Mbi 4 mijë familje, në varfëri të skajshme në Mitrovicë

Ekonomia January 31, 2017 - 08:21

Në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrri, si dhe në Drenas e Istog, me social jetojnë 6.406 familje, më së shumti në Mitrovicë, 2.089 familje, në Vushtrri 1.431 dhe Drenas 1.336 familje. Shkallë më të ulët të varfërisë ka Istogu me 517 familje në asistencë sociale dhe Skenderaj me 853 familje. Për shumë familje serbe të komunave në jug  përkujdeset Enti për Sigurime Sociale i Republikës së Serbisë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mbi 30 për qind e qytetarëve të komunës së Mitrovicës jetojnë në varfëri,më shumë se që ka Prishtina dhe komunat tjera më të mëdha të Kosovës, Peja, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Ferizaj.

Mitrovicës nuk ia lëshojnë udhën as komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Drenasit, ndërsa shkallë më të ulët të varfërisë kanë Istogu, si dhe komuna e Skenderajt, e cila në periudhën pas përfundimit të luftës vlerësohej si një ndër komunat më të varfra në Kosovë.

Në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrri, si dhe në Drenas e Istog, me social jetojnë 6.406 familje, më së shumti në Mitrovicë, 2.089 familje, në Vushtrri 1.431 dhe në Drenas 1.336 familje. Shkallë më të ulët të varfërisë ka Istogu me 517 familje në asistencë sociale dhe Skenderaj me 853 familje.

Në komunën e Mitrovicës, me social jetojnë hiç më pak se 2089 familje,  por janë edhe po aq familje të tjera që jetojnë në varfëri të skajshme, por që për shkak të kritereve kanë mbetur jashtë skemave sociale, e që sipas Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, paraqesin shifra alarmante.

Miran Salihu, drejtor i QPS-së në Mitrovicë i tha “Zërit” se shkalla e varfërisë në komunën e Mitrovicës ka arritur në mbi 30 për qind dhe se është më e larta në Kosovë. Ai shtoi, se kriteret tepër të ashpra kanë bërë që edhe familje të tjera të varfra të mbesin jashtë skemës sociale.

“Në këtë kategori hyjnë ato familje që nuk kanë fëmijë nën moshën 5-vjeçare dhe për këtë shkak nuk realizojnë asistencën sociale”, thotë Salihu.

Sipas tij, të gjitha lëndët për familjet serbe në asistencë sociale janë dërguar në veri të Mitrovicës, në QPS-në e atjeshme dhe se ata merren me to.

Bahtiri nuk e uli nivelin e varfërisë

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili prej se qeveris me Mitrovicën, për gati katër vjet, me gjithë premtimet nuk ka arritur ta ulë nivelin e varfërisë dhe të papunësisë, konstaton se dështimi për t’i realizuar projektet e ndryshme për shkak të mosinteresimit të investitorëve ka bërë që gjendja ekonomike e sociale e qytetarëve të Mitrovicës të rëndohet dhe të përkeqësohet gjithnjë e më shumë, kështu që tani numri i të papunëve dhe i familjeve në asistencë sociale është shumë më i madh.

“Për këtë arsye do të duhej që Qeveria e Kosovës, ministritë dhe institucionet tjera të nivelit qendror ta ndihmojnë Mitrovicën, duke i dhënë prioritet në zgjidhjen e problemeve të shumta, si të zhvillimit ekonomik, ashtu edhe të zgjidhjes së problemeve të shumta sociale”, thotë i pari i Mitrovicës.

Edhe në komunën e Vushtrrisë vlerësohet të jetë shkallë e lartë e varfërisë. Sipas të dhënave në Qendrën për Punë Sociale në Vushtrri, aktualisht në asistencë sociale ndodhen 1.431 familje.

Drejtoresha e QPS-së në Vushtrri, Naime Krasniqi, i tha “Zërit” se gjendja lëviz nga muaji në muaj pasi që vazhdimisht ka kërkesa të reja për përfshirje në skemat sociale, por ka edhe familje që largohen nga skemat sociale.

Sipas Krasniqit, të drejtën në asistencë sociale në Komunën e Vushtrrisë janë duke e realizuar 52 familje serbe. Shumica e tyre janë të Prelluzhës, por edhe të fshatrave të tjera me serbë, Gojbula, Graca dhe Sllatina.

