autobusët tashmë kanë arritur. Shumë shpejt po presim të dalin në qarkullim, prej 15 deri më 20 shkurt. Janë procedura e prokurimit, pastaj çështja e konkursit, trajnimi i stafit që automatikisht vijnë prej IVECO-s. Ata e kanë obligim 7 ditë që ta bëjnë trajnimin e vozitësve. Trafiku është gati, e kemi kryer trajnimin e automekanikëve, të vozitësve edhe pse është një pjesë bukur e vjetër e vozitësve, pra është dallimi i madh pasi deri dje kanë vozitur autobusë të vjetër, ndërsa tani janë autobusë të prodhimit të ri”, ka thënë Mustafa. Ndër të tjera Mustafa ka thënë se është hapur konkursi për vozitësit e rinj dhe se, sipas tij, e preferuar është mosha deri në 45 vjeç.