Për shkak të kritereve, sikurse edhe në Komunën e Mitrovicës, edhe në atë të Vushtrrisë ka familje të varfra që nuk janë përfshirë në skemat sociale. Në raste të tilla, të varfrit kërkojnë ndihmë nga komuna, por edhe nga organizatat e ndryshme humanitare, më së shumti nga SHBH “Nënë Tereza”.

Në Drenas, 1336 familje në asistencë sociale

Në Drenas,  sipas të dhënave në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të drejtën në asistencë sociale e gëzojnë 1.336 familje.

Ilir Shala, drejtor i kësaj drejtorie i tha gazetës se numri i familjeve që jetojnë në kushte të rënda është më i madh, por shumë sosh nuk kanë mundur të hyjnë në skemat sociale, pasi që nuk i kanë plotësuar kriteret e domosdoshme.  

“Kriteret janë të tilla që shumë familje nuk mund të përfshihen në skema sociale”, thotë shkurt drejtori Shala.

Ndërkaq, Skenderaj, që para pak kohësh kishte numër të madh të familjeve me të drejtë në asistencë sociale, si dhe numër shumë më të madh të familjeve të varfra pa u përfshirë në skemat sociale, tani ka zbritur dukshëm nivelin e varfërisë.

Janë “vetëm” 853 familje, të cilat aktualisht marrin ndihma sociale, ndërkohë që vetëm para 3-4 vjetëve, numri i familjeve me social ishte mbi 2 mijë.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt, Enver Gashi, shpjegon se shumë faktorë kanë ndikuar që numri i familjeve në skema sociale të ulët, duke veçuar kriteret e rrepta që shumë familje nuk mund t’i plotësojnë.

Gashi ka shtuar se komuna i ndihmon familjet e varfra herë pas herë edhe në forma të tjera, sidomos me artikuj të ndryshëm ushqimorë, por u ndihmon familjeve edhe për t’i zgjidhur problemet e banimit. Sipas Gashit, të drejtën në asistencë sociale e realizojnë edhe 26 familje serbe, të fshatrave Bajë dhe Syriganë.

Në SHBH  “Nënë Tereza” në Skenderaj i kanë thënë “Zërit” para pak kohesh, se në listat e tyre kanë mbi 200 familje, të cilat ndihmohen kryesisht me artikuj ushqimorë dhe se një anëtar i këtyre familjeve mesatarisht jeton me 30 centë në ditë.

SHBH “Nënë Tereza” në Skenderaj ishte jashtëzakonisht e përkushtuar për të varfrit, por problemet me hapësira kanë bërë që kjo degë e kësaj shoqate të gjendet në vështirësi të mëdha dhe në këtë mënyrë ta zbehë dukshëm aktivitetin e vet, e madje edhe që ta shuajë tërësisht.

Istogu, më së paku familje sociale

Më së paku familje në asistencë sociale ka Istogu, 517 familje, nga të cilat vetëm një është familje serbe.

Fjolla Berisha, zyrtare për informim në komunën e Istogut i ka thënë “Zërit” se familjet në asistencë sociale kanë edhe vështirësi të tjera, të cilat i zgjidh komuna në forma të ndryshme.

Ndonëse disa fshatra të Istogut janë të populluara me serbë, siç janë Cërkolezi, Osojani, Suhagërlla, në asistencë sociale është vetëm një familje serbe. Ajo nuk ka mundur të shpjegojë se ku e realizojnë të drejtën në asistencë sociale serbët e atyre fshatrave.

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës është funksionale Qendra për Punës Sociale e Ministrisë së Punës dhe e Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës, në skemat sociale të të cilës janë përfshirë serbët e Jugut të Mitrovicës, por edhe ata të Skenderaj dhe të Vushtrrisë.  

Në një njoftim të mëhershëm, Enti për Sigurime Sociale i Republikës së Serbisë (Zavod za Socialno Osiguranje) ka njoftuar se të gjithë serbët e Mitrovicës së Jugut, të Skenderajt, të Vushtrrisë dhe të Istogut janë përfshirë në skemat sociale të Republikës së Serbisë nëpërmes të këtij enti.

Sipas të dhënave që ata i kanë publikuar, shifra e familjeve serbe nga këto komuna që marrin ndihmë sociale në PIO të Serbisë arrin në 8 mijë.  

 

Image